Pasaporta fallco maqedonase, për qytetarët e Pogradecit, Korçës dhe fshatrave kufitare

760
Pas përgjimit të telefonatave, së fundi ka plasur edhe skandali i pasaportave fallco maqedonase, të cilët pajisnin shtetas shqiptarë përgjatë zonave kufitare për t’i shfrytëzuar si kontingjent votuesish për partinë në pushtet. Skandali i pasaportave maqedonase, ku gjatë viteve në vazhdim shumë shtetas shqiptarë, nga Pogradeci dhe Korça, si dhe nga fshatrat kufitare janë pajisur me pasaportë maqedonase, të deklaruar se kanë origjinë maqedonase për t’i pajisur me dokumente personale të Maqedonisë. Ministri i ri i pushtetit lokal, në qeverinë e Maqedonisë, tha për gazetën “Telegraf”, se ka vazhduar një skandal me pasaportat maqedonase që pajiseshin shtetas shqiptarë përgjatë kufirit, për t`i pasur si kontingjent votuesish. Sipas opozitës maqedonase, ky skandal ka filluar që nga zgjedhjet lokale 2013, me ç’rast VMRO-DPMNE, i shfrytëzoi shtetasit shqiptarë si votues për të siguruar fitoren. Ish-kryetari i komunës së Resnjës, Dimitri Buzalevski, tashmë në opozitë, i cili ishte kandidati për qytetin e Resnjës, nga opozita ka thënë për gazetën “Telegraf”, se organizma qeveritare në pushtet pajisin shtetas shqiptarë me pasaporta maqedonase. Vetëm gjatë një dite janë lëshuar 114 pasaporta në Resnjë, kryesisht për shtetas shqiptarë. Pajisja e shtetasve shqiptarë me pasaporta maqedonase, realizohet me procedura të thjeshtuara. Ish-kryetari i komunës së Resnjës, Dimitar Buzlevski, i cili pritet të jetë një nga kandidatët e opozitës, ka akuzuar se po organizohet ky kriminalitet me shpërndarjen e dokumenteve personale për shtetasit e Shqipërisë, të cilët do të shfrytëzohen si votues në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka theksuar se, në rajonin e Resnjës dhe Prespës, janë evidentuar qindra raste, ku shtetasit shqiptarë të ardhur andej kufirit, kanë rregulluar dokumentet personale, përmes procedurave të thjeshtuara. Ky akt kriminaliteti, që paraqet shkelje serioze të Kushtetutës Maqedonase”, ka theksuar Buzlevski, por njëkohësisht edhe për shtetasit shqiptarë, që kjo gjë është krejt e pandershme. Sipas një statistike zyrtare, thuhet se, vetëm në zonën e Pogradecit dhe fshatrat përreth janë pajisur me pasaporta maqedonase mbi 1100 qytetarë shqiptarë. Kjo epidemi e pajisjes së pogradecarëve dhe korçarëve me pasaporta maqedonase, ka filluar që në kohën kur ishte ministër i brendshëm Lube Boshkov (tashmë në burg), i cili “hapi dyert” për të pajisur sa më shumë shtetas shqiptarë me pasaporta maqedonase edhe nga ata që nuk kanë asnjë lidhje me Maqedoninë. Studenti pogradecar në Universitetin e Manastirit, I. A tha për gazetën “Telegraf” se, “pajisja e studentëve shqiptarë me letër njoftimi maqedonase na sillte jo pak lehtësira, madje edhe bursa për të kryer studimet e larta, vetëm për të na shfrytëzuar votën për partinë në pushtet”. Madje nga ish-ministri i Brendshëm maqedonas, nga Lube Boshkov është pajisur me pasaportë maqedonase edhe Aldo Bare, i cili siç doli nga hetimi kishte paraqitur një certifikatë të falsifikuar, sikur ishte qytetar nga Pogradeci dhe me këtë certifikatë, ai ishte pajisur me pasaportë maqedonase, e cila iu gjet edhe gjatë arrestimit të tij në Turqi. Epidemi e pajisjes me pasaporta maqedonase në Pogradec është aq e madhe, saqë në Këshillin Bashkiak të kaluar, ka pasur disa anëtarë të këshillit Bashkiak të qytetit të Pogradecit që kanë pasaportë maqedonase apo drejtues institucionesh kryesore në rreth! Po kështu ka ndodhur edhe në rrethin e Korçës, në zonat kufitare, ku qindra persona që nuk kanë asnjë lidhje me shtetin maqedonas, janë pajisur me pasaporta dhe letër njoftimi maqedonase…Pas zbulimit të këtij skandali, ka filluar verifikimi i shtetasve shqiptarë me këto dokumente maqedonase, pa asnjë kriter dhe asnjë dokument për origjinën e tyre. Pas përgjimeve të opozitës, skandali i pasaportave dhe letër njoftimeve maqedonas, që kanë pajisur shtetasit shqiptarë, pritet që të ketë një hetim special nga organet e drejtësisë, duke e quajtur një skandal shumë të madh, i cili prish edhe imazhin e një shteti që kërkon të aderojë në Europë.
Bardhyl Berberi
Sigal