PD: Sistemi i shëndetësisë, në shërbim të koncesionit korruptiv

585
Deputeti Bardh Spahija denoncon ndryshimin e kontratës dhe detyrimin e personelit mjekësor të punojë për kompaninë e “check-up” të Vilma Nushit
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahija, kritikoi kontratën që detyron personelin mjekësor t’i shërbejë koncesionarit të “Check-Up”. “Edi Rama ka vendosur zyrtarisht sistemin e shëndetësisë në shërbim të koncesionit korruptiv të check-up. Tani, për miken dhe klienten e tij Vilma Nushi, do të punojë i gjithë personeli në qendrat shëndetësore, i detyruar me një kontratë të paligjshme. Bëhet fjalë për detyrim – kërcënimin që u është shtuar në kontratat e punës mjekëve për të informuar dhe për të sjellë me imponim popullsinë në qendrat ambulatore për të kryer Chek-up-in”, tha Spahia. Për deputetin demokrat, ndryshimi i kontratës mes firmës që ka koncesionin dhe Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyruar Shëndetësor, miratuar në Dhjetor 2014, është një shkelje flagrante qe vendos shëndetësinë në dispozicion të interesave të rrezikshme që i përkasin klaneve pranë kryeministrit. “Çfarë do të thotë që të vihen në shërbim të Vilma Nushit, mjekët për një shërbim që duhet ta kryejë vetë koncesionari, i cili paguhet me lekët e taksapaguesve shqiptarë? Përse duhet të bëjnë mjekët ndërgjegjësimin, informimin dhe bindjen e publikut për t’iu drejtuar qendrave ambulatore? Kjo është një shkelje e hapur e Kodit të Punës, pasi në kontratën e mjekëve me Fondin për 2018-ën, që pritet të firmosin këto ditë mjekët e familjes në mbarë vendin, nuk thuhet që mjeku do paguhet për check up-in. Domethënë një angazhim dhe stërmundim i tepërt, por i papaguar nga ministria, sepse milionat shkojnë për Ramën dhe Vilma Nushin me kompani”, u shpreh Spahia. Sipas tij, skema që detyron me kontratë mjekët dhe infermierët të punojnë për koncesionarin synon së pari të mbulojë dështimin e koncesionit. “Deri tani, edhe me manipulimin e shifrave, vetëm 27 për qind e shqiptarëve e bën check-up. Ndërsa Vilma Nushi paguhet njësoj, rreth 6 milionë euro në vit”, u shpreh Bardh Spahija. “Pas skemës për të vënë personelin shëndetësor në shërbim të koncesionit të Ramës për check-up, fshihet edhe synimi për të rritur fondin e miliona eurove që shteti i paguan klientes së kryeministrit. Me detyrimin e mjekëve për të bërë check-up për moshat deri në 75 vjeç, rritet jo vetëm numri, por edhe shansi që Vilma Nushi të kërkojë zgjerim fondesh”, deklaroi deputeti demokrat. Partia Demokratike i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të tërheqë kontratën e paligjshme që detyron mjekët dhe infermierët të punojnë për koncesionin e dështuar të Edi Ramës. “Nëse kësaj kontrate i shkohet deri në fund, ne do të ndjekim rrugën ligjore për të vendosur para drejtësisë shërbëtoret e oligarkëve të shëndetësisë”, u shpreh Spahija.
Sigal