Paratë e pista, gjykata bllokon 500 mijë euro të dy norvegjezëve që do bënin fusha golfi

482
Sigal

 

Gjykata e
Tiranës ka lënë në fuqi sekuestron mbi një shumë prej 500 mijë eurosh të sjellë
në Shqipëri nga dy shtetas norvegjezë. Togat e zeza kanë refuzuar kërkesën për
lirim nga masa e sekuestros të një shumë prej gjysmë milioni euro, bllokuar në
llogaritë e dy shtetasve norvegjezë në banka të nivelit të dytë në Shqipëri.
Shuma prej 500 mijë eurosh u bllokua në mars të vitit 2016, pas dyshimeve të
Prokurorisë, se të zotët e tyre ishin përfshirë në skema të pastrimit të
parave. Bëhet fjalë për llogari në emër të shtetasve O. Johansen dhe J.B.
Nilsen. Sipas Prokurorisë, dy shtetasit norvegjezë kanë regjistruar dy shoqëri
tregtare në Shqipëri. Më tej ata kanë hapur llogari në banka të nivelit të dytë
në vendin tonë. Në mars të vitit 2016, në llogarinë e O. Johansen ka mbërritur
një transfertë me vlerë 200.000 euro nga Filipinet. Disa ditë më vonë, po nga i
njëjti vend është bërë një transfertë prej 300 mijë eurosh në llogarinë e J. B.
Nilsen. Prokuroria ngriti dyshime ndaj tyre, për shkak të disa orvatjeve të tyre
për të kryer transferta të tjera në shuma të mëdha, si dhe shitjeblerje
aksionesh mes shoqërive të tyre.