Parlamenti i shpërndarë, 112 deputetë kanë dorëzuar “letra” shpenzime udhëtimi, fjetje e ushqimi për shërbime në zona!

117
Nuk rresht babëzia e shtetarëve, për të përlarë çfarë të munden deri sekondën e fundit të pushtetit, duke sajuar takime, aktivitete e punë të pa kryera. Një rast i tillë, del nga brenda zyrës së financave të Kuvendit të Shqipërisë. Punonjëset e kësaj zyre, janë gjendur këto ditë gushti, përballë një fenomeni, që përbën abuzim financiar me fondet publike. Sipas informacionit, disa deputetë aktualë që do të jenë të tillë edhe për 4 vitet ardhshme, por shumica deputetë që nuk do të jenë më të tillë në 4 vitet e ardhshme, janë “vërsulur” në zyrën e financave të kuvendit, duke e mbushur me kërkesa për pagesa dietash shërbimi në zona. Sipas informacionit, thuhet se janë 112 deputetë aktualë, të cilët kanë paraqitur “fletë shërbimesh” për të marrë pagesa shpenzimesh, që gjoja i kanë kryer për udhëtime, ushqim e fjetje në hotele të zonave ku ata janë deputetë, duke deklaruar se kanë qenë me shërbim për takime me popullin. Sipas ligjit në fuqi, të ndryshuar më 25 dhjetor 2014 (me shtim privilegjesh), duke nisur nga 1 janari 2015, deputetët kanë të drejtë të përfitojnë pagesa për shërbimet që kryejnë në zonat ku ata janë regjistruar si deputetë liste, duke e motivuar me termin ligjor “Shërbim në zonën zgjedhore”! Këtë të drejtë u njeh ligji, ata mund ta përdorin për të marrë pagesa e shpërblime financiare edhe ditën e fundit të mandatit, duke deklaruar me një formular “Tip”, që tregon se kanë paguar biletë udhëtimi, pagesë ushqimi dhe fjetje në hotel, “letra” këto që sigurohen lehtësisht edhe prej një rojeje komune e jo më prej një deputeti zone! Kuptohet, që kemi të bëjmë me letra fiktive, sidomos të deputetëve që nuk do të jenë më të tillë, me synimin për të zhvatur edhe ca mijëra lekë dieta shërbimesh që nuk i kryejnë! Kjo dyndje fletësh shërbimi për dieta financiare, ka nisur që në muajin korrik, sidomos prej deputetëve që ikin nga parlamenti! Nëse ata do të kishin shkuar vërtetë në zona gjatë korrikut e gushtit, do t’i kishim parë në krye ose të paktën anash popullit e zjarrfikësve që shuanin zjarret në zona. Do t’i kishim parë, në protestat që po bëjnë banorët për mungesën e ujit! Mirëpo ata shfaqen në urdhër shërbimet që plotësojnë për dieta, sikur gjoja kanë shkuar në zona, ndërkohë që janë me pushime e në bizneset e tyre brenda e jashtë Shqipërisë dhe as “ua ndien” për hallet që kanë banorët e zonave, por nën emrin e tij, për të marrë dieta deri ditën e fundit të mandatit! Kujtojmë pagesat që jep shteti për dietat e shërbimeve në zona, janë me vlerë të madhe. Deputeti që është banor i Tiranës, përfiton 6 dieta në muaj, me nga 6271 lekë të reja secila, ose 38 mijë lekë të reja në muaj. Deputeti që nuk është banor i Tiranës, përfiton 12 dieta mujore në muaj, me nga 6271 lekë të reja secila, ose 75 mijë e 252 lekë në muaj. Kur deputeti shkon me shërbim jashtë Tiranës, përfiton 3 mijë lekë të reja për çdo natë fjetje në hotel, deri në 12 natë fjetje në muaj. Po kështu, çdo deputet zone, përfiton 35 mijë lekë në muaj, për transport publik. Llogaria totale për pagesat e dietave mujore dihet sa shkon! Kjo tabelë pagesash shtesë për dieta shërbimi në zona, shpjegon faktin që veçanërisht deputetët e ikur, të mësyjnë zyrën e financave, për të marrë këto pagesa edhe për ditën e fundit të mandatit!

P. HALILI