Patatja mbetet stok në Korçë, fermerët i ziejnë dhe ua japin bagëtive: Shteti të ndërhyjë urgjent

768
Prodhimi i fermerëve të fushës së Korçës mbetet stok. Mungesa e tregut po i çon ata drejt falimentimit. Mijëra tonelata patate të prodhuara në rrethin e Korçës kanë ngelur pa u shitur dhe kjo ka sjellë reagimin e banorëve. Një pjesë të tyre fermerët e ziejnë dhe ua japin për ushqim viçave.
Të shqetësuar për faktin se prodhimet e tyre nuk po shiten dhe të shpërfillur nga qeveria pasi askush nuk iu vjen në ndihmë, banorët e fshatit Orman shprehen se tregu vendas është tejngopur nga produktet e shteteve të huaja dhe prodhimet nga tokat e tyre po përfundojnë në ushqim për gjedhët.
Banorët kanë hedhur akuza drejt qeverisë duke thënë se nuk përfillen në asnjë moment përveçse në kohë fushate. Nëse situata vazhdon e njëjtë, banorët shprehen se nuk do të jenë më në gjendje të kultivojnë tokat e tyre.
Mungesa e tregut ka ekzistuar prej disa vitesh në fshatrat e rrethit të Korçës dhe ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje. Të lënë në mëshirë të fatit, banorët apelojnë për ndihmë dukë kërkuar që qeveritarët të shohin nga afër gjendjen e tyre.


Sigal