Pas 70 vitesh, qeveria sekuestron shtëpitë për borxhe ndaj OSHEE

593
Në 1945, menjëherë, pasi komunistët fituan pushtetin, ligji i parë që ndërmori qeveria e tyre, ishte që të konfiksonte pasurinë e të gjithë shqiptarëve të pasur, duke përfshirë shtëpitë, pronat, fabrikat, dyqanet, tokat, bagëtitë, paratë. Dhe kjo në emër të barazisë sociale, duke u udhëhequr edhe nga shembulli i Bashkimit Sovjetik të Leninit e Stalinit. 
Burg e sekuestrim për borxhe-qindarka të dritave
Qeveria socialiste, në emër të reformës në energji, qysh në fillim nxorri ligjin për burgosjen pa dallim e të gjithë qytetarëve për borxhet e qindarkave ndaj OSHEE-së. Nuk vonuan viktumat, jo më në burgosjen e qindra fukarenjve, por ndodhën edhe ngjarje tragjike, të vetvrasjes të shumë qytetarëve, që nuk kishin mundësi ekonomike të paguanin as borxhet e dritave, por nuk duruan dot as burgun. E megjithëkëtë tragjedi, qeveria socialiste nuk u mallëngjye, por dje paraqiti në Kuvend projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili parashikon, jo vetëm burgosje të fukarenjve që nuk kanë asnjë të ardhur për bukën e gojës, e jo më të paguajnë drita, por edhe sekuestrim, konfiksim të pasurisë të çdo debitori, qoftë qytetar apo edhe biznes, ndaj OSHEE-së. 
Neni 92, sekuestro
Ka qenë neni 92 i këtij projektligji që ka të bëjë me barrierën hipotekore, ndaj çdo debitori të OSHEE-së. Ligji parashikon sekuestro të banesave të konsumatorëve të thjeshtë nëse debi kalon 3 milionë lekë të vjetra dhe 20 milionë lekë për biznesin. Ligji i ri, i cili është formuluar pa bujë dhe pa konsultime publike, ka kaluar pa shumë publicitet miratimin nga qeveria, siç ndodh me të tjera ligje kësisoj dhe tashmë është gati për në Kuvend. Ligji i ka mbajtur thuajse të pandryshuara të drejtat e konsumatorëve, por ka ashpërsuar ndjeshëm masat ndaj debitorëve. “Nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç nisjes të procedurave të ndërprerjes së energjisë fillon edhe procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe inicimin e ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin nr.8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për çdo vlerë të papaguar detyrimi”, thuhet në nenin 90 të projektligjit. Gjithashtu ligji përcakton se, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm. Ligji i ri për energjinë ndahet në 10 pjesë, ku ndërhyrjet më të rëndësishme janë bërë në forcimin e penaliteteve për arkëtimin e energjisë dhe në liberalizimin e tregut të energjisë.
Sigal

Rrumpalla e projektligjeve 

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri e ka me kaq urgjencë dhe ngut miratimin e këtij ligji, saqë “djeg” edhe procedurat parlamentare, për t’i shpëtuar kritikave të vetë kolegëve, edhe pse vetë është jurist dhe ka qenë shumë vjet edhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Kështu, sapo dje ministri Damian Gjiknuri mbaroi ekspozenë e projektligjit të tij në Parlament, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa e konteston këtë projektligj, duke thënë se ky projektligj nuk mund të miratohet nen për nen, pasi Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar nenin 92 dhe ka rekomanduar disa amendamente, të cilat nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, i cili është parësor për këtë projektligj. Së pari, Komisioni i Ligjeve, pra vetë deputetët socialistë, sikurse tha Fatmir Xhafa në Parlament, e kanë rrëzuar nenin 92 të këtij projektligji. Pra edhe vetë deputetët ligjbërës socialistë janë kundër konfiksimit dhe sekuestrimit të pasurisë për shkak të borxheve ndaj OSHEE-së. Së dyti, nuk mundet që urdhri i OSHEE-së për debitorët e saj të jetë titull ekzekutiv dhe kësisoj të kërkojë ekzekutimin e detyrueshëm. Mirëpo, siç tha në Parlament, edhe zoti Xhafa, Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese mund të jetë parësor për këtë ligj, por kurrsesi nuk e ka kompetencën kushtetuese që ta miratojë pa marrë parasysh edhe kontestimet që ka bërë Komisioni Parlamentar i Ligjeve, domethënë, të çfuqizojë nenin 92 dhe të miratojë amendamentet që ka propozuar Komisioni i Ligjeve. Mirëpo, këtu fshihen prapaskena e Ministrit Gjiknuri, i cili u mundua ta kalojë në Kuvend këtë ligj, ashtu siç dëshiron ai, me nenin 92, për sekuestrimin e pasurisë të patundshme çdo debitori të dritave, thua se Gjiknuri është ministër i qeverisë komuniste të 1945-s. 

Shqipëria, i vetmi vend në botë që sekuestron shtëpinë, për borxhe të dritave

Kur neni 92 i projektligjit për energjinë, bën fjalë për sekuestrimin e pasurisë për këdo debitor të dritave, qartazi ka edhe kufirin minimal të borxhit të pashlyer, mbi të cilin OSHEE-ja të bën sekuestrimin, i cili është vetëm 300.000 lekë, ndërsa për biznesin është 2 milionë lekë. Sot në botë, nuk ka asnjë shtet që të ketë ligj për sekuestrim të shtëpisë për çfarëdo borxhi deri në 300.000 lekë. Që nga janari i këtij viti, qeveria e rriti çmimin e energjisë elektrike me 24 %, që do të thotë se shton edhe më shumë barrën e rëndë ekonomike mbi qytetarët. Strategjitë dhe ligjet për energjinë nuk janë ligje për një parti apo për një mandat qeverisës. Qeveria iu sekuestron qytetarëve shtëpinë pa mbrojtje dhe procedura ligjore, vetëm me një urdhër që mund të lëshojë 

Ligji i qeverisë, pamundësinë për të paguar e cilëson krim

Ky ligj i Ministrit Gjiknuri është model që pamundësinë për të paguar energjinë e cilëson krim. Në fakt 230 mijë familje në nevojë nuk kanë mundësi të paguajnë, ndërsa 530 mijë familje duhet të paguajnë më shumë për faturën e energjisë. Kjo është politika policore që Ministri Gjiknuri do të zbatojë me këtë ligj, kundër shqiptarëve të varfër. Asnjë qeveri nuk ka të drejtën ligjore të sekuestrojë shtëpi të askujt për borxhe ndaj kompanisë energjitike, por ka të drejtën që të presë furnizimin me energji elektrike, nëse nuk ka politika sociale, të ndihmojë familjet në nevojë.

Ligji është edhe shantazh politik ndaj kundërshtarëve e bizneseve 

Me këtë ligj, nëse miratohet kështu siç e ka paraqitur Ministri Gjiknuri, i jepet tërësisht e drejta OSHEE-së, Ministrit Gjiknuri dhe shpurës të oraneve të tjera përgjegjëse që nesër, të dërgojë militantët e tij politikë, që ka mbushur OSHEE-në dhe të bëjnë shantazhe nëpër biznese dhe qytetarë, që janë kundërshtarë të tij, me lloj-lloj metoda policore që deri tani kompania energjitike përdor, me frikën e ligjit të sekuestrimit, të kërcënimit për qëllime politike apo personale. 

Greqia, miratoi ligjin për faljen e 300 kvv familjeve në nevojë

Edhe pse Greqia është në krizën e thellë ekonomike, qeveria e kryeminsitrit Cipras, ditët e fundit miratoi një ligj social, për të ndihmuar familjet në nevojë. Kështu, qeveria greke e Cipras, nëse familjet në nevojë kanë pak të ardhura vjetore, në varësi të numrit të familjarëve dhe të të ardhurave, por edhe në varësi të pasurisë së patundshme, do t’u falë 300 kvv energji elektrike çdo muaj dhe do të ketë një përshkallëzim edhe të çmimit të energjisë elektrike. Atëhere si ka mundësi që qeveria socialiste dhe Ministri Gjiknuri të nxjerrin ligje të tilla të tipit komunist, që të sekuestrojnë shtëpinë e fukarenjve vetëm për 300.000 lekë? Dhe këtu nuk ka asnjë kufizim, nëse shtëpia është prona e vetme që gëzon familjari. Nëse shtëpia kushton 5-10 milionë lekë, a mundet shteti të të sekuestrojë këtë pasuri për një borxh të 300.000 lekëve? Pastaj, kjo politikë, ky ligj i Ministrit Gjiknurit për sekuestrimin e shtëpisë për një borxh qoftë edhe 300.000 lekë ndaj OSHEE-së, i ngjashëm me ligjin kominist të 1945, të qeverisë kumuniste të Enver Hoxhës, është në vetvete antikushtetues, jo i ligjshëm dhe jo i moralshëm, sepse qeveria nuk e kishte në programin e vet elektoral dhe nuk e ka marrë votën e popullit që të zbatojë të tilla politika vrasëse për qytetarët e vet. Kuvendi i Shqipërisë ka shtyrë mbrëmjen e djeshme për seancën e ardhshme votimin në tërësi të projektligjit për energjinë elektrike, ndërsa e ka miratuar atë në parim me 67 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.

Replikat Berisha – Rama për këtë projektligj

BERISHA-RAMES: Ç’TË KEQE TJETËR DO I BËSH SHQIPTARËVE?
I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, në Parlament, i cili akuzoi Ramën se çdo ditë po i bën të këqija të mëdha këtij populli. Sipas Berishës, Rama i çoi OSHEE-në në derë qytetarëve për t’i rrjepur. “Në mendje më vjen vetëm një kryepyetje për Edi Ramën cila do jetë e keqja tjetër e radhës që ke parashikuar për shqiptarët? Sot me një llogollogji të pafundme mbulove aktin më të papreçedentë, iu vure kazmën në themelet e shtëpive të çdo shqiptari, me një bandë punonjësish të pamëshirshëm që sulen t’iu rrëmbejnë pronën, banesën qytetarëve. Shpirti yt i zi, mendja jote e zezë, autorizove OSHEE të sekuestrojë banesa, asnjë qytetar nuk e ka më të sigurt strehën e tij, banesën, shtëpinë që ka ndërtuar, nga kompjuteri i OSHE mund ti vijnë miliona gjoba të krijuara për të mbushur arkën në mënyrën më banditeske”.
Rama: Gjetëm sektorin e energjisë me 540 milionë dollarë borxhe
Kryeministri Edi Rama gjatë diskutimit të projektligjit për “Sektorin e energjisë elektrike” në Kuvend ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë së mëparshme për krijimin e një grope në këtë sektor. Kreu i qeverisë thotë se sektorin e energjisë e gjetën me 540 milionë dollarë borxhe nga vendimmarrjet e këqija. “Projekti që diskutojmë vjen në vazhdën e një reforme të thellë transformuese të sektorit, besoj se është momenti i duhur për të folur me shifra dhe fakte për gjendjen e trashëguar të sektorit, gjendjen aktuale dhe atë të pritshme. Është spektakolare të dëgjosh sesi përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit, flasin sikur po vazhdojnë nga larg, ndërsa deri pak kohë më parë kanë patur në dorë të bëjnë gjërat që thonë sot. Jo vetëm që s’i kanë bërë por i kanë lënë në një rrokopujë të madhe. Sektorin e lanë me 540 mln dollarë borxhe nga vendimmarrjet e këqija”.