Pasuri peshqish nga më të rrallët në Ballkan

2886
Laguna e Karavastasë ndodhet në afërsi të Lushnjës. Karavastaja bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. Është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, me sipërfaqe 4330 ha, gjatësi 10.6 km, gjerësi 4.3 km dhe thellësi deri në 1.5 m. Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Zona është formuar kryesisht prej depozitimeve ranore dhe argjilore të Kuaternarit. Në jug të grykëderdhjes së Shkumbinit paralel me depozitimet ranore dhe gjysmë ranore shfaqen depozitime të Kuaternarit, ndërsa rreth lagunës së Karavastasë gjenden depozitime moçalore argjilore, gjysmë ranore dhe gjysmë argjilore. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë. Gjatë një cikli të baticë-zbaticës, shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel (pelicanus crispus), me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore. Supozohet se 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallëndysheve të detit.
Laguna e Karavastasë nën mbrojtjen ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit
Laguna e Karavastasë ka një sipërfaqe prej 4.330 hektarë duke përbërë në këtë mënyrë lagunën më të madhe të gjithë bregdetit shqiptar. Ajo përbën një prej 12 Parqeve Kombëtare që ka Shqipëria dhe për nga vlerat e bio-diversitetit ka një rëndësi të veçantë. Laguna e Karavastasë është pika me perëndimore në Europë, ku pelikani kaçurrel ngre folenë (pelicanus crispus). Këtu gjendet 5 % e popullimit të tij botëror. Për këto vlera që prej vitit 1994 laguna e Karavastasë ndodhet nën ruajtjen ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit. Është një eksperiencë mjaft interesante observimi i këtyre pelikanëve nëse afroheni me varkë pranë një ishulli në lagunë ku ata ulen zakonisht. Në këtë eko-sistem gjenden 210 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje reptilësh. Ujërat e lagunës të cilat arrijnë thellësi maksimale 1.5 metra janë të pasur me peshq, ku zëniet kryesore janë qefulli dhe ngjala të cilët ofrohen në restorantet e shumtë të plazhit të Divjakës. Bimësia e Parkut Kombëtar të Divjakës shquhet për bukurinë dhe freskinë e veçantë. Këtu mbizotërojnë sipërfaqet me halorë, me pishë të butë dhe të egër. Bien në sy pishat me kurorë të gjerë në formë ombrellë. Pylli është me kate, duke filluar që nga bimët barishtore e deri tek drurët e lartë. Bien në sy shoqërimet me frashër, bredh etj. Plazhi i Divjakës ka rërë me përmbajtje të konsiderueshme jodi dhe temperaturat mbi 20 gradë C, që fillojnë nga gjysma e dytë e majit dhe vazhdojnë deri në prag të tetorit. Kjo është një zonë ku kombinohen aktivitetet e plazhit me eko-turizmin. Grykëderdhja e lumit Vjosë që ndodhet më në jug përbën një zonë të mbrojtur natyrore në të dyja anët e lumit që quhet zona e Pishë Poros Fier dhe Vlorë. Kjo është një zonë natyrore me pisha bregdetare, plazhe ranore të veçuar si dhe vend i volitshëm folezimi për shpendët ujorë. Në brendësi të lagunës si rezultat i prurjes së kufizuar të ujit të freskët, flora (veçanërisht Fanerogamet) është mjaft e rrallë. Midis tyre përmendim Rupia e përdredhur dhe Leshteriku i Noltit, që formojnë grupime në ujëra të cekëta (20-30cm) me livadhe të veçuara nëndetare. Komuniteti i Algave përfaqësohet nga shoqërime të (Chaetomorpha linium), (Cladophora, Cistoseria). Në fund të lagunës gjenden sasi të mëdha kërmijsh dhe dykapakorësh, si dhe midhje. 
Llojet unikë të peshqve që rriten në Lagunën e Karavastasë
Në lagunat e shumta të parkut mund të gjejmë llojet të ndryshme peshqish, të cilët janë të dallueshëm për nga cilësia dhe shija e tyre, që pak ose aspak mund të gjenden në zona të tjera të Shqipërisë. Llojet e peshqve janë: Qefulli i verës, Qefulli i vjeshtës, Veshari, Qefull, Qefulli i dimrit, Ngjala, Aterina, Levreku, Koca, Burdullaku dhe Celiku. 
Levreku
Levreku është një ndër peshqit më të shijshëm që rritet në këtë lagunë. Gjendet më së shumti në muajt e dimrit. Ushqehet me peshq të tjerë, qefull, shtiza etj. Arrin peshën deri në 14 kg. Kur është i vogël, rreth 300 gram, ka mbi trup pika të zeza të çrregullta, të cilat zhduken kur rritet. Kur është me pika, peshkatarët e quajnë çafër. Është një gjuetar i pamëshirshëm, i cili ushqehet pothuajse vetëm me peshq të gjallë, kur gjuhet me grep (bëhet fjalë për ekzemplarët e mëdhenj), duhet të gjuhet me peshk të gjallë. Mbas viti 1997 është pakësuar shumë, si pasojë e gjuetisë në mënyrë të paligjshme me dinamit. Noton në fund të detit, ku lëshon dhe vezët në muajt shkurt-mars dhe ikën disa kilometra në grykën e lumenjve, por jo aq sa qefulli. Ky lloj peshku ka mish të bardhë dhe të shijshëm. 
Qefulli
Peshk i ujërave të kripura, me kokë të gjerë e me luspa blu të errëta dhe të argjendta. Qefulli është peshk i ujërave të kripura që gjendet si në detin Jon ashtu dhe në detin Adriatik, si dhe në këtë lagunë. Jeton në tufa, dhe arrin peshën deri në 5 kg. Në Shqipëri numërohen rreth 8 lloje qefujsh si: Cumra, kryeholli, kryeziu, veshverdhi, qefulli me buze etj. Specia është e përhapur kryesisht në ujërat tropikale dhe subtropikale me temperatura të ngrohta. Është karakteristike për ketë specie të rritet në ujëra me kripura të ndryshueshme, siç janë dajlanët, kënetat, lagunat, si ajo e Karavastasë dhe grykëderdhjet e lumenjve. Qefulli ekziston në disa lloje të ndryshme te tij. Të zakonshëm janë llojet e kësaj specie që në zhargonin e peshkatarëve te brigjeve tona quhen:
Qefulli gushtak
Shtrihet thuajse në gjithë vijën e bregdetit tonë, ka karakteristike të ngjashme me peshqit e tjerë të të njëjtit lloj, por gjendet më shumë në periudhën e muajit gusht. Është mjaft i populluar në lagunën e Karavastasë.
Qefulli i lagunave 
Rritet në ujërat e lagunave, siç janë ato të Karavastasë, Butrintit, Nartës dhe në grykëderdhjet e lumenjve apo kanaleve të ndryshme. Qefulli ka një trup thuajse cilindrik me formë të mprehtë të kokës, me shume luspa. Spektri i ngjyrave të lëkurës nis nga bluja e grija e erret në kurriz vazhdon e argjendtë dhe përfundon e bardhe në pjesën e poshtme të trupit. Ushqehet pothuajse me gjithçka, gjithashtu është ushqim për shumë grabitqare, peshq të llojeve të tjera. Gjendet pothuajse gjatë gjithë vitit në afërsi të brigjeve, por noton disa kilometra edhe nëpër grykat e lumenjve. Ka mish të shijshëm, i cili varjon nga vendi ku gjuhet. Është peshk që përshtatet shumë mire me kushtet, në këtë rast në lagunën e Karavastasë.
Ngjala
Është peshk me trup të zgjatur, dhe mund të rritet deri në gjatësinë 2-3 m. Ka mbi 800 lloje ngjalash, dhe shumica prej tyre jetojnë në ujërat e kripura të deteve e oqeaneve, por lloji më i njohur është ai rendit (Anguilla), të cilët jetojnë në ujëra të ëmbla dhe kthehen në detet e oqeane për t’u shumuar. Kjo lloj ngjale rritet në lagunën e Karavastasë dhe është lloj mjaft i veçantë.
Fauna e papërsëritshme
Kafsha që haset më shpesh është lepuri i egër. Kur hyn brenda rezervatit çdokush mund të gjej një Baldosë, nuselale, dhelpër, shqarth dhe disa lloje lakuriqësh nate, që rezultojnë si specie të rrezikuara. E rëndësisë së veçantë është për zonën është dhe shfaqja e buallit të ujit. Pylli ka një faunë të pasur. Përveç pulave dhe zogjve të ujit një listë e gjatë speciesh është e lidhur me pyllin. Pëllumbi i egër, gugashi, qukapiku i gjelbër, dervishi, bengu, bilbili, fshikullues. Mund të ndeshni me shumicë zvarranikë dhe amfibë si: breshka e ujit, breshka e zakonshme, bolla me katër vija, bullari, triton i zakonshëm, salamandra, bretkosa e drurëve, bretkosa, thithëlopa, zhaba e gjelbër. Pylli ka njëkohësisht një entomofaunë karakteristikë me mushkonja Culex dhe Anopheles, që janë të shumta në periudhën e verës. Ekosistemet e ujërave të ëmbla formohen prej grykëderdhjeve të lumenjve Shkumbin dhe Seman si dhe nga dy kanale kryesore bonifikues të Tërbufit dhe Myzeqesë. Prurjet e lumit karakterizohen nga një lloj flore shumë të pasur dhe interesante. Përgjatë brezit të poshtëm të lumit të Shkumbinit është krijuar një mjedis natyror me diversitet shumë të lartë në të cilin specie të ndryshme bimore (halofite, hidrofile). Këto e bëjnë këtë zonë një nga më tërheqëset për lloje të ndryshme zogjsh. Në lagunën e Karavastasë gjenden së paku 12 specie gjitarësh,16 specie zvarranikësh dhe amfibësh si dhe më tepër se 210 lloje zogjsh. 
Pelikani kaçurrel dhe zhdukja e llojit të tij në Lagunën e Karavastasë
Pelikani kaçurrel rritet në lagunën e Karavastasë dhe është një nga speciet e mbrojtura në Shqipëri si një atraksion turistik i veçantë i rajonit të Myzeqesë. Ky zog i madh, është më i madhi në llojet e pelikanëve si edhe një nga speciet e shpendëve më të mëdha që ekzistojnë sot. Studiuesit japin alarmin për zhdukjen e disa specieve të rralla të shpendëve dhe kafshëve edhe pse ato janë të mbrojtura nga një sërë konventash ndërkombëtare. Një prej tyre është pelikani kaçurrel, që mban këtë emër për shkak të një tufe puplash në kokën e tij, që i ngjasojnë kaçurrelave. Ai jeton në zonën e Karavastasë, ku edhe shumohet për të shtegtuar më pas në Nartë e deri në Shkodër. Pelikani i rrallë po shkon drejt zhdukjes. Peshkatarët e zonës së Nartës tregojnë se shpendët e rralle po shfarosen nga gjuetia e paligjshme. Por si pelikani kaçurrel ka edhe 90 lloje te tjerë te rrezikuar globalisht, për të cilët Shqipëria është një vend me rëndësi kritike. Gjithsej ne vendin tone numërohen 578 specie të mbrojtura në rrezik zhdukjeje.
Llojet e bimëve në Lagunën e Karavastasë
Në brendësi të zonës Divjake-Karavasta ndeshen ekosisteme të ndryshme të dallueshme, që mund të klasifikohen ne sisteme tokësore, ujërash të ëmbla dhe ligatinore. Brenda ekosistemit tokësor ndeshen duna ranore të dallueshme, pyje pishash Mesdhetare, Makie dhe friganas (shoqërime bimore mesdhetare). Dunat ranore nuk janë të mirë zhvilluara. Bimësia shfaqet në një distancë prej 15- 20 m nga bregdeti. Lloje të tilla si: Brokra Bregdetare, Këmbëkuqja, janë zëvendësuar gradualisht nga bimësi tipike dune mbizotëruar me shumicë nga. Pylli Mesdhetar i pishave është vendosur në jug të deltës së Shkumbinit, deri në jug të deltës së lumit Seman, duke mbuluar një zonë prej rreth 1100 ha. Pylli i Divjakës përfaqëson një ekosistem të rëndësishëm dhe interesant, falë diversitetit të strukturës së tij dhe bukurisë së mjedisit shlodhëse. Fizionomia e këtij pylli është krijuar nga llojet e pishave, Pisha e egër dhe Pisha e Bute, të cilat tek tuk përzihen me pemë gjetherënëse dhe në veçanti Vidhin e vogël, Rrënjën, Plepin e bardhë, Verrin e zi. Shkurret, përfaqësohen nga lloje tipike Mesdhetare, të cilat, sipas rastit, formojnë kaçube shumë të dendura. Llojet më të përhapura të këtij formacioni shkurror janë: Mersina, Shqopa e egër, Xina, Dëllinja e Kuqe. Në shumicën e rasteve pylli shoqërohet me një numër lisnash si Morenxa e ashpër, Urthi, Kulpra e butë etj.
Statusi aktual i mbrojtjes së kësaj lagune
Laguna e Karavastasë e vlerësuar si një perlë midis lagunave të Europës për bukurinë e shumëllojshme biologjike, klimën dhe pastërtinë e mjedisit, është përfshirë në zona veçanërisht të mbrojtura. Kësaj zone i është caktuar fond i veçantë nga program PHARE, i cili do të shërbejë për ruajtjen dhe administrimin e drejtë të këtij ekosistemi, për njohjen e thellë të dukurive biologjike, hidrologjike, gjeomorfologjike të tij dhe për tu paraprirë projekteve e investimeve që harmonizojnë zhvillimin me mbrojtjen e mjedisit. Bashkëpunimi Ndërkombëtar i vendit tonë në fushën e mjedisit gjatë viteve 1992-1995 është zhvilluar në mënyrë intensive dhe ka dhënë rezultat. Këtu meriton të përmendet miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave i marrëveshjes me Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), si dhe me Bankën Botërore lidhur me studimet për programin e Administrimin e zonës bregdetare të Shqipërisë, si edhe i marrëveshjes për Mjedisin me Bashkimin Evropian. Ministria e Ambientit, Administrimit të Pyjeve dhe Ujërave nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimit Pyjor të Lushnjës është përgjegjës për drejtimin e Parkut Kombëtar të zonës Karavasta –Divjakë. Zona është përcaktuar Park Kombëtar që në vitin 1966, dhe me Vendimin e Qeverisë Nr. 687, datë 19.10.2007, zona e Parkut është zmadhuar deri në 22,230 ha. Aktivitete të tillë si peshkimi komercial janë të lejuara.
Sigal