Pas përmbytjeve në Shkodër kalben të mbjellat

710
Fermerët e Nënshkodrës në këtë moment as që nuk i mendojnë aplikimet për ndihmë financiare nga shteti.
Prodhimet e tyre janë shkatërruar. Ujërat që përmbyten zonën u larguan, por pas kanë lënë çdo gjë të kalbur dhe nën baltë. Të gjitha prodhimet bujqësore të mbjella në këtë stinë u shkatërruan nga ujërat.
Në pothuajse gjithë zonën e Nënshkodrës uji i përmbytjes është tërhequr. Fermerët e Shirqit në Dajç kanë dalë për të parë dëmet që ka lënë pas përmbytja. Për banorët e kësaj zone dy janë problemet më të mëdha shkatërrimi i të mbjellave dhe rreziku i sëmundjeve pasi toka është kthyer në moçal dhe e gjitha zona është ndotur nga kalbja e bimëve.
Pas tërheqjes së ujit, Luigj Macaj, tregon se është rikthyer në banesë dhe gjithçka duhet të fillojë nga e para që nga lyrja e shtëpisë e deri tek të mbjellat e kalbura qe duhen groposur
Luigji i revoltuar me politikën ndër vite tregon se çdo e mbjellë është shkatërruar.
“Vetëm dëme në njerëz nuk kemi. Kam mbi 10 milionë lek dëme”, shprehet Luigj Macaj.
Edhe fermerët e tjerë të zonës raportojnë se çdo e mbjellë ka shkuar dëm dhe për këtë ata thonë se shteti duhet të përgjigjet.
“Kam 15 dylym jonxhë, edhe ajo e reja që kam mbjellë do shkojë dëm”, thotë një prej banorëve
“Po kthehen në moçal, këtu nuk mund të rriten fëmijët”, u shpreh një tjetër.
Mbi 6 mijë hektarë tokë në zonën e Nënshkodrës u pushtuan nga ujërat për ditë të tëra, shkaku ndau dhe debatet, një pjesë mendojnë se erdhi nga qielli, banoret e përmbytur thonë se ju erdhi nga njeriu qe hapi portat e hidrocentraleve
Sigal