Pazaret me hekurudhën nxjerrin trenat nga shinat

570
Pas e kanë kthyer në gërmadhë të periudhës së mesjetës dhe e kanë lënë të tillë si me shina, vagonë e lokomotiva në gjendje “skrap” e baraka llamarine të degraduara, së fundi Hekurudhës Shqiptare i hoqën edhe karburantin, lëndën “jetike” me të cilin lëvizin lokomotivat e mbetura “gjallë” dhe që futen në linjë për transport udhëtarësh e mallrash. Ky bllokim i furnizimit të trenave me naftë, ka ndodhur e po vazhdon prej 5 ditësh dhe, “çuditërisht” askush nuk shqetësohet as në qeveri që bën kongrese partie, as në ministrinë që bënë tendere për blerje lokomotivash të kalbura të shekullit 18, as në shërbimin e hetimit të anti-krimit ekonomik për të zbuluar se përse hekurudha nuk ka asnjë “pikë naftë”. Drejtoria e hekurudhës Shqiptare, për të mos lënë veturat e veta pa naftë, ka gjetur si zgjidhje që të lërë pa furnizim lokomotivat e trenave, duke bllokuar qarkullimin e tyre në linja. Këtë fakt e ka bërë të ditur sindikata e Hekurudhës Shqiptare, sipas të cilës Ministria e Transporteve nuk ka marrë masat e duhura që trenat të mos bllokohen për naftë. Mirëpo ky skandal e trup për transportin, tashmë ka ndodhur e është fakt.
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, konsiderohet shkaktari i këtij bllokimi të transportit hekurudhor, duke inskenuar skema për mos furnizimin e qëllimshëm të trenave me naftë. Skenari “Haxhinasto” për paralizimin, asfiksimin dhe nxjerrjen jashtë funksionit të transportit të njerëzve e mallrave me hekurudhë, ka si objektiv “vdekjen klinike” të këtij shërbim, skenar i cili ka nisur me mos furnizimin me naftë të trenave të transportit të udhëtarëve. Kjo është një skemë e paralajmëruar, për faktin se ministri Haxhinasto po synon futjen në kthetrat e koncesionarëve të tij klientelistë brenda e jashtë Shqipërisë, të shërbimit të Hekurudhës Shqiptare. Dhe këtë e tregon fakti, që në qendrën e hekurudhës në stacionet e tjera të drejtorive rajonale ku është ende në financat e buxhetit ky shërbim, trenat qëndrojnë të bllokuar prej 5 ditësh, duke mos lëvizur nga vendi. Sipas Sindikatës së Hekurudhave Shqiptare, shkaku kryesor është mungesa e karburantit, lëndë e parë bazë pune për këtë sektor, që nuk çohet në hekurudhë. Sipas kreut sindikalistë të hekurudhës, zotit Osman Meta, trenat e udhëtarëve nga Durrësi dhe në të gjithë linjat hekurudhore, prej 5 ditësh nuk po qarkullojnë më, për arsye të mbytjes në borxhe e të mos blerjes dot të karburanteve, duke nxjerr jashtë loje transportin e udhëtarëve, afro 80% e të cilëve kanë blerë edhe abone mujore. Sipas investigimit të gazetës “Telegraf” lidhur me këtë skandal të rëndë dhe sipas informacioneve të zyrtarëve të hekurudhës, flitet se ky skenar përveç asfiksimit të këtij shërbimi për t’u dhënë me koncesion të pisët, ka lidhje edhe me një skenar tjetër të futur në veprim prej Ministrit Edmond Haxhinasto, për favorizimin e transportit klientelist rrugor. 
Ajo që mbetet shqetësim është humbja që po krijon bllokimi i këtij transporti me leverdi ekonomike-financiare në raport me tregjet jashtë Shqipërisë, duke cenuar kontratat e lidhur me shërbimet hekurudhore të vendeve fqinje, të cilët kanë alarmin e një rreziku për bllokimin prej palës shqiptare edhe të transportit të mallrave. Mungesa e naftës, ose më saktë mos furnizimi i qëllimshëm i hekurudhës me karburante, po çon drejt falimentit të qëllimshëm të sektorin hekurudhor. E ndërsa ministria e drejtuar prej Haxhinastos ka 5 ditë që ka lënë qëllimisht hekurudhën pa karburant, veturat e tij dhe të vartësve të tij harxhojnë aq karburante sa harxhojnë 5 lokomotiva në muaj! Po qeveria përse nuk ka vepruar, për të garantuar furnizimin e hekurudhës me naftë? Sipas burimeve të “Telegraf”, mësohet se prej Ministrisë së Brendshme është bërë një njoftim tenderi, për blerje karburanti edhe për Hekurudhën Shqiptare për nevojat e vitit 2016. Çudia qëndron se ky njoftim për tender, ose më saktë ky tender për naftën e hekurudhës nuk është bërë në fund të vitit 2015, por në 7 mars të vitit 2016, pra 32 muaj pasi ka nisur viti i punës! Sa për konkretizim, po bëjmë publik vlerën e blerjes së karburanteve për hekurudhën për vitin 2016. Vetë Policia e Shtetit do të blejë 4.16 miliardë lekë karburante, Garda e republikës 300 milionë lekë të vjetra karburant, ndërsa hekurudha do të marrë 1.1 miliardë lekë karburante. Por kjo sasi nuk ka shkuar në hekurudhë, mbasi nuk është bërë tenderi! Sipas njoftimi të bërë prej Ministrisë së Brendshme në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 9, datë 7 mars 2016, ofertat e këtij tenderi për blerje karburanti për hekurudhën do të nis në datën 18 prill 2016, ose 3 muaj e gjysmë pas fillimit të vitit kalendarik të fillimit të punës. Pra, në 18 prill 2016 hapen ofertat, por procedura ligjore e zyrtare e realizimit të blerjes bëhet deri në 2 muaj pas zhvillimit të tenderit, që do të thotë se hekurudha shqiptare e mbetur pa karburant, të furnizohet me naftë vetëm në 6 mujorin e dytë të vitit! Ndërkohë që ky furnizim me naftë, ka lidhje me një skandal tjetër po me këtë njoftim tenderi, ku thuhet se kontrata do të ketë fuqi nga lidhja e saj, deri në 31.12. 2016, pra vetëm për 6 muaj naftë për hekurudhën. Sipas logjikës, Hekurudha Shqiptare e cila nuk ka lekë as për të blerë “1 lapës” e që është zhytur në borxhe sa 10 vlera e saj, trenat në Shqipëri, do të lëvizin në muajin korrik 2016! 
—————————————————————
Ja njoftimi tenderit për blerjen e naftës për hekurudhën që nis në 18 prill 2016 dhe përfundon në 1 korrik 2016
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTORIA E PROKURIMEVE TË PËRQENDRUAR 
Autoriteti kontraktor, adresa, nr. tel: Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, Sheshi “Skënderbej”, Nr.3, Tel 04224403. Tirane 
Lloji i procedures së prokurimit: ”Procedurë e Hapur mbi kufirin e lartë monetar”, Prokurim elektronik Objekti i prokurimit të kontratës: “Furnizim me karburante në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë” 
Fondi limit total: 1 377 213 804 (një miliardë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e katër) lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, ndarë në lote si më poshtë: 
Loti I “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Diesel (Gazoil)” me fond limit 934 374 700 lekë pa tvsh. 
Loti II “Furnizim me lëndë djegëse të lëngëta për përdorim termik civil dhe industrial” me fond limit 75 804 930 lekë pa TVSH. 
Loti III “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Benzine pa plumb” me fond limit 276 772 068 lekë pa tvsh. Loti IV “Furnizim me naftë F-76 (Klasa F)” me fond limit 90 262 106 lekë pa TVSH. 
Afati për ekzekutimin e kontratës: nga data e lidhjes së kontratës, deri në 31.12. 2016 
Data e zhvillimit të tenderit: Data:18 /04/2016 Ora: 11:00, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara. 
Afati i fundit për pranimin e dokumenteve Data: 18/04/2016, Ora: 11:00 
Sigal