Paraja dhe zotërit e saj

620
Vjollca Tiku Pasku
Njerëzit vlerësojnë paranë, me figura milionerësh, që kalojnë si hije të shekujve nëpër duart e ftohta. Disa i puthin paratë dhe i ruajnë brenda errësirës së një sirtari, ku dëgjohet vetëm tiktaku i molës së vjetër. Ky thesar i botës së lashtë, tërheq bastisjen dhe nevojën për ta rrëmbyer e për ta përdorur në drejtime jete të fshehta e të errëta. Shpirtra të ndershëm ngrenë lutjet e tyre, si temjani drejt qiellit, sepse e kanë këtë letër, si një erë që vjen pa freski. Të lodhur ose pa mund e djersë për ta fituar, kjo letër, herë lë melankolinë, herë urinë dhe herë një krizë nervash. Burgu i varfërisë, zbeh fytyrën, hap plagë, ku insektet i lëpijnë dhe i mbyll shpirtrat në vetmi. “Qofsh mallkuar moj jetë, moj botë, moj para e keqe, që kurrë nuk qëndron në dorë!”, ulërijnë ata me të madhe. Në dhomat e vjetra, ku era mykut përhapet në ajër e trishtuar, luftojnë shpirtra në heshtje, kthehen në të djathtë e në të majtë: “Para, qofsh e mallkuar!”. Në një pjatë, të harruar pa larë, janë rritur krimba që lëvizin, si qelizat e kancerit, që brejnë deri në fund trupin e pajetë. Ankesat e një shpirti, që mallkoi paranë, merimanga i endi në një pëlhurë, O Zot sa e madhe u bë kjo pëlhurë, ku u rrotulluan mijëra shpirtra, mijëra mallkime, si të ishin gjahu i merimangës. Mallkuar qofsh para e pashpirt, thua se ka shpirt një copë letër që e përdorin njerëzit! Në ditët gri e të zeza, ngrihen ëndrra luksoze, mbi miniatura të vdekurish ngrihet e qeshura djajve nën tokë. Shkopi i vdekjes kryqëzon pelegrinët e ndershëm, që duan sado pak drejtësi. Paraja është Zoti i shkëmbimit jetik. Mbi kartëmonedhat me figura të vdekshme, kalojnë duar të buta përkëdheljesh. Në net me hënë dhe pa hënë, sytë xhirojnë shitje të trupave femërorë, si të ishin mëndafshe, shesin pluhurin e bardhë, si të ishte pluhur magjik i ëndrrave. Shpirtra skllevër, që nuk kanë asnjëherë ndjenja humane. Zoti para, është në tokë, ai ka vetinë të rritet të zmadhohet, të jep pushtet, fuqi, por kurrsesi lumturi, dashuri, ndjenja të paqta. Këta shpirtra privohen të ndjejnë një këngë zambakësh, apo një psherëtimë trëndafili, apo një filtër drite. Gjumi i tyre shndërrohet herë në makth e herë i harruar u drobit trupat. Vetë ëndrrat dridhen në kataraktet e syve të verbër… Por zëri i një shpirti drite, thërret: “Paraja nuk është mallkim, nuk është Zot, është nevojë!” Britma e buzëve të gjalla ushton për të fshirë rrjetat e varfërisë dhe pangopësinë e torturuesve të të verbërve. Unë pyeta për emrin e këtij shpirti. -Jam Shpresa – u përgjigj dhe u largua lart në qiell, në ditën e re që po lindte… Disa e dëgjuan dhe orientuan busullën e anijes së tyre të mendimit drejt shërbimit që mund t’i bënin kësaj bote. Shumë të tjerë që kishin vënë paranë si busull, dëgjuan zërat e rremë të sirenave-para, duke shkuar drejt humbjes, pa menduar që kursi i busullës së mendimit duhet të ketë katër drejtimet; dashurinë, dijen, besimin, mirësinë. Udhëtimi me to në jetë bëhet më lehtë dhe më i bukur. 
Sigal