Partizan Myftari/ Nekrologji,… jo vetëm për moralin…

615
Sigal

Kur hipokrizia i kalon kufijtë e saj, mund të shprehesh me keq ardhje, se ka ardhur koha të shkruash një nekrologji për moralin dhe jo vetëm për atë.

Hipokrizia një element tipik social, po aq i vjetër sa shoqëria, po aq gërryes i vlerave që mbi jeton e trashëgohet, jo vetëm në gjenerata, por edhe si sëmundje individuale dhe kolektive.

Opinioni publik shqiptar është i prekur nga kjo sëmundje, shtypi shqiptar vuan nga kjo sëmundje, klasa politike e të gjitha niveleve drejtuese e pushtetore e ka shndërruar në shkollë të kulturës së saj.

Dikush thotë se janë të marrë, çmendurisht të përsosur në aktrimin e tyre, por fatkeqësisht një ndër sëmundjet më të këqija që mbërthen trupin  e një kombi.

Të zgjedhurit tanë, ose jo, secili në përmasat individuale, me një kufizim intelektual fort të dallueshëm, me atributet e pozicionit politik, pushtetar, zyrtar, kërkojnë të shfaqen dukshëm në situata prekëse, në çaste kur ndodhi të ndryshme kërkojnë reagime, qëndrime dhe si rrjedhim: ne, turma, qetësohemi prej shpjegtarëve, duke mos u emocionuar si ata, për shkak të kufizimit kolektiv…tek kujtesa jonë dhe besimit të tepruar që kemi mbi klasën drejtuese të një kombi e të të gjitha niveleve…

Pas faktit tragjik të vrasjes se Azem Hajdarit, vite me parë, hipokritët tanë u ringjitën në skenën e dhimbshme e u morën, po merren gjatë, edhe me vdekjen tragjike e aksidentale (të paktën kështu është shkruar gjer tani) të të ndjerit Sokol Olldashit. Kanë folur e tjerrur aq shumë, sa kaq nuk patën mundësi të flisnin dhe të qartësoheshin edhe për rrezikun e helmeve që mund të na vinin në Shqipëri, prej Sirisë. Për helmin që mund të ishte tragjedi kombëtare, edhe për brezat e ardhshëm, nga kjo kategori kujtarësh, u mbajtën më pak fjalime elegjiake.

Përse e vunë ulërimën tani?!

Strategji klounësh. Natyrisht, jo të gjithë. Nuk përjashtohet as rasti e as mundësia që Olldashi ka pasur miq të tij e shok të mirë, por këndvështruar në hapësirën e tyre të konceptimit të mendimit e të lëvizjes.

Ikja e një njeriu, edhe të thjeshtë, është humbje sociale. ndjesore dhe, natyrisht, është pjesë e ciklit të jetës.

Sokol Olldashi aksidentalisht ndërroi jetë dhe jo pak hipokritër gjetën çastin të zbulonin vlerat e tij, pas vdekjes. Kur e kishin pranë, ishte një i zakonshëm, kur iku, u quajt një nga reformatorët më të mëdhenj, të post diktaturës…

Një reformator e ideolog i madh?!

Kjo më duket e tepruar, për ta klasifikuar të tillë. Faktet, në rrjedhën e tyre të viteve, nuk e tregojnë këtë.

Ai mund të ketë qenë një bir nëne i mirë, një bashkëshort i zellshëm, një baba i mrekullueshëm, por në politikë e qeverisje nuk e kapërceu asnjëherë hapin e të zakonshmit, e rrogëtarit, pjesë atij niveli të rëndomtë politik që vesh si një kostum të keq, gati 90 % e politikës shqiptare, e institucioneve të saj dhe të shoqërisë civile të aktivizuar.

Opozita e sotme shqiptare e qau Sokolin me krerët e saj, edhe maxhoranca me veprime demonstrative e ceremoni kolektive në mënyrë të rrufeshme… aq sa të jepej përshtypja se duhet të nxitonin për ta përcjellë…

Ne jemi mësuar që në vdekje të themi fjalët më të mira për atë që ikën. Edhe duke e tepruar në rrugë institucionale, si për të thënë se largpamësit Shqipërisë nuk i kanë munguar…

Të ndjerin e cilësuan si njeriun më të rrallë, po ata persona që, dikur, nëpërmjet shtypit, e kishin kritikuar e akuzuar si  bashkëpunëtor i bandave lokale, si fshehës i disa krimeve, apo heshtar, kur nuk duhej.

Pastaj, çfarë bëri ky reformator i madh në këto vite?! Një aleat i përhershëm i Berishës dhe nuk nguroi të thoshte për ngjarjen e 21 Janarit, se, po të ishte ai ministër, do të vriste më shumë se katër persona….

Një largpamës që bën bilancin me vdekje njerëzish?!…

Atëherë, (qoftë larg!), çfarë mund të thonë për Ilir Metën, që emocionalisht i quajti protestuesit thjesht “kokë pa larë”?!..

Lavdëtarët e kronikave, pas vdekje, bëhen oratorë për të rritur madhështinë e tyre dhe jo të atij që iku…

Kjo lloj sjellje edhe për dukuri e fenomene të tjera janë bërë për shoqërinë tonë gërryese…

Edhe shtypi sillet keq.

Berisha, një nga trajnerët më të keq të politikës shqiptare, nuk i ka për të kuptuar kurrë krimet e tij morale dhe nuk do të mjaftojë kjo  për të sulmuar maxhorancën e re, si një plak i keq, kur kjo maxhorancë me të mirat dhe të këqijat e saj, po mundohet të shërojë qelbëzimin berishian.

Do të ishte e fisshme, e hijshme për Berishën të heshte për pak kohë dhe të lejonte rilindjen e vërtetë të PD-së.

Por ai tashmë nuk mundet dhe ashtu si ai sillen jo pak njerëz. Sillen aq keq, sa më të vërtetë nuk po mundemi të shohim opozitën që na duhet…

Të pamoralshëm e bëjnë moral! Shiten të tillë, me një tufë lajkatarësh e shërbëtorësh, gjer në fyerje të vlerave humane…

Për se gjalli meritojnë nekrologji për moralin. Morali ynë politik, që zvarritet pa asnjë lloj dinjiteti. Morali i tyre, që fle me krimin dhe zgjohet i virgjër, për të kënduar lutje e mirësi…

Do të dëshiroja të lindte një opozitë e ndershme, duke hedhur tej moralin e degjeneruar, që udhëhoqi vetveten dje.

Do të doja një maxhorancë, në kufijtë e mundimit, për t’u pastruar edhe ajo vet nga elementet e krimit, korrupsionit e vjedhjeve që i ka në shtratin e Rilindjes…

Morali i një Kombi nuk është pjesa që kalon, sa nga maxhoranca, tek opozita. Ajo është një pasuri, përtej portave tuaja të shqyera të mendimit…

Fatkeqësisht, ju mund të përjashtoheni vetëm juridikisht nga pjesa e shëndoshë e një Morali, por, realisht, mbeteni pjesë e një inventari Kombëtar, me të mirat dhe të këqijat tuaja.

Ju nuk ditët ta shkruanit moralin tuaj, kur populli ju dha shansin.

Ne vazhdojmë akoma të shkruajmë nekrologjinë tuaj morale.

Shpresojmë për maxhorancën të shkruajmë më pak rreshta nekrologjie të kësaj natyre.

Asnjëherë nuk është vonë të rilindim Moralin, sepse do të jetë Rilindja jonë.