Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane: Shmangni protestën!

452

Ambasada Amerikane ka paralajmëruar shtetasit amerikanë rezidentë në Shqipëri, që të shmangin zonat ku do të zhvillohet protesta e opozitës mbrëmjen e së shtunës.

Njoftimi standard që lëshohet 24 orë para protestës së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u shpërnda përmes faqes së internetit të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë.

“Një protestë pritet pranë Kryeministrisë, duke nisur nga ora 19:00. Protestuesit mund të lëvizin në zona të tjera të Tiranës dhe kohëzgjatja e protestës nuk dihet”, thuhet në njoftim.

Si paralajmërim, Ambasada kujton se protestat e fundit të opozitës kanë patur dhunë. “Forcat e sigurisë kanë përdorur ujin dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat”, vijon njoftimi.

Ambasada sqaron se personeli i saj dhe familjarët e tyre do të shmangin lëvizjet në zonën ku nis tubimi, por edhe pikat ku parashikohet që të lëvizin protestuesit.

“Shmangni zonat ku grumbullimi i protestuesve është i pashmangshëm”, këshillon ambasada.