“Partia e Punës, do të jetë surprizë për zgjedhjet e 23 Qershorit”

525
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Degës Berat, Aleks Boçe: “Partitë e mëdha të na llogarisin edhe ne”

Duket se do të jetë e ashpër fushata elektorale në Qarkun e Beratit, pasi në këto zgjedhje parlamentare edhe Partia e Punës së Shqipërisë, dega Berat ka pretendimet e veta. Kryetari Aleks Boçe në një intervistë për “Telegraf”, shprehet optimist dhe deklaron se, partia që ai drejton do të jetë surprizë për të gjithë. Madje, sipas z.Boçe Partia e Punës hynë në zgjedhje me 2 mijë vota. Ata pretendojnë një deputet dhe ju bëjnë thirrje partive të mëdha që t’i llogarisin edhe ata.

Z. Boçe si e parashikon Partia e Punës fushatën elektorale në Qarkun e Beratit?

Ne si parti e fillojmë fushatën elektorale, optimistë. E shpreh këtë pasi ne jemi në mbështetje të 1500 familje që janë në nevojë dhe pa punë, sepse sistemi i qeverisjes 20 -vjeçare i ka harruar. Kjo do ta bëjë më të ashpër fushatën elektorale pasi partitë e tjera që pretendojnë se, i ‘gërryen malli’ për elektoratin, e kanë braktisur këtë shtresë pas marrjes së votave. Për sa i përket pyetjes tuaj unë them se fushata në Qarkun e Beratit do të jetë shumë e ashpër, pasi partitë e mëdha pretendojnë për të fituar thellë, por harrojnë se fitorja vjen sipas zgjidhjeve të premtimeve që zotërinjtë deputet të Qarkut kanë bërë gjatë 4 vjetëve për këta njerëz dhe për këtë qark. Ne e fillojmë fushatën me 2000 vota pa llogaritur më shumë.

Ku bazoheni, kur deklaroni se do të futeni në fushatë me 2 mijë vota?

E them këtë, sepse në zgjedhjet për pushtetin lokalë Partia e Punës mori 3500 vota, duke llogaritur fitimet e tyre ne kemi 2 mijë vota pa filluar fushata. Ne do të kthejmë besimin te populli i mashtruar nga dy partitë e mëdha, PD-PS. Populli e do partinë tonë. Ne nuk jemi parti mashtruesish. Ne i sollëm popullit dritat, ujin, spitalet, falas shkollimin. Partia e Punës, mendonte për popullin dhe atëherë zbatohej një parullë që sot kërkohet përsëri: “Ç’donte populli bënte partia dhe ç’thoshte partia bënte populli”. Mos të harrojmë se është industria që ndërtoi Partia e Punës ato që sot po jetojnë shqiptarët. Kanë kaluar 20 vjet dhe ky sistem nuk ka ndërtuar asnjë hidrocentral, por po jeton me hidrocentralet tona.

Çfarë do të sillni ndryshe në këto zgjedhje?

Ne jemi partia që do të zbatojmë ligjet shqiptare. Përpara ligjit janë të gjithë njëlloj. Ne jemi një parti e konsoliduar dhe si e tillë ne do të luftojmë korrupsionin i çfarë do niveli qoftë ai. Do të sekuestrojmë të gjithë pasurit e paligjshme që kanë fituar persona të veçantë dhe që sot fshihen nga petku i pushtetit. Do të luftojmë krimin, i cili sa vjen dhe po rritet në Shqipëri. Do të luftojmë drogën, trafikimin dhe rinisë do t’i japim atë që meriton.

Cili është mendimi juaj për pretendimet që kanë partitë e madha për Qarkun e Beratit?

Në radhë të parë unë do të thosha se në Berat është vështirë të fitosh, pasi ky qytet ka 20 vjet që ndihet i braktisur nga Qeveria. Por këtu do të thosha se LSI, po kryen një fushatë të hapur, por për pretendimet që kjo forcë politike ka, është vështirë që t’i arrijë.

Me kë do të bëj koalicion Partia e Punës?

Ne si parti do të bëjmë koalicion me Partinë Socialiste dhe me asnjë parti tjetër, pasi dhe programet ne i kemi afërsisht të njëllojta.

Pretendimet elektorale

Ne kemi pretendimet tona për të fituar një deputet në Qarkun e Beratit dhe do ta fitojmë atë. Ne nuk japim premtime boshe. Ne të Partisë së Punës atë që e themi e bëjmë realitet dhe këtë realitet do ta tregojmë pas zgjedhjeve. Ne jemi surprizë për zgjedhje në Qarkun e Beratit. Ne ju bëjmë thirrje partive të mëdha, që të na llogarisin dhe neve.