Pavlo Shkarpa: Kryeministri Rama ka ide për Beratin, por s’ka gjetur menaxherët e duhur

757
Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja. Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”. Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia. Qyteti i Beratit përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit, kjo për faktin se Berati promovon turizmin kulturor. Berati vërtet nuk është qytet bregdetar, por ka një numër të madh monumentesh kulturore që janë pjesë e Trashëgiminë Kulturore Botërore. Ai është një qytet 2400-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO). Këto dhe pamja piktoreske e bëjnë Beratin një qytet me histori, vlera dhe kulturë të pasur. Po cilat janë problemet e qytetit sot? A gjejnë turistët ato që dëshirojnë në qytet? Cili është problemi më akut në Berat sot?
Në disa televizione ju keni bërë publike se Kryeministri Rama ka ide, ka mendim, dhe po punon për një imazh tjetër të qyteteve kryesore, por në fakt çfarë ndodh?
Ndodh ajo, që, ato ide që ka Kryeministri nuk i zbatojnë dot ata që janë në bazë, ata që drejtojnë pushtetin vendor, pasi nuk kanë aftësi menaxhuese. Punë të tilla duan menaxhues të zotë, që ti përgjigjen kohës.
Cilat janë aktualisht problemet e qytetit 2600 vjeçar të Beratit?
Berati ka një sërë problemesh të mprehta që në fakt duan vëmendjen e pushtetit vendor, por më shumë të pushtetit qendror. Nuk mund të flitet në Berat të ndërtohet një ishull në lumin Osum kur aktualisht aty mund të digjet Mangalemi. Nuk mund të flitet në Berat se do të kthehen në indetitet shumë gjëra, kur në Berat rrugët brenda lagjeve, apo pranë banesave karakteristike janë të shkatërruara. Nuk mund të flitet në Berat për investime moderne kur trashëgimia kulturore e Beratit është në pikëpyetje. Shihet se janë ndaluar ndërtimet në lagjen Gorricë, Mangalem, kur duhet të bëhen të studiuara.
Ju i keni ngritur këto probleme?
Unë sapo i nisa problemet dhe mund të them se shoqata jonë i ka bërë kudo prezent, por zëri i beratasve në qeveritë e deridjeshme ka qenë një zë shumë i largët. 
Kush është problemi më pikant?
Problemi më madhor është sistemimi dhe punimet në lumin Osum. Përpos saj i duhet një sistemim i studiuar i unazës së qytetit. Lidhja me infrastrukturën nacionale me parametra bashkëkohore, pra integrimi me të në mënyrë të plotë. Deri tani mungesa e kësaj infrastrukture ka bërë që Berati të jetë një xhep përsa i përket infrastrukturës. U la përgjysmë rruga që të çon në Memaliaj. Nuk po shikoj të ndërtohen në Berat ato gjëra që ka nevojë qyteti brenda apo në rrethinat e tij. 
Pse vjen ky nënvleftësim?
Ka ardhur pasi të gjithë deputetët e PD dhe të PS në vitet e kaluara nuk kanë qenë nga Berati dhe nuk e akne njohur Beratin. Ata janë nga Tirana, apo banojnë aty dhe nuk jetojnë me shqetësimet e përditshme të qytetit. S’ka nevojë për emra.
Çfarë do të ishte me interes në këto momente të ndërtohej në Berat?
Për mendimin tim dhe të shoqatës tonë do të ishte me interes të ndërtohej një Akademi e Arteve Restautore që ne ja bëmë prezent ish kryetarit të parë Nasufi.
Çfarë kishte në themel kjo Akademi?
Kjo Akademi do të mirrej me restaurimin dhe ngjalljen e gjithë trashëgimisë dhe zanateve që kanë ekzistuar në Berat, që nga argjendaritë, filigrami, punimi gurit, punimi drurit. Këto janë shtyllat ku është ndërtuar dhe ka mbijetuar Berati në shekuj?/
Kush janë këto shtylla?
Shtylla e zejtarisë, turizmit, shkenca- arsimi dhe agrikultura. Me këtu shtylla ka lulëzuar Berati dhe me to do zhvillohet, përndryshe ai do të kthehet në një qytet të tharë, të thatë. 
A vijnë aktualisht turistë në Berat?
Po, vijnë dhe po shtohen, por lind pyetja çfarë blejnë në zejet e Beratit? Asgjë nga zejtaria. Blejnë domate të mira, djathë të mirë ëpr të mos ngrënë bukë në restorant. Kjo është e dhimbshme. Por të kishte zejtari sa lekë do të thitheshin?
Çfarë rreziku ka sot Berati?
E them me bindje se nis nuk meren masa Berati nuk do të jetë më pjesë e UNESCO. Nga Berati vijnë lajme të frikshme. Po miren gurët e kalasë dhe po shemben themelet e saj. Është katastrofike dhe duhet të ndërhyhet menjëherë.
Në Berat është propaganduar pedonalja. Cili është mendimi juaj për të?
Ajo pedanole nuk i shkon për shtat Beratit. Nuk ka një ngrohtësi mes antikitetit dhe të sotmes, apo një harmoni mes lagjes Kala, Mangalem dhe Goricë.. Një pedonale që sa herë ka rënë shi përmbytet. Pra kjo pedonale nuk është funksionale.
Po ti hedhim sytë në të kaluarën çfarë është larguar nga Berati i sotëm?
Eh, gjithë ajo trashëgimi e madhe kulturore, materiale, shpirtërore, që ishte burim i madh nuk ekziston. Pra kryesorja është zejtaria në funksion të turizmit. Sot vijnë kategori të ndryshme turistësh që kërkojnë diçka të veçantë por nuk e gjejnë. Ne që jemi nga Berati, ne që e njohim Beratin po shohim se po i ikin shumë vlera që i ka pasur si thesare të trashëgimisë.
Nga zejtarët e parë Beratas, kë do të veçoje?
Akathangjel Mbrica që bënte punimet më të bukura në filigram të punimeve artizanale. Punimet e tij shkonin vazhdimisht me porosi në Serbi. Vetë Krajlët serb dhe të Malit të Zi, jepnin porosi të majme dhe specifike për ti prodhuar mjeshtri ynë me famë në Ballkan dhe më gjerë. Ishte njëshi i argjendarisë, ku Berati ishte qendra. Maqedonasit vinin për të mësuar por edhe për të porositur në Berat.
Berati ka shumë figura, a janë vlerësuar?
Hëm…! Ky është nj problem me vete. Të numërosh figurat historike, patriotike, shkencore të Beratit duhen kohë. Por unë do të përmend vetëm dy. Vexhi Buharaja dhe Babë Dud Karbunara. Dy figura emblematike jo vetëm për Beratin por për gjithë kombin shqiptar. Ata janë lënë në heshtje, janë lënë në harresë. Para disa kohësh ne i bëmë kërkesë Presidentin Nishani që këto dy figura të shpalleshin “ Nderi i Kombit” por Presidenti, as denjoi fare të kthente përgjigje. Kjo nuk është e drejtë. Ne këtu jemi dhe shikojmë se çfarë dekorohen dhe kush merr vlerësime.
Në këto momente çfarë do më shumë Berati?
Berati do lekë, shumë lekë, por në radhë të parë do njerëz që e duan Beratin. Dhe kush më shumë se vendasit e do më shumë Beratin? Pra Berati duhet të shkojë në origjinë, tek kalaja e bukur e restauruar, tek ndërtesat e restauruara, tek Ura që po shkatërrohet, tek dyqanet e zejtarisë. Nqs do të punohet me këtë frymë, Berati mund të marrë lekë por mund të nxjerrë dhjetë herë më shumë se merr. Pra duhet një politikëbërje reale dhe njerëz të përkushtuar. Ndryshe lekët do vijnë por do përfundojnë në Osum. Berati ka djem që e duan qytetin, por nuk u japin shansin të vënë ën provë aftësitë e tyre dhe dashurinë për qytetin e bardhë. Pra për mua ai nuk është vetëm qyteti i i një e mbi një dritareve por edhe qyteti i bardhë, pasi të gjitha ndërtesat e mëparshme janë ndërtuar me një gur të rrallë të bardhë që gjendet vetëm në rrethinat e qytetit tonë të bukur dhe plot madhështi. Duajeni Beratin, pasi ai do ju lartësojë.
Sigal