Pasthirma kushtrimi nga At Gjergj Fishta

733
Safet N. Ramolli

23 tetor 1871-30 dhjetor 1940
“…Shka n’ shtat vjet e shtatdhjet vjet,
Dinë me dekë, po, për dhe të vet…”
Si këto sentenca të rralla për nga mënyra se si e shprehin autoktoninë e kombit shqiptar në këto troje, vitalitetin e tij, qëndrueshmërinë e veçantë, shpirtin liridashës e të gjerë, qëndresën stoike, besën dhe fjalën e dhënë, e mjaft të tjera si këto, mund t’i hasësh vetëm te intelektualë të mirëfilltë e të kompletuar më së miri dhe patriotë në zë sikurse është edhe At Gjergj Fishta. Në përvjetorin e lindjes, po sidomos atë të vdekjes, ato na vijnë si mesazhe kushtrimi patriotike e krenarie të ligjshme mbarëshqiptare. Jetëshkrimi i Fishtës telegrafisht do të ishte ky: lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, duke mbajtur për pagëzim emrin Zef, por në udhëtimin e jetës me krenari ka admiruar si mbiemër atë të fshatit të lindjes. U arsimua fillimisht në Seminarin Françeskan në Shkodër, mandej në Bosnjë. Në moshën 23-vjeçare u kthye në atdhe duke filluar shërbimin ndaj tij në lëmin e kultit, ku edhe dha kontribut të kualifikuar për thuajse gjysmë shekulli. Njëherësh provon edhe penën si poet duke u bërë i dëshiruar e tërheqës që në fillimet e kësaj veprimtarie. Ishte 31-vjeçar kur u emërua drejtor i Shkollës Fretnore në Shkodër, duke kryer njëherësh edhe një akt të guximshëm me vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Më 1908 merr pjesë si përfaqësues i Shoqërisë ”Bashkimi” në Kongresin e Manastirit, ku u diskutua për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në interes të lëvrimit të gjuhës shqipe si gjuhë letrare, vijon të krijojë intensivisht në fushën e shkrimeve, ashtu sikurse më 1916 merr pjesë në Komisinë Letrare për caktimin e rregullave të ortografisë së gjuhës së shkruar dhe për vendosjen e saj mbi bazën e një norme letrare të unifikuar. Duke iu vlerësuar aftësitë jo vetëm intelektuale, por sidomos ato diplomatike, u caktua si përfaqësues i popullit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, për të mbrojtur interesat kombëtare pas përfundimit të Luftës I Botërore. Në vitet 1920-1924 zgjidhet deputet, duke u pozicionuar pa mëdyshje në krahun e opozitës, në të cilën bënin pjesë intelektualët progresistë, patriotë dhe përparimtarë të kohës në Parlamentin Shqiptar. Në vitin 1922 iu besua detyra me shumë përgjegjësi që të shkojë në SHBA për të argumentuar dhe mbrojtur domosdoshmërinë e respektimit të tërësisë territoriale të Shqipërisë, çështje që e mbrojti me dinjitet e kompetencë të plotë. Si disa patriotë dhe intelektualë të tjerë, preket thellë nga vrasja pas shpine e demokratit Avni Rustemi, asamblistit të Kosovës, prandaj mori pjesë në varrimin e tij më 30 prill 1924, dhe në shenjë mirënjohjeje e respekti për veprën patriotike të çmuar të Avniut, e konsideroi detyrim e obligim, të mbajë një fjalim patetik deri në kufijtë rrëqethës. Në këtë fjalë të ndjerë shpirtërisht, midis të tjerash, me kuraje e guxim të spikatur, do të shprehej edhe sa më poshtë: 

“Avni Rustemi ishte burrë, ishte trim, ishte besnik, ishte zemërbujar dhe Shqypninë e deshti me gjithë fuqinë e shpirtit të vet, prandaj u la në gjak… Oh! Po të mos e kishte dashtun ky djalë Shqypninë, sot nuk do të shkriheshin në vaj Burrat e Dheut prej Shkambit të Pejës e deri në kulm të Kepit të Stillos, për me derdhë lot të pashërueshme mbi vorr të tij. … Unë, që ti e din se nuk rrej, po ta jap fjalën këtu në grykë të vorrit tand, se ideali tand kombëtar do të triumfojë dhe Shqypnia ka me përparue e lirë dhe e lulëzueme, sepse vdekja ka me korrë dhe zhdukë këtë tufë idiotësh egoistash, fanatikësh e farrisejsh nën kthetrat e të cilëve sot asht fati i Atdheut, dhe nga ana tjetër asht Perëndia e amëshueme që do të ndriçojë mendjen e do të mbushë aq fort me fuqi zemrat e moshës së re, që kjo punë, … të mbajë Shqypninë, ta bajë me përparue e me lulzue krahas kombeve të tjera të qytetnueme”.

Edhe pse ishte një fjalë kaq prekëse dhe me përmbajtje të thellë atdhetare, nuk mundi të qetësojë shpirtrat e shqiptarëve për këtë humbje të madhe të parakohshme. Ngjarjet që do të zhvillohen më vonë e vërtetojnë katërcipërisht këtë. Si shumë patriotë të tjerë bashkëkohës, mori pjesë aktive në kryengritjen e armatosur të qershorit 1924, prandaj me dështimin e tij iu desh që bashkë me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe të tjerë, për t’i shpëtuar hakmarrjes primitive të emigrojë në Itali. Në vitet 1930-’32 mori pjesë në dy Konferenca Ballkanike, në të cilat mbrojti me kuraje dhe argumente çështjen shqiptare duke sulmuar ashpër qëndrimin shoven të fqinjëve ballkanikë, por edhe qëndrimin dashakeq të disa vendeve evropiane. Në vitet 1935-’38 u zgjodh Provinciali i Kuvendit Françeskan, duke arritur kështu shkallën më të lartë hierarkike të këtij Kuvendi. Shërbimin ndaj fesë, bashkimit dhe mbrojtjes kombëtare, e kishte motivin udhëheqës të jetës së tij derisa më 30 dhjetor 1940, kur ishte vetëm 69 vjeç, në moshë kur akoma mund të gjeneronte vlera të çmueshme për Fe, Atdhe dhe Vëllazërim, ndërroi jetë në Shkodër për të mbetur simbol i shqiptarizmës, i bashkim-vëllazërimit dhe i klerikut model. I gjithë ky aktivitet i guximshëm dhe i pasur atdhetar u mohua nga regjimi që pasoi pas Luftës II Botërore, duke e cilësuar këtë kolos të mirëfilltë të klerit dhe të letrave, krejt paradoksalisht si profashist dhe antikombëtar. U rreka të gjej tek Fjalori Enciklopedik Shqiptar, (nuk e kuptoj, nëse mund të quhet i tillë ky botim, S.R) botim i vitit 1985, qoftë edhe një fije vlerësim pozitiv për këtë njeri të madh. Por më kot. Mbi Atë është hedhur vetëm baltë, baltë, vetëm baltë. Akuzohet, as më shumë e as më pak, por deri edhe si “shkrimtar dhe publicist reaksionar”, i cili gjoja paska marrë pjesë aktive në jetën politike dhe kulturore “për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik”, i cili nga viti 1913-1938 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës”, e cila sipas hartuesve të këtij fjalori rezulton të jetë “… një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal”; sikur ky poet madhështor “në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim (vini re: thuhet me tërbim S.R) kundër ideve përparimtare”; arrihet të hidhet baltë edhe mbi veprën e tij kryesore “Lahuta e Malësisë” (e epitetuar me të drejtë si “Iliada Shqiptare”), e cila edhe pse pohohet që është një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878-1912, megjithatë ato qenkan të pasqyruara “nga pozitat e klerit katolik,… dhe ku në të himnizoi prapambetjen e jetës së malësorëve, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin etj.” Paradoksalisht hidhet pluhur dhe baltë edhe për pamfletin në vargje “Gomari i Babastasit” (botuar më 1923 S.R), e cila sipas hartuesve të fjalorit në fjalë “drejtohej kundër laicizimit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit…”. Në fakt, përfaqësuesi i lartë dhe i denjë i kombit tonë në lëmin e patriotizmës, por edhe në atë të ushtrimit të fesë, e sidomos të letrave shqip, të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte në radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit, të cilat ai i njihte fare mirë. Ky pozicion progresiv ishte diametralisht i kundërt me regjimin që pasoi, prandaj edhe u mallkua, u mohua, ashtu sikurse leximi i veprës së tij u shpall herezi. Por lexuesi shqiptar e ka arritur me kohë përfundimin se, Fishta është ndër personalitetet shqiptare më të spikatura në fushën e letrave shqip dhe pa asnjë mëdyshje në lëmin e fesë. Duke ecur në këto dy shina kryesore, Ai u integrua organikisht dhe u shkri në problemin e çështjes kombëtare, jo vetëm shpirtërisht, por sidomos praktikisht. Te Fishta qysh herët spikat fuqishëm ndjenja brilante e atdhetarizmit, e cila e bashkëshoqëron gjatë gjithë jetës. Le të sjellim në vëmendjen e lexuesit se Fishta në pozicionin e drejtorit të Shkollës Fretnore në Shkodër, i ndodhur në kushte të disfavorshme materiale e morale, mori guximin të vendosë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Por edhe vetë ai e pohon se mungonin tekstet, ndërsa ata që e mbanin veten për aristokratë, gjuha amtare e braktisur dhe si gjuhë e harruar, konsiderohej dhe shpallej si gjuhë e malësorëve pakulturë. Me këtë vendim të guximshëm, me këtë akt të lartë patriotik, ai shprehu njëherësh detyrimin dhe përgjegjësinë e linguistit për të lëvruar gjuhën amtare. Dhe, natyrshëm na shkon mendimi, se këtë akt të lartë e kanë bërë kolosë të penës botërore, midis të cilëve është edhe Leon Tolstoi në Rusi, i cili jo vetëm që shkruante në gjuhën ekspresive ruse, por edhe këmbëngulte që ajo të përdorej në të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë shoqërore ruse. Por ky ishte një mendim, i cili binte ndesh hapur me pikëpamjet dhe shijet e aristokracisë ruse, e cila, jo vetëm në sallonet e modës e të ballove, të oratorisë e të diplomacisë, por edhe në mjediset familjare, për t’u prezantuar gjoja me kulturë perëndimore, përdorte në marrëdhëniet e shkallëve të ndryshme, gjuhën frënge në vend të asaj ruse, duke e injoruar krejtësisht dhe padrejtësisht atë deri në mallkim. Natyrisht, Fishta, duke ndjerë nevojën si krijues letrar, por edhe si linguist e, sidomos, nën trysninë e detyrimit për të shkruar gjuhën shqipe, sikurse disa atdhetarë të tjerë si Shiroka, Mjeda, Naimi e mjaft të tjerë, i përkushtohet me devocion lëvrimit të saj. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit, dhe me cilësitë e larta të një intelektuali të mirëfilltë që ngërthente, u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit. Alfabeti i projektuar dhe i ofruar nga Fishta, i cili përmbante, shprehte dhe avanconte apo pasuronte arritjet më pozitive të alfabeteve të përdorur deri në atë kohë, u pranua si alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe, ndërsa shumë shpejt koha e afirmoi atë si alfabetin e vetëm kombëtar, plotësisht i mundshëm për të shprehur gjuhën shqipe me thesarin e saj të pasur, jo vetëm në fushën e dialekteve, të nëndialekteve, të fjalorit por edhe të semantikës. Çështjes së shkrimit shqip, për vendosjen e normës letrare në të gjithë territorin ku flitet shqipja, iu përkushtua me ndjenjë dhe përgjegjësi si shqiptar e si shkencëtar linguist. Më 1916 do të merrte rrugë nisma e disa personaliteteve për të diskutuar rreth një tavoline me temë: Përcaktimi i rregullave të ortografisë së gjuhës së shkruar, si dhe të bënte njehsimin e dialekteve të shqipes në një të folme të vetme. Me personalitetin dhe autoritetin e tij në krijimet letrare, por edhe me artikuj studimorë e kritikë, me shkallën e lartë të zotërimit të gjuhës me të gjitha problemet që ajo përmban, dha ndihmesë të çmueshme për konsolidimin e gjuhës shqipe. Në kujtesën e brezit të shqiptarëve të viteve 1945-1990, për fat të keq të këtij poeti dhe personaliteti të shquar të lëmit të patriotizmës, të letrave dhe të kultit, Fishta u ngul si një gozhdë helmuese, reaksionare e antikombëtare. Pati fatin e keq më së paku, por edhe të popullit dhe shkencës shqiptare më së shumti, poeti madhështor e njëherësh atdhetar i flaktë, që të mohohej, të mallkohej e të denigrohej. Vepra e tij u urdhërua të varrosej në cepat e ftohta e të fshehta të bibliotekave, ndërsa leximi i saj u shpall herezi. Por e vërteta historike flet krejt ndryshe: Jeta dhe vepra e tij kanë qenë gjithëherët në shërbim të çështjes kombëtare dhe të popullit shqiptar. Përmes vargjeve më së shumti, por edhe përmes artikujve të ndryshëm studimorë e analitikë, Ai shpalos historinë e pasur e të vyer të popullit shqiptar; evidenton e propagandon cilësitë e larta morale të karakterit të tij; argumenton autoktoninë e padiskutueshme të shqiptarëve në trojet etnike ku nënës i thuhet NËNË, bukës i thuhet BUKË, ujit i belbëzohet ndër fjalët a para UJË, ku gjakut i thirret vetëm GJAK, ku nderit i thuhet NDER, ku besa dhe fjala e dhënë janë të shenjta dhe të pakthyeshme, …, e të tjera, ashtu si u kundërvihet me forcë veprimeve dhe qëndrimeve që cenonin tërësinë territoriale. Nuk u pajtua asnjëherë poeti madhështor me qëndrimin e padrejtë të Konferencës së Londrës më 1913-n, e cila i shkëputi trungut autokton shqiptar gati gjysmën e territoreve dhe të popullsisë, të cilën e shprehu në vargje duke e akuzuar Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve si vegël qorre të Evropës, ndërsa vetë këtë të fundit si një grua plakë të përdalë. Tek vepra Iliadë “Lahuta e Malësisë”, e cila i bën nder bibliotekës së çdo shqiptari, me një akuzë sa mbarëshqiptare aq edhe të ndjerë, shpërthen keqardhjen e akumuluar përmes vargjeve: 

“… E mallkue kjoftë Evropa, Atë e vraftë Zoti, 
E shoftë me fise, popuj e qytete, 
Edhe premtoftë që, derisa të endet Moti, 
Kurrë lufta të mos ju ndaftë për tokë, dhe Dete…”.

Dhe, si për ironi të fatit, ky mallkim e ndoqi Evropën me dy Lufta Ballkanike në vitet 1912-1914; me dy Lufta Botërore, të cilat e patën indicien por edhe epiqendrën po në Evropë; me shumë lufta lokale mjaft gjakderdhëse; me një ish-Jugosllavi të trazuar në vijimësi, e sidomos në dhjetëvjeçarin e fundi të shekullit XX, e cila i ka shkaktuar mjaft gjak popujve të saj, por që tani po duket se po ia lë radhën paqes e bashkëpunimit; me mjaft probleme e mosmarrëveshje të mprehta deri edhe konflikte midis popujve ballkanas, duke i dhënë atij cilësinë e të qenit “… një jetë të tërë në luftë”; me qëndrime të diferencuara të “Evropës Plakë”, e mjaft të tjera si këto. Atdhetarizmi i Fishtës prezantohet qartë gjatë gjithë jetës së tij. Përveç aktiviteteve të mirëfillta, në të cilat ai merr pjesë si përfaqësues i popullit shqiptar për të mbrojtur çështjen kombëtare, Ai në krijimtarinë e tij, skalit dhe derdh qëndresën heroike të popullit të vet për të mbrojtur tërësinë territoriale. Dhe kjo realizohet krejt mjeshtërisht përmes vargjeve. Te “Lahuta e Malcisë”, epitetuar si “Iliadë Shqiptare”, Fishta më mirë dhe më me kompetencë se kushdo tjetër, pohon me krenari cilësitë morale dhe luftarake të popullit tonë, i cili kur është fjala për të mbrojtur tërësinë territoriale, nuk kursen asgjë. Për të qenë më afër trajtimit origjinal të këtij problemi, po ofrojmë vetëm pak vargje të shkëputura nga kjo vepër madhore: 

“… Shqiptari mbas lirije, 
e mbas besës e s’bardhës fe, 
Bate deken si me le…”, 
ose “… Shka më shtat vjet e gjashtëdhjetë vjet, 
Dinë me dekë, po, për dhé të vet…”, 
më tej akoma 
“Për ‘i grusht eshtna pashë Zotin
T’mos korisim sot Kastriotin…” 

Qiriri i jetës së Gjergj Fishtës u fik më 30 dhjetor 1940, në moshën 69 vjeçare, një moshë kur ende mund të jepte për Fe, Atdhe dhe Vëllazërim. Në banesën e fundit e përcollën mbarë Shkodra dhe njerëz të ardhur nga qytete të tjera, të cilët me korteun e përmortshëm i ranë kryq e tërthor rrugëve të qytetit, në krye të të cilit printe arkivoli i mbështjellë me flamurin e Ded Gjo Lulit, pa shenjë robërie, ndërkohë që flamuri kombëtar ishte i qarkuar me shenja të pushtuesit italian. Në varrin e tij u vunë dekorata të ndryshme, të cilat i kishte merituar ndër vite në vende dhe nga institucione të ndryshme. Ja disa nga ato: “Rritercreuz” (amerikane e vitit 1912); “Mearit” (turke e vitit 1912); “Phonix” (greke e vitit 1931); “Medalje e meritimit” (e Papës” e vitit 1925); “Kurorë argjendi” (nga populli i Shkodrës e vitit 1911); “Pendë Floriri” (nga populli i Beratit e vitit 1918) etj., etj. Këto dekorata dhe të tjerat Ai i meritonte, pasi duke jetuar një Jetë të Madhe dhe duke bërë po një Shërbesë të Madhe, i rriti nderin kombit shqiptar. Në shtratin e vdekjes, në formë rrëfimi, me ndjenjën e thellë dhe të pashuar të dashurisë për atdhe, midis tjerash artikulohet qartazi edhe sa vijon: “Jam tue dekë, kam punue me të drejtë për Fe, Atdhe, Provancë, e këtë porosi po ua la sidomos moshës së re, që të punojnë edhe ata mbas këtij programi…”. Është një rrëfim i sinqertë!!! Është një këshillë e urtë me rrënjë tek atdheu dhe te zemra shqiptare, e cila na bën apel edhe në këto ditë! Janë pasthirma, që na bëjnë kushtrim për çdo vit, prej të cilit largohemi nga dita e lindjes apo e ndarjes me atdhetarin e madh – At Gjergj Fishta.
Sigal