PD denoncon: Blerje masive votash, votuesit “nën presionin e makinerisë shtetërore”

514
Sigal

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ledina Alolli, ka denoncuar raste të blerjes së votës në Kolonjë, ku po zhvillohen sot zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo thotë se disa qendra votimi janë “nën presionin e makinerisë shtetërore”.

Teksa thotë se po manipulohen votat e qytetarëve, ajo thotë se përfaqësuesit e opozitës janë në terren për të mbledhur çdo provë e denoncim nga qytetarët.

“Blerje masive votash në Kolonjë. Çlirimi, Starja, Barmashi nën presionin e makinerisë shtetërore. Duan të zbatojnë skenarin e radhës.., presionin dhe blerjen, për t’u marrë votën kolonjarëve.
Për Ramën, Kolonja duhet marrë me çdo kusht e me çdo mjet – një Dibër e dytë!!

Mesa po shihet e kuptohet në dritën e diellit, qeverinë dhe mazhorancën e përfaqësuar nga mëkëmbësi Peleshi e kanë zënë ethet e makthit për një fitore te grabitur. Këtë pushtet vota e lire e fut në kompleks të thellë dhe në hall të madh…

Makineria qeveritare e korrupsionit po kap zgjedhjet duke cenuar rëndë standardet e një procesi që duhej të ishte i lirë dhe i ndershëm. Demokratët dhe strukturat e koalicionit opozitar në terren po mbledhin çdo provë e denoncim për t’i çjerrë maskën manipulimit të radhës me votat e shqiptarëve. Me këtë qeveri e kryeministër nuk ka zgjedhje të lira e demokratike”, shkruan Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD.