Parulla ndaj Borchardt, shoqërohet në polici aktivistja që debatoi me Ramën

129

“Turp! Skandal! Policia sapo ndaloi studenten Viosana Kokla për Borchardt”. – Ky është denoncimi që sapo ka bërë në rrjetet sociale, Petrit Vasili, nënkryetari i LSI.

“Studentja Viosana Kokla ndalohet nga Policia për hesap të Borchardt, – shkruan Vasili, duke iu referuar incidentit me parullën “shame on you” shkruar nga disa protestues, në murin e pallatit ku banon Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt në Tiranë.”

Sipas Vasilit, “Edi Rama shfrytëzon Borchardt për t’u hakmarrë me Viosanën, studenten e Arkitekturës, që e kryqëzoi Kryeministrin. Turp! Turp! Turp! Policia nuk ndalon kriminelët dhe të korruptuarit, por me urdhër të Edi Ramës do që t’u mbyllë gojën të rinjve. Shiheni videon kur kryqëzohej Edi Rama.”

Anëtarja e LRI-së është shoqëruar në komisariat lidhur me incidentin e ndodhur gjatë të shtunës në pallatin e ambasadorit të OSCE.

Bëhet me dije se aktivistja Viosana Kokla ka qëndruar për rreth 1 orë në komisariat në Tiranë, duke u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Kokla nuk ka pranuar të jetë vetë autorja e mbishkrimit “shame on you”.

Burime brenda policisë thonë se Kokla nuk ka patur informacion për autorin e shkrimit, ndërsa është shprehur se autori ka patur fytyrën të mbuluar dhe se bashkë me ta ka patur edhe anëtarë që nuk i ka njohur.