Paratë e drogës dhe konsumi “zhysin” euron

701
Monedha e përbashkët ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme rënien, e cila ka qenë e pandalshme muajin e fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 131.45 lekë, duke rënë me 0.12 lekë në raport me ditën e mëparshme. Duke filluar nga muaji shkurt e deri më sot, monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të lehtë vetëm për 4 ditë, ndërsa gjithë periudhën tjetër është nënçmuar, duke vendosur javën e fundit përditë një rekord të ri të 10 viteve të fundit. Edhe dollari ka qenë në rënie së bashku me pjesën më të madhe të shportës së valutave të huaja, duke treguar për nivelin e fortë të monedhës shqiptare. Një dollar këmbehej dje me 106.33 lekë, me një rënie prej 0.37 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke arritur në nivelin më të ulët të katër viteve. Në bursat ndërkombëtare euro vijoi të luhatej në rreth 1.23 dollarë. Në raport me një vit më parë, euro është mbiçmuar me 15.1% kundrejt dollarit. Ekspertët e tregut pohojnë se arsyet e forcimit të lekut ndaj monedhave lidhen pothuajse tërësisht me faktorë të brendshëm, ku ndër më kryesorët është oferta e lartë për valutë. Rritja e ofertës për valutë është konstatuar që në fund të vitit 2016 dhe ka vijuar e tillë përgjatë gjithë vitit 2017, ndërsa po konstatohet dhe në muajt e parë të vitit. Ndonëse gjatë vitit 2017 nuk rezulton të ketë pasur prodhim masiv të kanabisit, kapjet e sasive të mëdha në kufi (rasti më i fundit ishte në Gjirokastër e Tepelenë) tregojnë se rezervat kanë qenë të mëdha. Nga ana tjetër dhe kapja e një sasie rekord kokaine në Portin e Durrësit prej 613 kg, ishte një tregues se paratë e fituara nga kanabisi po investohen në droga të tjera më fitimprurëse, të cilat po ndikojnë në rritjen e ofertës për valutë në treg. Rritja e ofertës për valutë në treg është konstatuar dhe në tregun e pasurive të paluajtshme, ku ekspertët e real estate kanë konstatuar një rritje të blerjeve të apartamenteve apo trojeve. Arsye të tjera që po e mbajnë euron të dobët lidhen me nivelin e ulët të qarkullimit të lekut, kërkesën e dobët për valutë nga kompanitë e huaja që transferojnë fitimet. Në kahun tjetër kompanitë që kanë të ardhura në valutë i këmbejnë me lekë për të paguar taksat. Ndërsa kjo është një periudhë e vakët për turizmin dhe prurjet e emigrantëve. Efekt vlerësohet se po jep dhe politika e de-euroizimit të Bankës së Shqipërisë, e cila po dekurajon futjen e valutës në banka, duke qenë një faktor më shumë në rritjen e ofertës. Ekspertët presin që, nëse do të vazhdojë kjo tendencë, euro të bjerë akoma më shumë, sidomos në periudhën e verës, kur turistët dhe emigrantët e shtojnë më tej ofertën e valutës.
Sigal