Partizan Myftari/ Rilindja dhe opozita, djepi që po tundet nga duart e krimit

593
Sigal

Arrestimi i Fullanit, pikë analiza e një situate kritike në vend. Pengmarrësit e politikës në 24 vitet e fundit, dështimi i politikës qeverisëse të së djathtës dhe anemia dhe problematika e së majtës sot.

Kur u hap edhe kangjella e burgut për Fullanin, mediat nuk arritën të kapnin faktin e arrestimit e ta filmonin veç ca filmime celularësh rutinë që sillnin zhurmën e rrugëve të ndotura akustikisht dhe errësirën (koha e arrestimit të Fullanit) si ta mbanin të fshehur e kalonin në qetësi ndalimin e tij… Dukej që pëshpërimat e para të arrestimit kishin dalë dhe përgjues gazetash rrinin aty të jepnin të parët lajmin. Ndërkohë, në Gjirokastrën e gurtë u rregulluan disi rrugët e kalldrëmta nga do të kalonte një ministër sepse ditën e lumturimit të tij martesor do ta festonte në kalanë e Gjirokastrës si për të thënë se në Tiranë binte një mit korrupsioni në kafaze hekurash, një tjetër ngrihej si model revolucionarësh duke i thënë “Mjaft!” kështjellës së heshtur me tringëllime unazash dhe të ftuar servilash nga politika, nga media dhe bota e pamunguar e servilucëve që edhe në bazë, mbijnë si kërpudha…

…Kur edhe ministri i Financave na “qetëson” se nuk ka rendësi kush vjen guvernator (i huaj apo shqiptar) e rëndësishme të bëj punën e tij (sikur vallë ne nuk e dimë që të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre në vendin, ku ndodhen….) por realisht askush nuk gjendet në vendin e tij…

Mes nesh ka mbirë Hija e Madhe e Dyshimit dhe nuk i besojmë njëri- tjetrit se mund të bëjmë Shqipërinë dhe se mund të qeverisemi ashtu si mund t’i ketë hije një kombi të civilizuar. Berisha, ky satana i vendit tonë, sa herë që zbret nga pushteti, të cilin asnjëherë nuk e ka merituar, por e ka marrë me marifete me dhunë e kërcënime, ashtu edhe sot, kur vazhdon të paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë flet e shkruan si një rrugaç i thekur jo si të ketë qenë dikur President e

Kryeministër, por një kryetar bandash që ka humbur kontrollin e territorit…

Nuk gjen një rast të vetëm që ky njeri të ketë mbjellë kulturë.

Si bie ai nga pushteti shtohen krimet dhe kriminelët, të cilët ai i ka njohur, edhe kur kishte pushtetin, por as njëherë nuk dënoi as krimin dhe as kriminelët.

Ky është një krim i Berishës.

Shmangie e detyrës shtetërore dhe për këtë duhet t’i formulohet juridikisht një akt – akuzë e të përgjigjet përballë drejtësisë.

Megjithatë, faqen e turpit të tij ai e ka nxirë që në vitin 1997 që përgjaku gjithë Shqipërinë, por askush nuk e dënoi sepse e gjithë klasa politike e asaj kohe ishte pjesë e krimit dhe e kaosit.

Edhe sot!

I etur për pushtet përgatit terren dhune dhe lëpihet të mos i shpëtojë asgjë, si një skile e vjetër që e di se, ku mund të ngrihen çarqet për atë… Nëse Berishës, zgjedhjet e fundit i dhanë një shuplakë të mirë elektorale, të cilin e hoqën qafe nuk do të thotë se maxhoranca e sotme nuk duhet të merret me krimet e varura në faqet e tij të nxira.

Kjo nuk është hakmarrje drejt Berishës, por ngritja e dinjitetit të Shtetit, të cilin, ky fanatik krimesh me bandën e tij mediatike e pushtetare, nuk diti t’ia ngrinte ashtu si e kemi ëndërruar të gjithë pa dallime partiake… Kur kangjellave u fut Fullani edhe media e inkriminuar në Shqipëri, hezitoi të dënonte krimin e për çudi më pas mori anën e tij si ca fatkeq që po humbasin burimet financiare…

Si është kjo udhë e tyre kështu?!

Përse ky nxitim për të mbrojtur një person që nuk ka qeverisur mirë një institucion?!

Përse krijojnë alibi, bëjnë krahasime e shfajësime kaq të shpejtuara, kur ndërkohë është një proces, duke udhëtuar me hapat e tij institucional dhe juridikë?!

Përse këta krimba të medias u pëlqejnë t’i lëshojnë këto jargë estetike, duke menduar se mbrojnë vlera sociale, vazhdojnë të kenë të njëjtën kostum krimi sa herë që Berisha lajthit për ndonjë avaz të ri?!

Në një udhë kaosi, mbi një varkë, pa rrema edhe opozita vazhdon të ecë në mjegull duke mos ditur të bëj opozitë, por merret me sensacione lajmesh dhe të vjen t’i dëgjosh vetëm kur i lexon ndonjë zëdhënëse e bukur si një vazhdimësi e estetikës femërore shqiptare, edhe pse avokati i Fullanit e mbron klientin e tij me estetikë burrash…

Opozita tashmë është një kufomë e trungut të saj të kalbur dhe forcat progresive brenda kësaj partie janë tulatur. Partitë që kanë ndërruar pushtetet numërojnë shpeshherë edhe milionerët e tyre dhe gjithkush

mundohet të shtojë radhët e veta… Partitë janë shndërruar në komisione qendrore e lokale tenderash dhe asnjë filozofi racionale, sociale e zhvillimi për kombin nuk shfaqet si një progres i domosdoshëm, por vetëm ambiciet e milionerëve që e dinë shumë mirë se ekzistenca e tyre në rrjetën e rëndë të pushtetit i mbron dhe u

shton kuletën. Ata e ndjejnë veten më të mbrojtur se kurrë, kur janë në pushtet dhe në politikë aktive. Shkëmbime reciproke. Këto janë tradita dhe hesape të vjetra. Imagjinojini këta soj e sorollop në politikën tonë?!… E vështirë të gjesh një imprenditor a sipërmarrës të ndershëm të merret me politikë sepse ai nuk ka kohë të drejtojë aktivitetin e vet me të gjithë mekanizmat e saj e jo të bëhet filozof në politikën shqiptare, që është bërë gangrenë për një zhvillim e ndryshim të ndershëm.

Ndërkohë që, brenda kangjellave të akuzave maxhorancë – opozitë, për shkak të kësaj edukate të keqe që kanë mbjellë hyjnë e dalin vrere dypalëshe, diplomacia qesh me ne dhe mban frerët e kalit të saj, që këta të marrë të mos bien nga kali dhe ata që kanë rënë, të mos zvarriten në bisht të tij…

Kur ende çështja “Fullani” zien në kazanët e të dyja palëve dhe populli me lugë bosh, pret të kthehen pasuritë e vjedhura në këto 24 vjet, para disa ditësh lexova në Facebook, gëzimin e një deputeti se, i biri i tij së fundi, u rrit dhe u bë për të shkuar në universitet. Kjo është një e drejtë legjitime e çdo prindi përballë fëmijëve të vet. Por politikani shqiptar, “i moderuari ynë”, shkonte më tej me një pasthirrmë habie e frike se, tashmë i biri nuk do të jetë më pranë shtëpisë së tij, por do të studiojë larg Shqipërisë, diku nëpër botë, në një shtet të largët, do të ecë në një udhë të panjohur dhe njohuritë do t’i marri atje….

Në një udhë të panjohur….

Po si ndodhi kështu?!

Deputeti i maxhorancës, deputeti i Rilindjes nuk i besoka as vet Rilindjes së Premtuar?! Nuk i beson sistemit tonë universitar që përgatiti edhe vet atë, edhe pse s’ka punuar asnjë ditë në profesionin e tij sepse shallin e pionierit e hoqi, kur u fut në Parlament dhe po aty u rrit gjersa e kanë mbuluar thinjat?!

Po çfarë na kanë mbjellë kaq vite?!… Ku është modeli i tyre i paraqitjes. Si mund të besojë një miku im në Skrapar se, sistemi ynë universitar qenka mirëformues, cilësor, kur deputetët tanë i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë e larg Shqipërisë?! Si do t’i thotë nëna e vet nga Duhanasi i Beratit të birit të saj, të cilit ia ndërpreu studimet pasi mbaroi vitin e parë se nuk ka me lekë që ta ndjekë më tej?!

Po sa baballarë shtrëngojnë dhembët, fshehin lotët se nuk kanë mundësi t’i ndjekin fëmijët e tyre me studime në Shqipëri jo udhëve të humbura, sepse nuk kanë mundësi financiare?!

O Rilindës që keni mbetur ende në një djep të ngushtë mendimi mos vallë po u tundin akoma duart e krimit?!…

U mbyllën shumë fantazma (universitete private pa pikë vlere) por kjo të lë të nënkuptosh se i gjithë sistemi ynë arsimor qenka një fantazmë e pashkulur se ndryshe deputeti nuk do ta niste fëmijën e tij

larg në një “udhë të panjohur”?!… Janë këta, rilindës, të cilët me këtë mënyrë, e ringjallin frikën, mosbesimin e tek ne vijnë si pishtarë, por që shuhen sapo dalin nga takimet elektorale. Dhe me ata nuk flitet… Të kryqëzojnë, po u shave partinë që vjedhin vet. Të poshtërojnë, kur u del në shteg dhe shtegut i venë gjoksin të mos shikojmë pjesën e udhës së tyre. Nuk duan komente, nuk duan të mendosh ndryshe sepse ata janë ese – ja e mendimit politik,

programatorët e së ardhmes që nuk po troket dhe ndërtuesit e vilave të tyre…që nuk e dinë as vet se sa kanë. Kaosi i udhëve tona, rënë në përbaltjen e krimit politik dhe ekonomik; në gërvishtje kangjellash,

në përcjellje udhësh e fëmijësh, vazhdon të mbetet peng e këtyre politikaneve që tashmë nuk u ka mbetur asgjë për t’iu pjekur vetëm janë shndërruar në majmunë që hipin e zbresin pemës së pushtetit, për të mbushur xhepat e tyre dhe më pas tua japin fëmijëve që t’i harxhojnë, diku në një udhë të panjohur, larg Shqipërisë që e zhveshën dhe e lanë trok po ata… të kostumuarit tanë apo modernet e

këmishëve të lëshuara. Disa për të fshirë djersën si djali i Fullanit e të tjerë për të bërë biznese…. Shqipëri e kangjellave që mbetën shqyer dhe nuk u mbyllën njëherë për krimin. Shqipëri e kalave, ku u përmjerrin me dasma ministrash dhe ua kanë hequr erën e historisë.

Udhë të humbura në kaosin e mendjeve shprishurve që kanë shqyer, edhe trurin e tyre të varur në degët e rrënjët e pushtetit, por asgjë nuk është tharë, asgjë s’ka marrë dritë… Gjerat e varura zakonisht thahen, tek pushteti dhe politika krimbet… Ne vazhdojmë poshtë kësaj krimbjeje dhe i ruajmë me kujdes.

Krimbja e tyre, pjesë e mishit tonë.