PD: Tahiri lejoi grabitjen e furgonit me drogë në komisariat. Policia e Vlorës: E pavërtetë

532
Partia Demokratike akuzon sërish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës. Në një deklaratë për mediat, demokrati Enkeled Alibeaj tha se ministri Tahiri lejoi grabitjen e furgonime drogë në komisariatin e Vlorës, dhe sipas tij është urdhëruar fshehja e ngjarjes.
Alibeaj përsëriti thirrjen ndaj qytetarëve për t’iu bashkuar protestave të opozitës për të kërkuar largimin e qeverisë Rama.
Por lidhur me këtë deklaratë ka reaguar Policia e Vlorës, duke e cilësuar atë të pavërtetë.
“Lidhur me pretendimet e Partisë Demokratike se është lejuar të nxirret jashtë Komisariatit të Policisë Vlorë furgoni me 808 kg lëndë narkotike, sekuestruar gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia e Shtetit në zonën e Radhimës në datë 10 nëntor 2015, sqarojmë opinion publik se deklarata është tërësisht e pavërtetë. Ndryshe nga sa pretendohet në deklaratën e PD-së, theksojmë se furgoni së bashku me lëndën narkotike qëndron i bllokuar në cilësinë e provës materiale dhe ruhet 24 orë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe materialet për këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë.
Ftojmë mediat dhe cilindo përfaqësues politik të njihet me faktin në fjalë, pranë Policisë Vlorë.
Policia e Shtetit është e vendosur të bëjë detyrën, për t’i shërbyer qytetarëve duke luftuar informalitetin, paligjshmërinë dhe kriminalitetin. Policia e Shtetit fton çdo parti politike që përpara se të bëjë deklarata që hedhin baltë mbi punën e policisë, të verifikojë informacionet, e për këtë qëllim, Policia është e gatshme të japë informacion për cilindo që kërkon të dijë të vërtetën” thuhet në reagimin e Policisë së Vlorës.
DEKLARATA E PLOTE E PD
Po mbushet një javë që Saimir Tahiri mban të fshehur ndoshta ngjarjen më të rëndë kriminale të kohëve të fundit, grabitjen brenda komisariatit të Vlorës të një furgoni të ngarkuar me 800 kilogramë kanabis.
Furgoni me drogë në të vërtetë nuk është grabitur, por është lejuar të merret, i janë hapur portat.
Sipas informacineve që vijnë nga oficerë të papërfshirë, që kanë bërë të mundur kapjen e kësaj sasie dhe bllokimin e furgonit në komisariat, droga lidhet me kushërinjtë e ministrit, me habilajt e targës AA003GB.
Urdhëri nga lart ka qënë i prerë. Akush të mos flasë, kush hap gojën pushohet nga puna.
Skandali u zbulua pasi guardia di financa kapi pastaj në Itali, këtë sasi droge.
Tahiri mësohet se ka bërë disa lëvizje në Policinë e Vlorës për të kopsitur përfundimisht çështjen, për ta mbuluar atë.
Eshtë larguar nga detyra shefi i kufirit të Vlorës për tu zëvendësuar nga një besnik fanatik i Saimirit, dhe me lidhje të forta me habilajt.
Ja pra deri ku ka mbërritur shteti i Edi Ramës.
Shtet kriminal, me një ministër që nxjerr drogën nga komisariati për ta trafikuar, dhe me oficerë në pika kyçe që emërohen nga bandat dhe trafikantët.
Ky është shteti i Edi Ramës.
Shtet i zhytur në krim, që duhet ta rrëzojmë një orë e më parë për të shpëtuar vendin.
Ka nisur numërimi mbrapsht, me 8 dhjetor ne, shumica e shqiptarëve, do të tregojmë se jemi më të bashkuar e më të fortë se klanet kriminale që sundojnë vendin.
Sigal