“Pastrimi” i ish-spiunëve nga arsimi, duhet bërë sipas modelit gjerman deri tek edukatoret e kopshteve

566
Fillimisht, u duk sikur propozimi i Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Prof. Dhori Kule, do të trajtohej e do të kalonte si “provim vjeshte”, por në fakt ka dhënë efektin e plotë si brenda qarqeve universitare shtetërore e private edhe jashtë këtyre mjediseve, duke shpërndarë debate, propozime dhe ankthin e hapjes së dosjeve të spiunëve deri tek edukatorët e kopshteve të fëmijëve, që në gjuhën zyrtare quhet “Arsimi parashkollor”. Pra, projekti “Kule” nuk ka qenë thjeshtë një tymnajë presionuese, por një nismë e projektuar dhe e deklaruar prej rektorit Dhori Kule, mbështetur jo në dëshirat dhe preferencat e tij personale për të bërë shou, por si një pikënisje për të konkretizuar me përgjegjësi vullnetin e plotë intelektual, njerëzor, moral, shoqëror e institucional si drejtues, me synimin e vetëm të mos lejuar të vazhdoj “ndotja” kolektive dhe abuzive ndaj profesorëve që nuk kanë qenë pjesë aktive, drejtuese, apo nxitëse e dosjeve të zeza të spiunëve të ish-sigurimit të shtetit. 
Procesi duhet të nis, në universitet ka ish-spiunë
Universiteti i shtrirë në “hartë” të zgjeruar me fakultete e degë të tij universitare në disa rrethe të vendit si Shkodër, Gjirokastër e Korçë, ka qenë një ndër “bazat” ku ish-Sigurimi i Shtetit ka pasur më tepër spiunë të cilët ishin “syri, veshi dhe gjuha” e regjimit, për të vrojtuar, dëgjuar dhe spiunuar “armiqtë e partisë, të popullit e të pushtetit”. Këtë e pranojnë sot edhe “zëra” brenda stafeve akademike, por edhe deklarime e denoncime jashtë mjediseve universitare. Këtë fakt e pranojnë edhe ish-studentë, ish-pedagogë e ish-punonjës të universitetit shtetërorë të Tiranës, të cilët deklarojnë se ka pasur studentë, pedagogë, drejtues e punonjës të shumtë në UT dhe degët e tij në Shkodër, Gjirokastër, Kamzë e Korçë të cilët hapur e fshehurazi, shërbenin si spiunë sigurimi, sidomos pedagogët që “banonin” në konviktet e instituteve të larta në Kamzë e rrethe dhe në godinat e qytetit “Studenti” në Tiranë. Mjaftojnë këto deklarime dhe 78 letra të ardhura këto 3 ditë në redaksinë e gazetës “Telegraf” me denoncime faktike për emra e krime ish-spiunësh të universitetit, që procesi për hapjen e dosjeve dhe pastrimin e pedagogëve, zyrtarëve dhe punonjësve ish-spiunë që janë ende në universitet, të nis e të konkretizohet ose me vetë-largim të tyre, ose me largim publik, ose me largim të heshtur me “letra të mbyllura”, siç bënin ata spiunimet. Sipas bisedës së djeshme të bërë me Rektorin e UT, Prof. Dhori Kule, në lidhje me këtë nismë të tij si intelektual, qytetarë e drejtues institucioni mësimdhënës sipëror, procesi u mendua, u konceptua dhe duhet të bëhet jo si “spektakël”, por si detyrim për të dhënë provën e parë e të plotë të lustracionit të figurës së personave që shërbejnë si pedagogë, drejtues e punonjës në Arsimin e Lartë. 
Ish-spiunët, nuk mund të jenë pjesë e Universitetit
Pedagogët, drejtuesit dhe punonjësit e universitetit shtetëror nuk mund të jenë më pjesë e këtij shërbimi publik edukimi e arsimimi profesional, mbasi përveç profesionit ata transmetojnë edhe të drejtën morale në raport me të keqen, veçanërisht me krimin, vepër e hershme e kryer prej ish-spiunëve me dëshirë, me presion, apo me joshje për përfitime privilegjesh personale e familjare. Projekti “Kule”, mban parasysh faktin, që shumë prej individëve të cilët gjatë diktaturës kanë qenë studentë e pedagogë, apo specialistë të fushave të ndryshme dhe që janë përzgjedhur e rekrutuar si pedagogë, apo që janë zgjedhur e janë emëruar drejtues e pedagogë në universitetin shtetëror përpara viteve ’90-të, mund të jkenë qenë të rekrutuar si spiunë të sigurimit, për më tepër që mund të kenë ushtruar aktivitet përgjimi e denoncimi me pasoja krime njerëzore. Gazeta “Telegraf” po ndjek me vëmendje zhvillimet pas deklaratës së bërë prej rektorit Kule, lidhur me nisjen e procesit për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve të sigurimit të shtetit që kanë qenë rezidentë, apo vartës të tyre. zhvillimet e këtyre 5 ditëve që prej deklarimit publik të rektorit Kule për hapjen e dosjeve të pedagogëve, tregojnë se ka interesim, propozime dhe kërkesa nga shumë drejtime për të hapur dosjet e pedagogëve ish-spiunë sigurimi. Kaq mjafton që këta të dalin nga mjediset universitare. 
Projekti “Kule””, sipas modelit gjerman të pastrimit të universiteteve nga ish-spiunët
Gazeta “Telegraf”, pas deklarimit publik që rektori Kule i bëri nismës së tij për lustracionin se ka si pikë reference modelin Gjerman të pastrimit të universitetit nga ish-spiunët e sigurimit të shtetit, u njoh me modelin gjerman dhe konstatoi se ky model ka shtrirje m,ë të gjerë. Këtë model e na i konfirmoi dje gjatë prononcimit të tij edhe rektori Kule. Modeli gjerman u shtri me hapjen e dosjeve të ish-spiunëve dhe largimin e tyre nga sistemi arsimor deri tek edukatorët dhe punonjësit e kopshteve të fëmijëve. Sipas reagimeve të ardhura në gazetën telegraf”, kërkohet që ky pastrim të bëhet edhe në Shqipëri,, duke përfshirë në projektin e lustracionit jo vetëm pedagogët e universiteteve shtetërore, por edhe të arsimit të mesëm, të arsimit 9 vjeçar, të arsimit fillor e të arsimit parashkollor (kopshteve të fëmijëve). Madje ky “pastrim” të mos kufizohet vetëm tek universitetet shtetërore, pro edhe tek universitetet dhe sistemi shkollor para-universitar, ku mendohet se ka shumë ish-spiunë sigurimi, tashmë në moshën mbi 45 vjeç., të rekrutuar që në moshën 18 vjeçare e madje edhe përpara kësaj moshe, siç ka shembuj ish-spiunësh persona publike që aktualisht shërbejnë në zyrat e shtetit, ne media, në biznes privat, në OJF e deri në media. 
Në vijim, do të publikojmë qëndrimin e ish-shefave të sigurimit që kishin nën kujdestari universitetin, të cilët flasin për emra dhe fakte tronditëse nga veprimtari e ish-spiunëve të sigurimit të shtetit, shumica e të cilave sot janë në krye të institucioneve shtetërore, partive politike, diplomacisë, biznesit, drejtësisë, OJF-ve dhe politikës.
Sigal