Pas dronit, Armando Duka viziton Beogradin për t’iu marrë votën në UEFA

172
Në rast konflikti, edhe njohjet personale zbehen dhe tensioni zë vend më shumë sesa miqësia, mirëpo në raste të tjera, njohjet sado minimale, mbizotërojnë mbi çdo ngjarje të së shkuarës. Pranimi i kandidaturës për zgjedhjet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ka vënë në lëvizje numrin një të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kreu i institucionit të futbollit në vendin tonë, Armando Duka ka udhëtuar në Beograd tri ditë më parë. Qëllimi i takimit ka qenë për të biseduar me Tomislav Karaxhiç në lidhje me votën e Federatës Serbe të Futbollit në votimin për anëtarët e komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Lobimi
Pak ditë më parë, gazeta bëri me dije informacionin se persona të autorizuar nga numri një i federatës së futbollit të vendit tonë kishin takuar ish-legjendën e Milanit, Dejan Saviçeviç, i cili aktualisht është kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi. Së fundmi, vetë presidenti i FSHF-së ka udhëtuar drejt Serbisë, në Beograd për të takuar nga afër kreun e Federatës Serbe të Futbollit në lidhje me votimin që do të kryhet në Helsinki më 5 prill.

Në këtë votim janë 13 kandidatë nga të cilët do të zgjidhën vetëm tetë për të qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Me sa duket, konflikti mes federatave për ngjarjet që pasuan ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, të cilat përfunduan me fitoren e çështjes gjyqësore që Shqipëria hapi në KAS të Lozanës, është lënë pas dhe tashmë vendin e kanë zënë negociatat dhe bisedimet për votën në zgjedhjet e 5 prillit.