Patriotë të harruar, Petraq Katro

1571
Gaqo VESHI
Në vargun e patriotwve të harruar është edhe Petraq Spiro Katro. Ai ka lindur në Lavdar të Oparit, rrethi i Korçës, më 29 qershor 1892 dhe vdiq në Korçë, më 9 maj 1967. Familja e tij, sidomos i ati, Spiro Katroja, ishte një patriot që ka dhënë një kontribut të veçantë për hapjen e shkollës shqipe në Lavdar të Oparit, në vitin 1899 dhe ndërmarrjen e Nuçi Naçit, më 1901 në krahinën e tij, duke e shoqëruar në të gjitha fshatrat e krahinës. Petraqi, mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj shkoi në Selanik të Greqisë, ku mbaroi shkollën tregtare. Ai ka qenë një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen patriotike në Opar, në Korçë e m gjerë. Pas pavarësi mori pjesë me armë në dorë në çetën e Sali Butkës, duke qenë sekretar i tij. Petraqi ka qenë një intelektual i përgatitur. Ai për dy vjet ka drejtuar gazetën “Zëri i Popullit”, që dilte në Korçë gjatë viteve 1934-1935. Ishte një antifashist aq i spikatur, sa kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, më 7 prill 1939, internohet nga pushtuesit në Ventotene të Italisë, bashkë me patriotë tjerë, siç ishin profesorët Petra Pepo, Abas Ermenji. .Duke qenë për disa vite sekretar i Sali Butkës, si njeri prej dëshmitarëve okularë, ka përshkruar gjithë aktivitetin e kësaj çete patriotike e sidomos kundër andartëve grekë. Nga shënimet e lëna prej tij në një fletore prej më shumë se njëqind faqesh, po botojmë një pjesë, ku autori flet për organizimin vendor në krahinën e Oparit dhe për luftën dhe djegien e Voskopojës, në tetor të vitit 1916.
E mërkurë, 12 tetor 1916
Pas dite Sali Butka erdhi në Lavdar, ku u prit me përzemërsi nga të gjithë fshatarët dhe u vendos në shtëpinë e xha Josifit. Të gjithë shokët e tij i vendosi fshati në shtëpitë e tyre. Mësuesi i fshatit, patrioti Kristaq Xega, shoqëroi Sali Butkën gjatë gjithë kohës që ndenji atje dhe i dha gjithë informacionin e nevojshëm. Ditën e enjte, më 13 tetor, erdha dhe unë nga Berati dhe e takova Salinë në shtëpinë time, te plaku dhe i raportova për të gjitha porositë, që më kishte besuar. Saliu më tregoi se çfarë kishte ngjarë. Më tha se kishte dërguar një letër në Voskopojë dhe se ora orës prisnin përgjigje. Lexova kopjen e letrës, të cilën po e shënoj më poshtë:

Lavdar, 13 tetor 1916
Katundarisë të fshatit Voskopojë
Me vendim të qeverisë shqiptare, jemi të detyruar të kalojmë përmes Voskopojës për të vajtur në Korçë. Prandaj u lutemi shumë të mos bëni kundërshtim dhe të mos bëheni shkaktarë të bëjmë luftë në mes tonë pa pasur ndonjë dobi, Po të na kundërshtoni do të jeni përgjegjës, se nesër do të jetë vonë.

Komandant i çetave shqiptare
Sali Butka
Atë mbrëmje erdhi edhe Mehmet Dushari e të tjerë nga paria e Oparit dhe filluam bisedimet për të organizuar krahinën. Saliu donte të emëronte krahinar një nga fshati Lavdar, por unë propozova Mehmet Dusharin, si njëri me influencë dhe sekretar Ktristaq Xegën, patriot me kulturë dhe eksperiencë, të cilët u pranuan. U bë një listë prej 30 xhandarësh. Saliu donte të caktonte komandant të tyre Pandeli Leço Karbanjozin, por ky nuk pranoi, duke shfaqur dëshirën të vinte me çetën dhe kështu Saliu e emëroi kapter. Gjithashtu emëroi kapter edhe Asllan Gurrën, një djalë trim dhe aktiv. Në këto bisedime, arriti njeriu nga Voskopoja, që dorëzoi një letër të shkruar greqisht. Përkthimi në shqip është ky:

Voskopojë, 13 tetor 1916
Kryetarit të çetave, Sali Butkës.
Letra juaj drejtuar pleqësisë të Voskopojës, ra në duart tona e gjetur në xhepin e dërguesit tuaj. U lajmërojmë në formë të prerë dhe kategorikisht mos guxoni të vini në Voskopojë ku gjendet ushtria greke e mbrojtjes kombëtare, ku do të gjeni të radhitura forcat luftarake.

Në këto çaste vjen Gaqi Lenoja nga Lavdari. Mua më erdhi ndërmend, se ky ishte nip i Dallamangos, i parisë të Voskopojës. Menjëherë hyra brenda dhe i thashë Plakut, që të dërgohej ky në Voskopojë. Sali Butka ishte dakord dhe më 14 tetor 1916, e nisëm me letrën e dytë, me këtë tekst:

Zotit Bitri Dallamango dhe pleqërisë të Voskopojës.
Ne i dërguam një letër pleqësisë së Voskopojës, duke i thëne hiqni ata pak andartë që keni dhe mos u mundoni të kundërshtoni, se çdo kundërshtim do të jetë në dëmin tuaj, sepse do të vijmë me çdo therori për të vazhduar rrugën për në Korçë. Dhe kështu ne plotësojmë misionin tonë të shenjtë. Po të doni se ju do ta kuptoni interesin tuaj dhe të Voskopojës, të ngrini flamurin shqiptar të Skënderbeut. Nuk do të hyjë asnjë komit nga çetat tona, përveç Qazim Panaritit me 10 shokë, i cili është urdhëruar që, në marrëveshje me ju, të emëroni një krahinar vendas dhe një numër xhandarësh prapë nga fshati juaj për të mbajtur rregullin dhe qetësinë në Voskopojë. Për çdo kundërshtim përgjegjësia u mbetet juve.

Me nderime.
Komandant i çetave shqiptare.
Sali Butka
Kështu që u nisëm për në Gjergjevicë dhe Gaqi Lenoja për në Voskopojë, me porosi që përgjigjen ta sillte atje, jo më vonë se nesër më drekë. Kështu që ditën e shtunë erdhi Gaqi Lenoja me përgjigjen me letër të mbyllur. E hapa me të shpejtë dhe lexova greqisht, që në përkthimin shqip thoshte:
Katundaria e Voskopojës, më 14 tetor 1916

Zotit Sali Butka
Morëm letrën tuaj, ju lajmërojmë dhe duhet ta dini se nuk do të lejojmë kurrë, se është gjynah që këmba e ndyrë shqiptare të shkelë në Voskopojën greke. Nuk do të pranojmë kurrë flamur, veç atij grek.

Kryeplaku i katundarisë Voskopojë
Lluka Fundo.
Letra u lexua, përshtypja qe e hidhur dhe u tronditëm. Gaqi na tha se dhëndri i Bitrit, që ishte grek, pasi e lexoi letrën e mori dhe doli jashtë. Bitri ka qenë një plak i urtë pasanik dhe i ndershëm, me mentalitet shumë të kufizuar, i padjallëzuar, por i mungonte guximi dhe iniciativa. Pas dy orësh erdhi Foqa (dhëndri i Bitrit), thotë Gaqi, dhe më dorëzoi një zarf me porosi, që t’ia dorëzoja Sali Butkës. Kjo letër solli një përmbysje të plotë. Tani duhej bërë një program tjetër i studiuar mirë. Të gjithë ishin gati. Saliu thirri Qazim Panaritin dhe Hysenin e shtruan planin e veprimit. U vendos që Hyseni dhe Asllan Gurra, me 150 vetë të merrnin anën e djathtë dhe të delnin në Kostamando, në drejtim të Zhomrrit. Çeta e Demir Braçes me 50 vetë të delte në Shën Prodhom e të bashkohej me çetën e Kajo Babienit. Vetë Plaku me çetën e Qazim Panaritit, më 250 vetë, të merrnin rrugën e karvanit e të dilnin në Shëndëlli, që dominonte gjithë Voskopojën.Më 16 tetor çetat nisen për në Voskopojë. Ditën e diel, kur akoma nuk ishte hapur dita, çetat ngarkuan të gjitha municionet dhe u nisën, secila në drejtimin e caktuar. Unë shkova në Lavdar për të rregulluar gjendjen e krahinës. Me të arritur çetat te Kullat e Gjergjevicës, u dëgjuan krismat e para të pushkëve nga ana e andartëve grekë, por çetat nuk iu përgjigjën, se kundërshtimi ishte sa për formë, sepse pas gjysmë ore andartët u larguan. Sipas planit, Hyseni arriti më Zhomërr pa gjetur asnjë kundërshtim. Vetë Plaku me Qazim Panaritin, pas një përpjekje dy orësh, pushtojnë bregun e Shëndëllisë. Atë ditë, për fat të keq të voskopojarëve erdhën nga Korça 200 kalorës francezë për një shëtitje. Kjo vizitë, që kondicionoi me ardhjen e çetave, u dha një kurajë të madhe andartëve dhe u propagandua se këta kishin ardhur apostafat në ndihmë të andartëve. Sali Butka lajmëroi më njëherë Hysenin, i cili po bllokonte rrugën e Korçës, të mos goditej me francezët e ta linte rrugën e lirë që të shkonin. Francezët, pas një çlodhjeje prej dy orësh dhe si u vunë tagji kuajve, shkuan të qetë për në Korçë. Siç dihet, Voskopoja kishte shumë gërmadha si fortesa natyrale, të cilat zbraznin pushkë vazhdimisht. Saliu me Qazimin, në mes të një breshërie plumbash, zbritën për në fshat e u afruan pranë disa plevicave. Për të trembur e dekurajuar armikun, i vunë zjarrin një plevice të Onço Dalltës. Lufta vazhdoi me tërbim në mëhallën e parë të rrugës, që shkon për në Opar. Një luftë jo e organizuar, që vinte nga drejtime të ndryshme e veçanërisht nga dritaret e shtëpive. Zjarri i plevicës dhe alarmi në familjet bënë një konfuzion të madh, Shumica e voskopojarëve, të cilët ishin kundër rezistencës, dëshironin dhe kërkonin të dorëzohej fshati, por fuqia ishte në duart e andartëve e të ardhurve. Filloi të errej dhe zbrazja e pushkëve vazhdonte. Qysh në mbrëmje u duken disa fshatarë të armatosur me pushkë, sëpata e thasë, që vinin rreth shtëpive të para. Zjarri u vu në disa shtëpi nga këta plaçkaxhinj që atë natë. Të nesërmen që në mëngjes lufta vazhdonte nga të gjitha shtëpitë, ku ishin fortifikuar nga armiku. Sali Butka, përmes plumbave vazhdoi rrugën për në fshat dhe arriti te çezma, karshi shtëpive të fundollarëve. Këtu shpëtoi për mrekulli, se i vjen një batare plumbash nga dritarja dhe i vritet një djalë i ri, i cili bie i vdekur te këmbët e tij. Nga ana e Zhomrrit vepronte Hyseni, nga ana e Shën Prodhomit, kapedan Kajo Babjeni me Zenel Braçen. Rezistenca më e madhe u zhvillua në shtëpinë e Ilo Ziut, ku ishin grumbulluar shumica e kundërshtarëve. Gjithë ditën e hënë luftimet u zhvilluan nga dritaret e shtëpive. Plaçkaxhinjtë po shtoheshin e po u vinin zjarrin shtëpive. Sali Butka u dërgoi çetave parullën e natës, që të vazhdonin me kujdes luftën kundër armikut dhe të largonin me çdo mënyrë plaçkaxhinjtë. Kur u bë natë Plaku dërgoi Pasho Krushovën të shkonte e të kontrollonte ku ishin shokët e çetave të tjera. Por ky u vonua shumë se rruga ishte zënë nga plaçkaxhinjtë, të cilët kishin marrë edhe parullën e çetave, aq sa nuk shquheshin dot, cilët ishin shokët e çetave e cilët ishin hajdutët.


Sigal