Pasi përfundoi lidhjen 12-vjeçare, italiania vetëmartohet në moshën 40 vjeçe

Një grua italiane është martuar në një ceremoni me fustan të bardhë, tortë dasmash me tre shtresa, dhe rreth 70 mysafirë.

"Unë besoj fuqishëm se secili prej nesh në radhë të parë duhet ta dojë veten", tha Laura Mesi, një trajnere 40-vjeçare. "Ju mund të përjetoni një përrallë edhe pa princin", thotë ajo për BBC.

Zonjusha Mesi është pjesë e një trendi në rritje për vetëmartesën - e quajtur "sologamia" - në vende të botës.

Përkrahësit e këtyre ceremonive thonë se ka të bëjë me vetëdashjen dhe pranimin.

Laura thotë se ideja e një vetëmartese erdhi dy vjet më parë, pasi përfundoi një lidhje 12-vjeçare.

"Unë u thashë miqve dhe familjes se nëse nuk e gjej të dashurin deri në ditëlindjen e 40-të do të vetëmartohem", tha ajo.

"Nëse një ditë gjej një njeri me të cilin mund të planifikoj një të ardhme, do të jem e lumtur, por lumturia ime nuk varet prej tij", shton ajo tutje, transmeton Express.

Mesi thotë se ajo është gruaja e parë italiane që organizoi këso ceremonie. Në maj, një burrë, Nello Ruggiero, tha "po" për veten e tij në një ceremoni në Napoli.