Ç'pasuri fshihet nën patkoin Korfuz –Himarë?

Nga prof. Sazan GURI (Ing. gjeolog nafte) 

Askush nuk mund ta mohoje se qytetërimi industrial modern lidhet me naftën. Pa energji ''rrotat'' e ekonomisë nuk rrotullohen.....Nafta nuk është një produkt i zakonshëm, por një ''mjet strategjik'', që përdoret për pushtet politik. Këmbëngulja për të pasur nën kontroll rezervat e naftës ka qenë dhe mbetet shkaku i konflikteve dhe i vuajtjeve në midis popujve e shteteve, sidomos atyre fqinjë. Ndaj dhe përpjekjet greke kësaj rradhe nuk hasen në mina, por në hidrokarbure. Më saktë, këmbëngulja e tyre nuk është thjesht për një vijë të baraslarguar e të matshëm prej cepave shkëmborë të palëvizshëm të bregdetit shqiptar Himarë-Ksamil me ata të arqipelagut të Korfuzit, përfshi edhe dy-tre ishujt e vegjël në veri të tij. Janë këta ishuj, me anë të të cilëve pala greke kërkon të përfitojë sa të mundë territor detar, që dtth njëherësh pasuri hidrokarbure nëndetare. 

Fig. - 1 Paraqitje skematike e basenit karbonatik të Adriatikut jugor
Le të ndjekim hartën e ndërtuar nga autori i këtyre rreshtave, qysh përgjatë interpretimeve të profileve gjeologo-gjeofizikë (sizmike) për të pesta blloqet e detit, përfshi ato të kompanisë Hamilton Brothers me aktivitet në bllokun pesë (nga Karaburuni në Sarandë, v.2002). Duke folur në një gjuhë të thjeshtë, aq sa ta kuptojë, si gjyshja edhe ai me nëntëvjeçare, përqendrohuni fillimisht te ngjyra blu që tregon shtrirjen e basenit pellagjik (të thellë) të gëlqerorëve, i pa prekur nga lëvizjet tektonike malformuese, në të cilën nuk mendohet se kemi struktura naftëgazmbajtëse (Fig.-1). Për më tepër, gëlqerorë e ngjyrës blu ndodhen shumë thellë, mbi 8000-9000m (Fig.-2). Nga ana e majtë (perëndimore) e figurës -1 vërehet ngritja ose shpati karbonatik. Edhe ky, i parrudhosur, dhe pa interes për kërkime nafte e gazi në struktura gëlqerore (karbonatike). Më në perëndim akoma vjen zona preapuliane e quajtur si zonë me gëlqerorë të sedimentuar cekët miliona vjet përpara (mbi 60 milionë vjet), ku edhe këta janë të pa prekur nga forcat tektonike, por duke qenë se kanë kurthe dhe furnizim nga gëlqerorët që i rrethojnë poshtë e anash, si dhe kanë mbulesë me depozitime mollasike si kripra e argjila (të Mesinian –pliocenit) arrijnë të formojnë shtretër (objekte) me naftë. Dhe Italia ka gjetur dhe ka jo pak vendburime në këtë lloj gëlqerori. Për fat, kjo zonë ndodhet në kushte jo të thella detare, duke mos kërkuar kosto të mëdha për shpim kërkime detare. Zona më në perëndim akoma, si ajo apuliane, duke qenë se shfaqet (del) në sipërfaqe nuk ka mundur të mbajë shtresa me naftë, dhe kjo zonë krahasohet me zonën tonë nga Kruja deri në malet e Renc-Kakariqit, Lezhë. Tani shikoni me kujdes patkoin e Korfuz-Himarës, i cili jo rastësisht në figurën 1 paraqitet me ngjyrë portokalli si zona jonë naftëgazmbajtëse e quajtur zona tektono-strulturore Jonike, 
Fig. - 2 Profil tërthor gjeologo-gjeofizik tokë det i basenit karbonatik të Adriatikut jugor
sepse miliona vjet përpara kanë qenë pjesë e detit jonik, por tektonikat e prunë sot aty në Shqipërinë jugore, që nga lindja drejt perëndimit fillon me brezin antiklinal të Beratit, në të cilin ndodhen venburimet e njohura tashmë si ajo e Kuçovës, e Dumresë, e Shpiragut, dhe së fundi që po kërkohet ajo e Molishtit (Fig. -3, zona 1). Mandej, drejt perëndimit vazhdon me brezin antiklinal të Kurveleshit, në të cilin ndodhen vendburimet e naftës, si ajo e Ballsh-Hekalit, e Patos-Visokës, përfshi edhe atë të Marinzës (Fig.-3, zona 2). 

Fig. - 3 Skemë tektonike që tregon shtrirjen e brezave tektonikë të zonës Jonike nga ai i Beratit deri te ai i Korfuzit.
Më në perëndim akoma vazhdon brezin antiklinal i Çikës, në të cilin ndodhen vendburimet e Drashovicës, e Gorishtit, e Amonicës dhe në jug të tij shtrihet struktura antiklinale Sarandë-Delvinë-Sasaj, ku zë vend vendburimi i Delvinës (Fig.-3, zona 3). Të gjitha këto, pjesë përbërëse të zonës Jonike për sterenë shqiptare, e cila mbaron pastaj në det me brezin antiklinal si patkua të vargmaleve të Korfuzit, po e quajmë kështu, meqënëse ka edhe formën (Fig. – 3, zona 4). Por mos harroni se këto breza antiklinalë që përmendëm, jo më kot, janë që të gjitha linja nafte dhe gazi kondensat për formacionet karbonatike, pa folur për struktura gazmbajtje sipër tyre, si Divjaka, Frakulla, Panajaja, etj. 

Pra, brezi patkua i Korfuzit nuk ka asgjë ndryshe nga brezat simotra të tokës shqiptare. Sikundër tre brezat e tokës shqiptare që priten nga tektonika tërthore, si v.b. i Kuçovës në Elbasan, v.b. i Patosit në veri (Divjakë), dhe v.b. i Drashovicës në veri (Panaja), e quajtur e tëra, si tektonika tërthore Vlorë-Fier-Lushnje-Elbasan, edhe brezi i Korfuzit me linjat përkatëse antiklinale brenda vetes ndërpritet nga tektonika tërthore e quajtur Borsh-Kardhiq-Tepelenë (Fig.-4), që me anë të secilës, jo vetëm gjenerohen tërmete sizmikë, por edhe janë gjeneruar me kohëra gjeologjike sasira të mëdha nafte apo hidrokarbure. Janë këto sasi nafte të gjeneruara nga shkëmbinjtë gëlqerorë me ngjyrë blu drejt shkëmbinjve me ngjyrë portrokalli në hartë në formën e patkoit Korfuz-Himarë (linjat antiklinale brenda këtij patkoi – Fig.- 4), që duke qenë në formë antiklinale (male) dhe duke pasur mbulesa prej depozitimeve kripore, halite dhe argjila (të Mesinianit të sipërm) bëjnë që të kurthohet nafta e ardhur nga poshtë, sikundër në simotrat e tyre në tokën shqiptare me vendburimet tona të tokës që përmendëm më sipër. Pikërisht, për këtë zonë bregdetare në veriperëndim të Greqisë, Nikolaou K. A. (2001) ka studiuar dhe ka dhënë mjaft mirë treguesit për hidrokarbure, në pikpamje të origjinës dhe migrimit, duke përmendur edhe shenjat e hidrokarbureve në zonën e Paksosit ose Preapuliane, e cila përkon me platformën e Sazan-Karaburunit në vendin tonë. 


Fig. - 4 Skemë tektonike që tregon shtrirjen e njësive më të vogla tektonikë brenda brezave që përmbajnë struktura me naftë e gaz nga brenda steresë shqiptare deri në ato detare Korfuz-Himarë.
Studimet kanë çuar në zbulimin e mundësive të kurtheve strukturore e stratigrafike, si edhe të kualitetit të mirë të shkëmbinjve gjenerues, rezervuarëve dhe mbulesave. Të gjitha këto premisa të naftëgazmbajtjes, të cilat për analogji, janë të pranueshme edhe për strukturat ndën fundin e Detit Jon. Përafërsisht në Shqipëri, Qipron Greke dhe Izrael rezervat gjigande (dhe që priten të tjera) të gazit/gaz dhe naftë, janë gjetur në të njëjtat mosha gjeologjike. Po kështu dhe në shpatin e Siçili-Maltës. Prandaj, dhe garancia e gjetjes në bazë të studimeve të deritashme për këtë zonë është mbi 95%. Sipas revistës “EXPLORATION EUROPE“ të dhënat gjeologo-gjeofizike, dhe zonën e diskutueshme ne Detin Jon parashikohet zbulimi i vendburimeve të naftës, si ajo e Patos-Marinzës, Visokës, Cakranit, (nga më të mëdhenjt në tokë në Kontinentin Evropian) apo ai i Delvinës me gas kondesat. Besohet që ky bllok (patkoi Korfuz-Himarë, Fig.-5, dhe Blloku C i Fig.-6) mund të përmbajë 3.6 to 6 trillionë cubic feet (102 miliardë deri 170miliardë) metër kub gaz natyral. Ky zbulim mund të ketë një vlerë përafërsisht 129 miliardë USD (100 miliardë Euro), të mjaftueshëm për plotësimin e nevojave të vendit për prodhim energjie për 210 vjet. 

Fig. - 5 Profil gjologjik që tregon strukturat gëlqerore me naftë të tokës dhe vazhdimin e tyre me mundësi strukturimi dhe kurthimi me naftë drejt tabanit nëndetar nën patkoin Korfuz-Himarë. 
Duke shfrytëzuar të drejtat e Shelfit Kontinental të Zgjeruar (Extended Continental Shelf) që do ta diskutojmë në artikullin e dytë, Republika e Qipros (Qiprua greke) dhe Izraeli, në Detin Mesdhe kanë gjetur rezerva gjigande hidrokarburesh. Bloku 12 i Fushës së gazit Aphrodite (Aferdita) i Republikës së Qipros ndodhet 80 km larg bregut të qytetit Limosia, mbulon një sipërfaqe përafersisht 40 milje katrore (103.6km2 - 3.38 herë më e vogël se sipërfaqja që pretendohet nga Greqia në Detin Jon Shqiptar). 


Fig. - 6 Skema që tregon modelin tektonik të brezit strukturor të Korfuzit, i cili ndërpritet te shkëputja tërthore e Borsh Kardhiq-tepelenës, ç'ka jep ngjashmërinë me strukturat tona naftëmbajtëse në tokë që për shanc të mirë apo të keq është dhe 'molla e sherrit' midis kufijve të të dy shteteve.tej kësaj shkëputj tektonike, shkëmbinjt gëlqerorë zhyten në thellësi basenore dhe në thellësi detare, dhe nuk kanë pikë interesi veç ndonjë kërkimi të kurtheve të holla për gaz.
Thellësia e detit, ku u shpua pusi i parë (A-1) ishte rreth 1524m. Izraeli, në fushën gazmbajtëse Leviathan, me sipërfaqe rreth 325km2, në një thellësi uji rreth 1,670m ka gjetur gaz biogjenik dhe besohet se është e dhënë e mirë se më në thellësi do të ketë naftë thermogjene në sedimentet para kriprave. Vlerësohet se fusha përmban deri 20 tcf (trillionë cubic feet= 566. 337 miliardë metër kub rezerva gazi. Po këtu, në rërat e Tamar, të basenit Levant janë gjetur përafërsisht 8.0tcf (trillionë cubic feet = 226,534m3 gaz, si dhe disa fusha më të vogla. Pra, siç shihet qartë, këto nuk janë “marrëveshje xhentelmenësh”, por marrëveshje me rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe strategjike për të ardhmen e Shqipërisë, dhe si të tilla duhet të skanohen e të shihen me lente zmadhuese, siç thotë profesori Lirim Hoxha, në pikëpamje të pajtueshmërisë me Konventën e Komisionit mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, të Kombeve të Bashkuara, si dhe tek “Deklarata e Mirëkuptimit” të 29 Gushtit 1980. Kjo të bën që të mos lëshohet asnjë centimetër nga ato që jep OKB-ja dhe Komisionet Ndërkombëtare.