PASTRIMI I PARAVE TË KRIMIT NË SHQIPËRI

639
Sigal

Kursi i lekut shqiptar komandohet nga paratë e drogës

Bomba në mediat holandeze: Shqipëria është parajsa e pastrimit të parave të krimit

Media holandeze “Trouë” ka shkruar një artikull lidhur me rënien e vlerës së monedhës së euros, teksa e krahason me kursin e këmbimit në lekë. Kjo media holandeze del në përfundimin, se kursi i lekut shqiptar komandohet nga paratë e drogës.

Çfarë shkruhet në artikull

Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje prej rreth 4% në 2018-n, thotë Selami Xhepa, profesor i ekonomisë në Universitetin Evropian të Tiranës. Por kjo nuk mjafton për të shpjeguar vlerësimin spektakolar të monedhës. Teksa citon sërish Xhepën, media holandeze shkruan se “duhet të ketë pasur një rrjedhje të madhe informale të fondeve, ndërsa nuk ka pasur rritje të investimeve të huaja në mënyrë spektakolare, luhatje të mëdha në tregtinë e jashtme apo në sasinë që emigrantët shqiptarë dërgojnë në shtëpi. Më tej, “Trouë” teksa ngre pyetjen, se nga vijnë këto para, i referohet Shqipërisë si një vend në qendër të trafikimit të drogës evropiane, ku kultivimi i kanabisit vijon të rritet në një shkallë të madhe. Kjo sasi droge, më pas eksportohet ilegalisht në Evropën Perëndimore, së bashku me kokainën dhe heroinën.

Politikat e interesit

Media holandeze shkruan se baronët e drogave të paketuara rezultojnë të jenë mjaft aktivë në ndërtim, një sektor që po vazhdon të rritet fuqishëm në Shqipëri. Kështu, ata pastrojnë paratë e tyre të drogës (euro të ‘zeza’) në të bardha, pra të pastra. Kjo skemë, vijon “Trouë”, çon në rritjen e kursit të këmbimit. Banka Qendrore fajëson faktin se ky vit ka pasur një politikë të dekurajimit të përdorimit të Euros. Kreditë dhe kursimet shpesh mbahen në Euro në Shqipëri, si rezultat i të cilave politika e normës së interesit të bankës qendrore, e destinuar për të drejtuar inflacionin, nuk është aq efektive. Qytetarët dhe bizneset shqiptare duhet të përballojnë pasojat e kursit gjithnjë në rritje. “Për të filluar me ata që varen nga paratë që marrin nga familjarët emigrantë”, thotë Xhepa, citon media holandeze. Transaksione të tilla përbëjnë 10 për qind të ekonomisë në Shqipëri dhe janë të domosdoshme për shumë familje në vendin e varfër. “Këto transferime janë në euro, ndërsa tashme ata marrin 10 për qind më pak para` të konvertuara.

Pastrimi i parave të krimit në Shqipëri

Shumë herë institucionet ndërkombëtare financiare, sikurse FMN, BB, por edhe DASH, Interpoli kanë publikuar fakte që Shqipëria është parajsa e pastrimit të parave të ardhura nga aktivitete kriminale në Evropë, sidomos nga bandat kriminale shqiptare, por edhe nga mafia ndërkombëtare. Pastrimi i parave në Shqipëri, sipas publikimeve zyrtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare, bëhet në shitblerjen e pasurive të patundshme, në aktivitete biznesi informale, por edhe në pjesëmarrjen e kompanive fiktive në koncesione, si edhe sistemi bankar në Shqipëri ndihmon në pastrimin e parave të ardhura nga aktiviteti kriminal. Nëse një skaf, i ngarkuar me drogë, nga Shqipëria drejt Italisë mbart së paku, mall mbi 305 milionë euro, nëse ai arrin të shpërndahet, vlera e saj shumëfishohet. Duke llogaritur, se policia Italiane kap 10 % të skafeve, imagjino, sa skafe të ngarkuara me drogë nga Shqipëria mbërrijnë në destinacione ndërkombëtare dhe sa është fitimi. Një shembull ishte edhe kapja e 5 milionë eurove në makinën Toyota “Yaris”. Ndërkohë që prokuroria shqiptare nuk heton kurrë veprimtarinë e agjencive doganore, të cilat kanë përgjegjësinë kryesore për kalimin e drogave nëpër dogana, e cila, në disa raste sekuestrohet në portet e huaja.