Pas shkarkimit Tahiri ka një ndjesë publike për familjarët e viktimave të Gërdecit

520
Kur kanë kaluar 9 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën e të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, ende nuk është bërë drejtësi. Ditën e sotme, familjarët e viktimave i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit Rama, ku shprehin zhgënjim ndaj tij. Sipas tyre, ndonëse iu premtua se pas 23 qershorit 2013 gjithçka do ishte ndryshe, ende nuk ka ndryshuar asgjë.
I vetmi që ka reaguar ditën e sotme, 9 vite pas tragjedisë, është ministri i Brendshëm në ikje, Saimir Tahiri.
Gjatë një aktiviteti ku ndodhej i pranishëm, Tahiri u kërkoi ndjesë familajrëve të viktimave që ende nuk është bërë aq sa duhej “në raport me ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit e që sot janë të lirë”.
“Sot është një ndër ditët, ndoshta më alarmante që na kujton ne publikisht dhe mbi të gjitha çdo qytetari padrejtësinë e madhe që bëhet dyerve të gjykatave.
Sot 9 vite më parë 26 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën në mes tyre edhe fëmijë, në një biznes që armët i përdorte për një biznes të paligjshëm dhe kriminal dhe që i mori jetën 26 njerëzve.
Sot ende nuk ka drejtësi, madje disa nga autorët janë ende shfaqur publikisht dhe guxojnë bëjnë moral publik lidhur me ç’është Shqipëria sot dhe ç’duhet të bëhet nesër.

Unë kam mbajtur detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe edhe në këtë cilësi më duhet të kërkoj një ndjesë personale edhe në emër të detyrës që kam mbajtur për gjithçka nuk kemi bërë dot në raport me ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit e që sot janë të lirë.
Por ky është një angazhim dhe vetëdija jonë e madhe, e imja, e kolegëve të mi, e qeverisë, e Kryeministrit për të bërë drejtësinë që duhet ndaj të gjithë atyre në sistemin e drejtësisë që kanë lënë të lirë sot, për 9 vite me radhë ata që shkaktuan 26 viktima”, tha ministri Tahiri.
Ai nuk la pa përmendur edhe angazhimin e Ministrisë së Armëve për garantuar rendin dhe sigurinë. Sipas Tahirit, ende në vendin tonë statistika e armëmbajtjes pa leje është më shumë se tragjike në Republikën e Shqipërisë.
“Statistika e armëmbajtjes pa leje është më shumë se tragjike në Republikën e Shqipërisë. Vetëm Policia e Shtetit në tre vitet e fundit ka arrestuar mbi 3 mijë shtetas shqiptarë për armëmbajtje pa leje.
Është shumë krahasuar me çdo vend të botës. Këtu flas për vendet që kanë një minimum të standardit të shtetit ligjor dhe demokracisë, jo për vende që janë në luftë apo kaos total.
Por të arrestosh më shumë se 3 qytetarë në ditë për armëmbajtje pa leje, dhe kjo për 3 vite rresht, nga njëra anë tregon përmasën e problemit që kemi. Dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë që duhet t’i vëmë vetes përpara për ta zgjidhur këtë problem.
Gjithashtu, eksperienca ka treguar se ne duhet të fillojmë të thyejmë modelin që kemi kalitur gjatë dekadave të fundit, dhe të ndërtojmë modelin që duam si referencë permanente për të rinjtë dhe për fëmijët tanë.
Deri dje jemi rritur me idenë që “trim” është ai që sillet si trim, pa e lidhur këtë me mendjen a me dijen.
Sot duhet (dhe unë e Ministria e Brendshme është munduar ta bëjë këtë) Sot “trim” është ai që duhet ta dorëzojë armën. Dhe akoma më trim ai që refuzon tërësisht dhunën. Dhe akoma më “trim” ai që i dedikohet dijes, librit, kulturës po ashtu”, tha ministri Tahiri.
Sigal