Parazitët e organizatave të medias dhe gjendja e mjerueshme e shtypit shqiptar

524
Çështjet kryesore të medias në Shqipëri u diskutuan dje në një Forum për Zhvillimin e Medias, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, Autoritetin e Mediave Audiovizive, transmetuesin publik kombëtar (RTSH), Bashkimin Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe Këshillin e Europës. Në hapjen e forumit, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig tha se, vihet re një disbalancë e theksuar ndërmjet stacioneve televizive private të avancuara, dhe transmetuesit publik kombëtar të margjinalizuar. Raunig theksoi se Prezenca e OSBE mbështet plotësisht anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH që të zgjedhin sa më shpejt dhe në mënyrë të pavarur drejtuesin më të lartë të transmetuesit publik kombëtar. Shefja e Delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin tha se liria e shprehjes është një tregues kyç i një shoqërie të lirë dhe një demokracie funksionuese. Ju jeni jashtëzakonisht të rëndësishëm – njohuritë tuaja, pavarësia juaj, integriteti juaj. Nuk është një betejë e lehtë, por ia vlen çdo përpjekje”, tha ajo. Forumin e kanë përshëndetur edhe Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollo. Gjatë forumit u prezantua edhe një udhëzues për gazetarinë investigative në Shqipëri “Zbardhja e të vërtetës”, përgatitur nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative Shqipëri (BIRN Albania) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së. 
Natyrisht që kjo nuk është veprimtari e parë dhe e fundit që zhvillohet për problemin e mediave në Shqipëri, megjithatë ajo pak ndikon në përmirësimin e gjendjes së vështirë të shumë gazetave dhe mediave vizive. Si në shumë veprimtari të tjera që mbështeten nga donatorë të huaj, partnerë të këtij aktiviteti kanë qenë një institut parazit mediash dhe një shoqatë po ashtu parazite, të cilët s’kanë kurrfarë ndikimi, përkrundrazi janë bërë urë me pushtet që vijën dhe ikin dhe që janë përfitues të fondeve të mëdha. Ky institut dhe kjo e ashtuquajtur shoqatë gazetarësh nuk shqetësohet aspak për një mori gjyqesh që përballen gazeta dhe drejtues mediash me pushtetarë të djeshëm dhe të sotëm, me deputetë e ministra, me gjyqtarë dhe prokurorë, më kërcënimet dhe dhunimet e ndryshme dhe shumë shqetësime të tjera.
Sigal