Pasagjeri padit kompaninë Belle Air

736
Sigal

Kompania ndërron oraret e nisjes e nuk lajmëron në kohë pasagjerët

Çudirat dhe padrejtësitë e kompanisë ajrore Belle Air ndaj pasagjerëve të saj duket se nuk kanë të sosur. Nuk është hera e parë që kjo kompani braktis dhe shpërfill pasagjerët e saj. Kjo ka ndodhur shpesh në linjat ajrore Itali, Egjipt, Vjenë e Budapest. Është pritur shumë, siç është e drejta, edhe një reagim nga autoritetet e aviacionit civil lidhur me këto episode të pakëndshme që ka kryer kompania ajrore ndaj qytetarëve të ndryshëm, por siç duket lidhjet nepotike e bëjnë të pamundur një prononcim tëe këtyre autoriteteve për t’i dalë në krahë pasagjerëve. Rasti i tanishëm ka të bëjë me një padi që është ngritur nga një pasagjer i cili është lajmëruar me vonesë për ndërrimin e orarit të nisjes së linjës së tij Më konkretisht ai shkruan:

“Quhem Spiro Prebibaj, jetoj në Porto San Giorgio të Fermos dhe sot do të nisesha për Tiranë. Por një surprizë të hidhur mësova që në mëngjes nga kompania Belle Air. Avioni që do të merrja nga Ancona për Rinas në orën 13.30 ishte nisur që në 8.30”. Këtë i shkruan redaksisë së Shqiptariiitalise.com duke shtuar se lajmërimi i vetëm i këtij modifikimi orari i është dhënë me e-mail mbrëmë në orën 23.00.

“Kjo kompani jo serioze, pa respekt ndaj pasagjerëve të vet ndryshon oraret nga dita në ditë pa dhënë informacione, sikur do ishte autobus i linjës Durrës – Tiranë – shprehet pasagjeri. – A ka institucione në Shqipëri që të marrin masa ndaj drejtuesve të pandërgjegjshëm të kësaj kompanie?”. Nuk është herë e parë që një gjë e tillë ndodh me Belle Air. “Edhe para një jave një mikut tim i kanë ndërruar orarin e avionit ditën e fundit, pa i dhënë asnjë sqarim,  – vazhdon Spiro. – Edhe vitin e kaluar më kanë bërë që të nisem nga Tirana për Ancona një ditë para datës për të cilën kisha prerë biletën”. Është e natyrshme, në të rrallë mund edhe të ndodhë ndonjë problem, por në raste të tilla interesi më i lartë për t’u tuteluar është ai i pasagjerëve që duhen lajmëruar në kohë. Është absurde të mendohet që kompania ta konsiderojë veten në rregull me klientët e saj sepse i ka lajmëruar: t’u nisësh një e-mail në orën 23.00 për t’i lajmëruar që do të nisen të nesërmen që në mëngjes e jo në drekë siç ishte orari fillestar, është njësoj si të mos i kesh lajmëruar fare. E njëjta gjë edhe kur lajmërimi i shtyrjes së orarit të jepet një orë para nisjes kur je tashmë në aeroport. E ka pasur edhe raste të tilla, siç tregon Brikena K., që këtë verë, ndërsa kthehej nga Rinasi për në Romë, lajmërimin për shtyrjen e orarit me disa orë e mori kur kishte mbërritur në aeroport, rreth 90 minuta para nisjes së parashikuar. Ç’të bënte, të kthehej mbrapsht në Vlorë e të nisej prapë, apo të priste në aeroportin e Rinasit (siç bëri) me dhjetëra të tjerë në të njëjtën situatë me të. Këtë radhë Spiro Prebibaj nuk e mbyll vetëm këtë histori vetëm me letrën dërguar gazetës: i ka nisur edhe një e-mail kryeministrit Berisha “për t’iu ankuar për mungesën e përgjegjësisë të kompanisë ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj” dhe merr takim me avokatin e tij “për të paditur këtë kompani aspak serioze”.

Reagimet e qytetarëve ndaj kompanisë Belle Air

Filca Cisl

Belle Air në të vërtetë është një kompani, që nuk mund t’i besosh. Nuk janë fare të përpiktë, dhe jo seriozë, prandaj ju lutem që të ankoheni të gjithë tek autoritet përkatëse, që mos të tallen më me qytetarët, siç janë tallur deri tani. Bile më mirë që të ndërroni kompaninë kur të udhëtoni drejt Shqipërisë, turp i Zotit me këtë Belle Air.

 Shkelzen Kamberi

Me Belle Air të gjithë kemi përvojë të hidhr, por duhet të ndërhyjnë edhe autoritetet italiane se nga ato shqiptare rrini të qetë, se nuk ndryshon asnjë gjë, përkundrazi më keq. Bëjnë ndryshimin e orareve brenda ditës, niset nga Peruxhia për në Tiranë e ndërrojnë pa lajmëruar pasagjerët. Perugia-Bari-Tirana është rast i freskët, pastaj bën check in e pas shumë orëve të lajmërojnë se avioni është anuluar pa asnjë shpjegim. Prandaj kur ndodhin gjëra të tilla duhet të zgjohemi të gjithë pasagjerët e kësaj linje e të denoncojmë zvarritjen dhe marrjen nëpërkëmbë të shtetit tonë nga një kompani arrogante që nga Tirana.

Roza Zefi

Po more, po kush nuk ka kompjuter si t’ia bëjë, ku ta marri vesh që niset në 8.30? Po e them se para një viti më ndodhi edhe mua në Fiumicina, u nis 2 orë përpara e nuk e zura dot e pastaj mora një kompani tjetër pas 3 orësh, një muaj punë për të bërë një udhëtim nga Roma në Tiranë, e kur u ankova më thanë, kemi nisur e-mail. I thashë kujt ja keni nisur? E ku kanë respekt ata për ne, se shkojmë për hidhërime apo për të kujtuar një nënë apo një baba që e zë malli për bijtë e vet.

Mil Nikolla

Turp të kenë Belle Air, për 3 herë më ka rënë mua të ndryshojë oraret edhe mos të niset fare, turp…

Jolanda Tanushi

Bashkohem plotësisht me fatkeqësinë e bashkëkombësve të mi, sepse edhe mua me ka ndodhur. Është koha që ne të ngremë zërin.

 Mario Parruçhiere

Belle Air është kompani e qeverisë së korruptuar të Shqipërisë, ajo u ngrit menjëherë pas fitores së PD-së. Ajo ka krijuar një monopol dhe bën ç’t’i dojë qejfi me shqiptarët pa dinjitet në shekuj. Dinjiteti jonë krijohet kur të krijojmë një shtet jo të korruptuar, që tallet sa herë të dojë. Unë për veten time e kam zgjidhur, shkoj në Shqipëri përmes linjës greke të Ancona – Igumenca dhe kanë qenë gjithmonë korrekt, dhe a e dini pse? Se me atë linjë rreth 70% janë Gjermanë, Francezë ose Italianë që udhëtojnë. Belle Air është një kompani plehrash, njësoj si politikanët e vendit tonë që na detyrojnë përherë e më shumë të mos ndihemi Shqiptarë.