Pas zvogëlimit të “tepsisë”, mijëra mësues të punësuar në zyrat e pushtetit, vërsulen për vende pune në arsim

835
Lajmi i publikuar 4 ditë më parë nga “Telegraf”, për largimin nga puna të afro 23 mijë drejtuesve dhe nëpunësve nga zyrat e shtetit, për shkak të projektit për pakësimin e ministrive dhe shkrirjen e shërbimeve publike dhe disa inspektorateve shtetërore, u konfirmua edhe nga kryeministri në takimin e parë të bërë prej qeverisë së re në Llogara, i cili deklaroi largime të shumta nga puna! Ky vendim, që pritet të zbatohet pas mandatimit të qeverisë “Rama-2”, ka krijuar panik brenda 88 mijë punonjësve të administratës publike, mbasi nuk dihet se cilët do bëhen “kurban”. Të gjendur përballë kësaj “fshese”, drejtuesit dhe zyrtarët që janë emëruar jashtë profesioneve e që janë të bindur se do të “dalin nga dera” e zyrave dhe që nuk kanë asnjë mundësi për “t’u futur nga dritarja” në institucione shërbime të tjera, kanë vendosur të vihen në kërkim të vendeve të punës, që kanë lidhje me profesionet e tyre! Kjo lëvizje bëhet edhe për faktin, që kriza e papunësisë po shtohet dhe sigurimi i një vendi pune në sistemin buxhetor është “ëndërr”! Siç dihet, 60% e administratës publike është mbushur me drejtues dhe zyrtarë të emëruar jashtë profesioneve të tyre, nëpërmjet lidhjeve familjare me drejtuesit politikë e shtetëror, lidhjeve fisnore, krahinore e klanore, nëpërmjet pagesave e përkatësive partiake! Të parët nga “minjtë e zyrave”, që kanë ndjerë “tërmetin” në administratën publike dhe po nxitojnë t’i shpëtojnë papunësisë, janë drejtorët dhe nëpunësit me profesion “mësues”, të emëruar e punësuar në sektorë të administratës që nuk kanë asnjë lidhje me arsimin! Pas projektit të deklaruar e miratuar, për zvogëlimin e “tepsisë” së pushtetit, mijëra zyrtarë shteti të diplomuar për mësuesi, janë vërsulen për të “kapur” vende pune në sektorin e arsimit. Ky nxitim i tyre, për të dalë paraprakisht nga zyrat e pushtetit e për t’u punësuar në profesion, ka lidhje me prag-fillimin e vitit mësimor dhe momentit të bërjes së strukturës së personelit mësimdhënës në shkollat dhe institucionet e arsimit parashkollor, por edhe në universitete, për ata që kanë kualifikime e grada shkencore, ose që mund të punësohen duke përdorur “zarfa” dhe “shërbime të tjera” për drejtues me “grada” të larta politike e shtetërore! Këtë mësymje drejt arsimit e kanë bërë të ditur për “Telegraf”, disa burime nga Drejtori Arsimore Rajonale (DAR), nga Zyra Arsimore të Rretheve (ZA) dhe nga drejtues shkollash në Tiranë, Fier, Durrës, Berat, Korçë, Elbasan, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Dibër, Kukës, Lezhë e Shkodër. Këta janë drejtues dhe zyrtarë shteti me profesion “mësues” gjuhe, letërsie, Cikli i Ulët, historie, gjeografie, fizkulture, edukimi shoqëror, matematike, vizatimi e deri Edukimi Seksual, të cilët prej vitesh drejtojnë dhe punojnë jashtë profesionit në shëndetësi, polici, kontroll ushqimor, naftë, inspektorate, borde kullimi, polici bashkiake, polici ndërtimore, zyra tenderësh, në Rezervat e Shtetit, në hipoteka, në emergjencat civile, në ministrinë e Jashtme, në agjencitë minerare, në borde kullimi, në zyra pronash, në parlament, nëpër ministri, në kryeministri, porte detare, aeroport, tatime, dogana, në sektorin e turizmit e deri në pyjore. 
P. HALILI
Sigal