Pashaj: Pakti i Detit me Greqinë, në thelb një krimin politik i qeverisë së kohës

548
Një bisedë interesante ku koloneli i mirënjohur Myslim Pashaj tregon ideatorët kryesorë të krijimit të Institutit të Topografisë Ushtarake, ku sipas tij janë: Dhimo Dhaskali, Limos Alimuçi, Vait Tartari, Çesk Begu, Thimi Jorganxhi, Myslim Haxhiu, Filip Marga, Mulla Mullaj, të cilët ishin ndër kryesorët që punuan në këtë projekt të ri që do t’i vlente ardhmërisë së këtij shërbimi. Po nuk mund të harrohen edhe shumë të tjerë që punonin në sektorët e krijuar dhe dhanë mendime të çmuara, thekson ai. Ky Institut do të ishte institucion ushtarak kërkimor dhe prodhues në fushën e përgatitjes topografike të ushtrisë shqiptare dhe më gjerë. Në 15 mars 1975 u caktuan drejtori dhe zëvendësdrejtori: Limos Alimuçi dhe Vait Tartari dhe pas tyre vinte një bashkësi kuadrosh oficerë të shkallëve dhe të breznive të ndryshme të cilët kanë lënë jetën e tyre në vlera të mëdha hartografike dhe gjeodezike.
– Zoti kolonel, Instituti i Topografisë Ushtarake (sot Instituti i Gjeografik Ushtarak i Shqipërisë) kremton 40-vjetorin e krijimit të tij. Çfarë mund të na thuash për këtë strukturë me shumë emër në Forcat tona të Armatosura?
Kjo nuk është thjeshtë një histori. Është një ngjarje që nuk sjell vetëm një datë të thjeshtë të një Instituti të zakonshëm. Kjo ngjarje sjell në histori për një nga institutet më në zë të fushës studimore dhe krijuese hartografike në Shqipëri, sepse ky Institut është marrë dhe merret me Hartën e Shqipërisë, me portretin e saj në kohë dhe hapësirë, me gjeohistorinë e këtij vendi dhe nuk i shërben vetëm FA, por gjithë spektrit zhvillimor shqiptar. Ai u krijua në 8 mars të vitit 1975. pra u mbushën plot 40 vjet.
– Ishte një situatë politike dhe ideologjike nga më dramatiket në Shqipërinë komuniste, kishin filluar grupet antiparti të kohës, apo jo?
Vërtetë, ishte një tronditje e madhe jo vetëm për Ushtrinë, por edhe për gjithë vendin. Beqir Balluku ishte shpallur armik. Pas tij gjeneralë të njohur shqiptarë, që kishin ardhur nga Lufta e Dytë Botërore, shkonin pas njëri tjetrit në pushkatim (Petrit Dume, Hito Çako) dhe shumë të tjerë do të dënoheshin me burgime dhe internime. Si një shkulmë e fortë shkallmuese frynte era e të ashtuquajturave “Teza të Zeza” dhe komplote pas saj. Pikërisht në këtë kohë tronditëse, profesionistë të topografisë ushtarake, pa u ndikuar nga politika dhe ideologjia e kohës, iu përveshën punës që të krijonin një Institut për t’i shërbyer hartografimit dhe gjeodezisë kombëtare. Pra, në këtë eveniment nuk ka një asnjë ndikim ideologjik. Ishte koha që gjeodezia dhe hartografia shqiptare të krijonte profilin e saj, t’i shërbente zhvillimit. Ata që e krijuan këtë Institut nuk u nisën vetëm nga ndërmarrja fantazmë e bunkerizimit të Shqipërisë, as e koalicioneve armiqësore, por për nevojat gjithësore që kishte vendi në të gjithë fushat. Ndërkaq, specialistët më në zë të Topografisë Ushtarake vijonin misionin e tyre hartografik dhe gjeodezik kombëtar. Kishte ardhur koha që të krijohej Instituti Topografik Ushtarak.
– Kush ishin nismëtarët e tij të parë?
Ideatorët kryesor që duhet t’i përmendë historia janë Dhimo Dhaskali, Limos Alimuçi, Vait Tartari, Çesk Begu, Thimi Jorganxhi, Myslim Haxhiu, Filip Marga, Mulla Mullaj, të cilët ishin ndër kryesorët që punuan në këtë projekt të ri, që do t’i vlente ardhmërisë së këtij shërbimi. Po nuk mund të harrohen edhe shumë të tjerë që punonin në sektorët e krijuar dhe dhanë mendime të çmuara. Ky Institut do të ishte institucion ushtarak kërkimor dhe prodhues, në fushën e përgatitjes topografike të ushtrisë shqiptare dhe më gjerë. Në 15 mars 1975 u caktuan drejtori dhe zëvendësdrejtori: Limos Alimuçi dhe Vait Tartari. Pas tyre vinte një bashkësi kuadrosh oficerë të shkallëve dhe të breznive të ndryshme të cilët kanë lënë jetën e tyre në vlera të mëdha hartografike dhe gjeodezike. Më pas vjen një brezni tjetër kuadrosh që mbaruan shkollat ushtarake brenda vendit dhe u arsimuan edhe në Universitetin e Tiranës, si: Përparim Likaj, Maksimilian Gjika, Eduart Isufi, Stafan Shahini, Asllan Muka, Piro Dado, Bajram Muja, Asllan Bebeçi, Kostandin Premti e shumë të tjerë që mbushën kontributet teknike e kërkimore në fushat inxhinierike. Po kështu një bashkësi e tërë kuadrosh topografë nga shkollat ushtarake zunë pozicione të rëndësishme në Institut, si në Astronomi, Gjeodezi etj.
– Para krijimit të këtij ITU, si ka qenë e ndërtuar veprimtaria e topografisë ushtarake, nga qendra në njësi e reparte?
Deri në këtë kohë ishte bërë një punë shumë e madhe për ta rimarrë misionin, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik dhe shërbimin topografik të Ushtrisë së Kuqe. Vendi kish ngelur pa harta, të cilat u mbajtën dhe u vodhën nga pala ruse, fakt për të cilin ende nuk është thënë gjer më sot. Situata duhej kapërcyer. Kështu ishin krijuar Reparti Topofotogrammetrik, ai Gjeodezik, Hartografik dhe i depove të hartave etj. Mbi bazën e tyre u krijua ITU. Udha që u hap dhe u zhvillua ishte një arritje e madhe. Energji intelektuale u derdhën për të kryer këtë vepër të madhe. Kontributi drejtues dhe studimor i Dr. Përparim Likaj, Vait Tartari, Veiz Ostrovica, Qemal Sinanaj, Naim Domi, Bajram Muja e të tjerë është i spikatur.
– Ju jeni një ndër specialistët më në zë të topografisë ushtarake. A mund të na rendisësh disa nga arritjet ndër vite të IGJUSH, si dhe etapat e evoluimit të tij që nga krijimi dhe deri në ditët e sotme?
Kujtuam pak më parë atë që quhet “Mision”, që nuk lidhet për gryke nga politika dhe ideologjia. Është ana shkencore dhe teknike që ka themel. Nëse ka diçka që duhet t’u thuhet me lavd breznisë që shkoi dhe që ndërtoi ITU, është se ata shikuan në rrënjë “Misionin topografik dhe gjeodezik” dhe për këtë do të ngelen në histori. Breznia që erdhi e gjeti këtë udhë të hapur. Kjo duhet thënë me plot gojën. Rrallë mund të ketë ndodhur që në kushte të izolimit komunist të ndërtoheshin vepra aq të mëdha kombëtare se sa rrjeti Gjeodezik Shtetëror, se sa hartografimi në të gjithë shkallët (1:10.000, 1:25.000. 1:50.000 deri në 1:1000.000) vepra të vlerësuara nga ana shkencore dhe teknike gjer në ditë të sotme. Ka qenë një energji e jashtëzakonshme. Pa këtë bazë nuk do të kishin arritur kulme dhe nuk do të kish pasur një Institut Gjeografik Ushtarak, i cili të përballej me kërkesa të reja të zhvillimeve postkomuniste. Është një periudhë e gjatë, e trazuar, me zigzage të cilat kulmuan në vitin 1997 kur ky institut u gjend në prag të shfarosjes dhe djegies makabre. Por u arrit që të shpëtohej, ndërkaq ishte në pikëpyetje e ardhmja e tij. Në këto kushte u riformësua Instituti Gjeografik Ushtarak me një fytyrë moderne dhe që shumë shpejt u radhit me dinjitet përkrah instituteve homologe të vende të NATO-s. Bazë gjithnjë ka qenë tradita e krijuar ndër dekada.
– Realizimi i hartave dhe i studimeve në funksion të këtyre angazhimeve kombëtare është një ndër detyrat kryesore të Institutit. Çfarë pune është bërë ndër vite në këtë aspekt dhe ç’problematika mund të ketë të pazgjidhura?
Nuk është e lehtë që të jesh në hullinë e informacioneve moderne si dhe të teknologjive. Mos harroni se Shqipëria të gjithë projektet zhvillimore të saj i ka bërë dhe po i bën në bazë të hartografimit dhe të gjeodezisë themelore që ka kryer ky institut. Nuk është pak të shndërrosh sistemin gjeodezik, të kalosh në harta të standardeve të NATO-s, në zhvillimin e Sistemit të Pozicionimit Global, të bashkëpunimit me institucione të huaja. Këto janë vlera që janë pranuar nga partnerët ndërkombëtar. Ky është një realitet krenarie, sigurisht.
Ju kolonel, shpesh përmendni termin “djepi hartografik” ku e kini fjalën?
Na kujtohet një djep i amshuar, që përkundet. Dhe vjen pastaj një çast tjetër, kur gjithsecili prej nesh gjen inspirimin e vetvetishëm të jetës dhe të përvojës, duke trokitur dhe kërkuar rrënjët, në kujtesën e udhës rritëse të profesionit, të institucioneve të cilat e kanë gjalluar jetën me gjurmë të pashlyera. Të zgjohet kujtesa me një hartë Shqipërie në dorë, krahë çeljes së luleve, me një hartë të përtërirë, të ardhur prej mbijetesës kombëtare, gjer në ditë të sotme të synimeve thelbore europiane. Me këtë hartë shoh portretin e mbijetesës, ndihmesat e breznive, për të vizatuar e pikturuar tiparet e këtij dheu, shtrirjen historike, në projeksionet e padrejtësive, kufijtë e prerë prej tragjedisë dhe me ndryshimet që u bënë përmbi këtë portret. Ja ky është djepi hartografik që na përkund. Në 8 mars vjen dhe dita e krijimit të Institutit Gjeografik Ushtarak, që nuk është vetëm dita e breznive të topografëve, hartografëve dhe gjeodeteve të Forcave të Armatosura, por të gjithë kombit shqiptar, mbasi ajo është fytyrë e shëmbëllimit të sotëm e të djeshëm të historisë Arbërore, gjithnjë në brendësinë e kujtesës së kombit.
– Ju folët për “mision hartografik kombëtar”. A është cenuar ndonjëherë?
Është festë dhe në raste të tilla nuk flitet për plagët dhe dhimbjet. Një dorë tinëzare, një politikë që për një kohë e ka ”pushtuar” misionin dhe e ka komanduar atë, a nuk është një frymë antikombëtare, a nuk është shmangie e misionit e këtij Instituti si Marrëveshja e Detit me Greqinë, e cila pati në thelb të saj krimin politik që bëri qeveria e asaj kohe, ndaj profesionalizmit. Politika e detyroi Institutin që të mos e thotë fjalën studimore në një hartë të Detit Arbëror në atë pakt të turpshëm të rrëzuar, tanimë. Instituti është aset i madh kombëtar.
– Çfarë mesazhi u përcjell sot Profesor Pashaj drejtuesve, specialistëve dhe punonjësve të IGJUSH?
Tani instituti quhet: Instituti Gjeografik dhe Infrastrukturës Ushtarake, për shkak të ndryshimeve dhe reformave që po bëhen. Mesazhi nuk do shumë lulka dhe fishekzjarrë. Kërkohet një realitet dhe angazhim tërësor në zhvillimet e sotme në rajon dhe më gjerë, në situatat gjeopolitike që mund të vijnë, ku gjeografia loz rolin e saj të madhnueshëm vetëm atëherë kur Rojat hartografike kombëtare është në krye të orientimeve zhvillimore të reformave të sotme jo vetëm në FA por edhe për gjithë vendin. Udha e mirë e përtëritjes së hartave 1: 25 000 sipas standardeve të NATO-s dhe një projektdetar me Norvegjinë, rrëfen se këto koordinata orientuese janë inspiruese. Drejtori aktual, nënkolonel Çani, e ka këtë shqetësim dhe orientim për ardhmërinë.
Sigal