Pazarxhinjtë e KEMP-ve që paguhen me nga 2 paga mujore, tallin dhe zhvatin invalidët

1090
Zoti kryeministër, zhdukni bandat e Komisioneve të Invaliditetit, të mbushura me nepotizëm, klientelizëm e korrupsion!
Përparim HALILI
Mjafton të gjendesh jo 1 ditë, por vetëm 1 orë në zyrat e KEMP-it Epror në Tiranë dhe në zyrat e KEMP-ve Rajonale në prefektura e rrethe, ku trajtohen dosjet e paaftësisë fizike të qytetarëve dhe bëhesh… “invalid nga truri”! Mjafton të bisedosh me një invalid, i cili ka shkuar qoftë edhe 1 herë të vetme në zyrën e KEMP-t në rreth, në rajon apo në KMEP-in Epror në Tiranë dhe bindesh plotësisht, për masakrën sistematike e të pamëshirshme që bëjnë drejtuesit dhe anëtarët këtyre KEMP-ve, ndaj invalidëve të përhershëm, invalidëve nën kontroll periodik dhe qytetarëve, që aplikojnë për t’u trajtuar me pagesë invaliditeti! 
Çdo mëngjes, në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të publicistit Bashkim Hoxha, bëhen ankesa e denoncime nga qytetarët për sjelljet brutale, për zvarritjet e trajtimit të dosjeve, për vonesat me muaj e vite të marrjes së vendimeve. Ka ankesa të shumta, për mohimin, përgjysmimin dhe heqjet e padrejta të pagesave të invaliditetit, për sorollatjet pa asnjë shkak (lodhje-shpenzime) që batakçinjtë dhe horrat e këtyre KEMP-ve, u bëjnë njerëzve, duke i dërguar nga 10-20 herë nëpër rrethe, qarqe e në Tiranë, nëpër zyra pune, spitale, hipoteka, komisione pronash, QKR, QKL, QKB, tatime, ambulanca lagjeje e zone, tek mjekët e familjes, zyra arshive, ndihme ekonomike, në OSHE, Ujësjellës, nëpër bashki, qendra pune, prefektura, ISSH e kudo! Dhe pas vonesës me disa muaj, u thonë: “Duhen dokumente të freskëta, kanë dalë udhëzime të reja!” Zyrat e KEMP-ve, janë kthyer në tmerrin e invalidëve, aq sa, siç thonë ata, më shumë vuajnë prej sjelljes së tyre, se sa prej fatkeqësive dhe sëmundjeve që kanë! Këto zyra janë tjetërsuar në private, brenda tyre shërbehet si në “treg të lirë”, ku nuk vlerësohet shkalla e invaliditetit faktik, por korrupsioni, në bazë të të cilit, ose e fiton, ose e vazhdon dhe ose e humbet të drejtën e invaliditetit! Mjafton të lexosh letrat me denoncime e ankesa, që invalidë të shumtë dërgojnë në gazetën “Telegraf” dhe ndjen detyrimin publik, t’i drejtohesh kryeministrit, për t’i dëgjuar këto zëra njerëzish në hall shëndetësor e në nevojë ekonomike, të cilët tallen, vonohen, denigrohen, shkatërrohen ekonomikisht me udhëtime të shpeshta nëpër rrethe e drejt Tiranës, për shkak të vonesave dhe sorollatjeve që u bëhen prej mjekëve, ekspertëve, anëtarëve dhe kryetarëve të KEMP-ve. Kryeministri duhet të zhdukë këto banda me emërtesat “KEMP”, të tej-mbushur me zyrtarë të përjetshëm, me nepotizëm, klientelizëm dhe korrupsion. 
Ja disa nga pagesat mujore shtesë, që marrin drejtuesit edhe anëtarët e KEMP-ve :
Po publikojmë pagesat mujore shtesë mbi pagën mujore, që shteti u jep drejtuesve dhe anëtarëve të KEMP-it Epror, të KEMP-ve Rajonal dhe të KEMP-ve të Verbërisë invaliditetit, mbi pagat mujore që marrin si mjekë, që shteti u jep drejtuesve edhe anëtarët e KEMP-ve. Sipas VKM Nr. 418, datë 27 qershor 2012, përveç pagave mujore për punën si mjek në shërbimin shëndetësor shtetëror, çdo muaj ata përfitojnë edhe këto pagesa mujore fikse: 
1. Kryetari KEMP Rajonal Mjekësor: 20 mijë lekë të reja në muaj, mbi pagën mujore
2. Zv/Kryetari KEMP Rajonal Mjekësor: 15 mijë lekë të reja në muaj mbi pagën mujore
3. Kryetari KEMP Mjekësor Epror: 20 mijë lekë të reja në muaj mbi pagën mujore
4. Anëtari KEMP Mjekësor Epror: 15 mijë lekë të reja në muaj mbi pagën mujore
5. Kryetari KEMP Epror, në varësi të ISSH: 25 mijë lekë të reja në muaj, mbi pagën mujore
6. Anëtari KEMP Epror, në varësi të ISSH: 20 mijë lekë të reja në muaj, mbi pagën mujore
7. Kryetari KEMP i Verbërisë, në varësi të Shërbimit Social: 25 mijë lekë të reja në muaj, mbi pagën mujore
Sigal