Sigal

Parku i Përmetit buzë Vjosës merr emrin “Aristidh Kola” me vendim të këshillit bashkiak në 2016. Ky park i është nënshtruar një rikualifikimi urban me parametra bashkëkohorë. Pranë parkut është vendosur me një bazament të dukshëm gravura me portretin e Aristidh Kolës ku shumë turistë dhe qytetarë bëjnë fotografi e me pamje Parku – Guri i Qytetit – Vjosa. Autori i kësaj vepre është skulptori Gjergji Lipe.

Aristidh Kola u lind në 8 korrik të vitit 1944 në një fshat të quajtur Kaskaveli, të banuar me arvanitas në Thivë të Greqisë. Pasi ndoqi arsimin parauniversitar në vendlindje, në vitin 1968 përfundoi studimet në fakultetin Juridik në Athinë ku edhe filloi punë si avokat. Në vitin 1980 Aristidhi largohet nga profesioni i tij si avokat për t’u marrë me studime historike, folklorike dhe linguistike mbi arvanitasit në Greqi. Në vitin 1983 anëtarësohet në shoqatën “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë” dhe do të zgjidhet disa herë kryetar i kësaj shoqate. Në vitin 1983 boton librin e tij të parë me titull “Arvanitasit dhe origjina e Grekëve”. Në vitin 1985 ishte organizatori kryesor i koncertit të parë në Greqi me këngë Arvanitase. Në vitin 1989 boton librin “Gjuha e Perëndive”. Po atë vit do të botojë librin më të suksesshëm në gjuhën greke dhe shqipe “Greqia në kurthin e Serbëve të Millosheviçit”. Një libër që tregon për komplotet dhe masakrat çnjerëzore të serbëve. Në vitin 1996 Aristidh Kola tërhiqet nga drejtimi i lidhjes së Arvanitasve të Greqisë për t’u marrë me studimet pellazgjike. Mbas një pune të madhe dhe të lodhshme, kolosale, papritur Aristidh Kola sëmuret nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme që i mori jetën më 11 tetor të vitit 2000. Aristidh Kola, në vitin 1995 është dekoruar nga Presidenti i atëhershëm Sali Berisha me urdhrin “Ismail Qemali” dhe mbas vdekjes, ish-presidenti Mejdani e nderoi me dekoratën “Naim Frashëri” të klasit të parë. Në Kosovë u nderua nga kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi me “Certifikatë mirënjohjeje”, ndërsa bashkia e qytetit të Skënderajt e shpalli “Qytetar Nderi”.

Përgatiti për botim: Muharem Kamani