PD: Policia gjobiti protestuesit për çmimin e naftës, MB: Asnjë gjobë!

571
Sigal

Ministria e Brendshme i ka cilësuar si shpifje të radhës akuzat e PD, se Policia e Shtetit ka vendosur gjoba për drejtuesit e mjeteve që i janë bashkuar opozitës ditën e protestës për çmimin e naftës.

Në një reagim të MB-së theksohet se në datën 26.01.2015 (dita kur protestoi PD për çmimin e naftës), Policia Rrugore nuk ka vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Ministria e Brendshme thotë se rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba, ose ishin mjete pa kontratë sigurimi të detyrueshëm.

Ishte sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ai që në një deklaratë për mediat tha se ndaj protestuesëve janë vënë gjoba politike. Sipas tij drejtoritë e policisë së çdo qarku, janë njoftuar për protestën, sipas ligjit në fuqi. Numri dy i PD-së iu ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të mos paguajnë gjobat që sipas tij janë politike.


Deklarata e Ministrisë së Brendshme
Duke vlerësuar si shpifje të rradhës, deklaratat e Partisë Demokratike, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se:Në të gjithë territorin e vendit në datë 26.01.2015, Shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete që ndaluan duke bllokuar trafikun, kryesisht autovetura, të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë.Ndërkohë që sipas verifikimeve, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba, ose ishin mjete pa kontratë sigurimi të detyrueshëm.Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim.

Deklarata e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani 
Gjobat politike, të urdhëruara nga Edi Rama, ndaj protestuesve për çmimin e lartë të naftës, për shkak të taksave të qeverisë, janë të paligjshme. Drejtoritë e policisë së çdo qarku, janë njoftuar për protestën, sipas ligjit në fuqi. Këto gjoba janë thjesht ndëshkim i hakmarrësit Rama, që refuzon të dëgjojë qytetarët e vendit. Ne u bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të mos paguajnë gjobat politike të Edi Ramës dhe i kërkojmë Policisë së Shtetit të tërhiqet nga ky aksion partiak dhe i paligjshëm. Me dhunën e pushtetit vetëm do shkurtojnë ditët e tyre sepse revolta popullore është ortek që nuk mund të ndalet.