Parlamenti ka miratuar sot Buxhetin 2017

480
Sigal

Parlamenti ka miratuar sot Buxhetin 2017 me 80 vota
ndërsa opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Por ndryshe nga buxheti, maxhoranca
ka qenë e ndarë për koncesionin e laboratorëve, pasi është rrëzuar edhe kërkesa
e LSI­-së për pezullimin e financimit të partneritetit publik­-privat për
laboratorët spitalorë.

Kuvendi hodhi poshtë me 63 vota kundër amendamentin
e paraqitur nga LSI, i cili kërkonte që fondet e parashikuara për laboratorët
spitalorë të përdoren për qëllime të tjera të shërbimeve spitalore, në rast të
dhënies me koncesion të këtij shërbimi. Kreu i grupit parlamentar të LSI,
Petrit Vasili kërkoi që asnjë fond të mos lëvizi nga ministria e Shëndetësisë,
deri sa kjo nismë e qeverisë të jetë e plotë dhe e qartë për të gjithë.

Në përgjigje të kërkesës së z. Vasili, ministri i
Financave, Arben Ahmetaj tha se amendameti i paraqitur nuk mund të hidhet në
votim, duke qenë se fondi për koncensionin nuk është paraqitur në tabelat e
ligjit të buxhetit. Por, deputeti Vasili kërkoi hedhjen në votim, duke qenë se,
sipas tij, tabela e investimeve është tabelë integrale e ligjit të buxhetit,
dhe në tabelën integrale është planifikuar.

Në këtë situatë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta
theksoi se amendamenti do të hidhet në votim duke qënë që këshilltarët e
Komisionit të Ekonomisë e kanë pranuar si propozim amendamentin e paraqitur nga
z. Vasili.

Seanca e sotme miratoi gjithashtu dhe tre pr/ligje,
të propozuara nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike,
që parashikojnë krijimin e lehtësirave në ofrimin e shërbimeve publike. Me 81
vota u miratuan ndryshimet në ligjin “Për nënshkrimin elektronik”; dhe
ndryshimet në ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”,
ndërsa ndryshimet në ligjin “Për dokumentin elektronik” u miratuan me 80 vota.

Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë, ndërmjet
palës shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për
projektin “Shqipëria: plani i ristrukturimit të KESH-t” u miratua me 81 vota.

Anëtarët e rinj të Autoritetit të Konkurencës,
Juliana Latifi dhe Ilir Gedeshi u miratuan përkatësisht me 67 vota dhe 65 vota.

Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro dhe pr/rezolutën “Për vlerësimin e
Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, ndërsa Kuvendi miratoi edhe Kodin
hekurudhor, i mbartur për votim nga seancat parardhëse.

Kuvendi miratoi me 81 vota pro p/ligjin “Për disa
ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e
Shqipërisë”, të ndryshuar. Me 79 vota pro u miratua p/ligji “Për

taksat kombëtare”, të ndryshuar .

Me 81 vota pro u
mirtua – Projektligji “ Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008,
“Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar 81 vota pro
Me 80 vota pro u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë
28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.