Patentat e reja, kriteret për të rinjtë mbi 16 vjeç, për moshat dhe kategoritë e tjera

2272
Sigal

Drejtuesit e Shërbimit të Transportit Rrugor Shqiptar, kujtojnë zbatimin e vendimit të ri për mënyrën dhe kriteret e pajisjes me leje drejtimi të re për automjetet, duke përcaktuar tarifat e reja të shërbimit për testimin dhe pajisjen me leje drejtimi, të cilat nuk ndryshojnë. Ajo që ndryshon është mosha e pajisjes me patentë drejtimi automjeti. Një patentë e veçantë, do të jetë për moshat mbi 16-vjeç. Sipas bisedës me drejtorin e përgjithshëm të transportit rrugor, zoti Ylli Spahiu, mësohet se duke nisur prej datës 1 Janar 2017, regjistrimi dhe testimi i kandidatëve për leje drejtimi automjetesh, po bëhet përmes aplikimit të një sistemi të ri vlerësimi e certifikimi. Patenta e re ka një kategorizim më të detajuar për drejtues të mjeteve të ndryshme, si dhe ka më shumë elementë sigurie. Po sipas drejtuesve të Shërbimit të Transportit Rrugor, leja e drejtimit të kategorisë AM jepet për personat me moshë mbi 16-vjeç, të cilët kanë të drejtën të drejtojnë çiklomotorë, mjete me motor me fuqi deri në 50 kubikë dhe që realizojnë shpejtësi deri në 25 deri në 45 km/orë. Personi duhet të pajiset me çertifikatë mjekësore dhe duhet të paraqitet pranë zyrave të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor për tu regjistruar. Pas regjistrimit futet në provimin e teorisë, dhe nëse e fiton pajiset me leje drejtimi. Kush do të drejtojë makinë automatike mund të marrë një patentë të posaçme më lehtë se sa makina standarde, por nuk mund të drejtojë makina të tjera. Lejet aktuale të drejtimit do jenë të vlefshme deri në përfundim të afatit të saj. Lejet e reja të drejtimit, sipas përfaqësuesve të shërbimit të transportit rrugor, krijojnë kushtet për t’u njohur më vonë edhe në shtetet e Bashkimit Evropian.