Paradoksi, shqiptarët më të varfër në Evropë, por optimistë për ekonominë

586
Shqipëria vendi i çudirave. Studimet e ndërkombëtarëve e paraqesin situatën normale dhe vet shqiptarët flasin për ekonomi të qëndrueshme
Në kulmin e varfërisë, shqiptarët flasin për ekonomi të mirë dhe të qëndrueshme. Paga më e ulët në Europë, biznese që çdo ditë falimentojnë, konsumi për frymë në rënie, pensione të ulëta. Janë të gjitha këto fakte që raportohen çdo ditë nga të dhënat e brendshme. Por ndryshe duket situata nga jashtë. Një studim i Eurobarometrit, kryer për llogari të Komisionit Evropian për shqiptarët, tregon se vendi ynë qenka në nivele te kënaqshme dhe se shqiptarët nuk kanë pse ankohen e të largohen për jetë më të mirë. Gjithçka duket si paradoks. Nga njëra anë kemi varfërinë të ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare, (përjashto këtu politikanët dhe bisnesmenët e mëdhenj si dhe trafikantët e drogës) dhe nga ana tjetër kemi raportet që na flasin për një realitet krejt ndryshe. Sipas Komisionit Europian, pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike e vendit është e mirë. Përfundimi ka dalë nga një vrojtim, i kryer nga eurobarometër, për llogari të Komisionit Europian. Sipas vrojtimit, 55 për qind e shqiptarëve mendojnë se gjendja ekonomike e Shqipërisë është përgjithësisht e mirë, 44 për qind e vlerësojnë atë përgjithësisht të keqe, ndërsa 1 për qind nuk ka dhënë asnjë vlerësim. Eurobarometër ka pyetur 1083 persona, gjatë periudhës nga 20 deri në 28 maj të këtij viti, që përkon me çeljen e fushatës elektorale. Intervistat janë zhvilluar ballë për ballë dhe rezultatet u publikuan në faqen zyrtare të Komisionit Europian dy ditë më parë. Ky është një vrojtim periodik, që komisioni e bën për të gjitha vendet anëtare dhe ato kandidate. Sipas tij, krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar, pjesa e shqiptarëve që e vlerësojnë të mirë gjendjen ekonomike është rritur me 20 pikë përqindje. Por rezultati më surprizë, është se shqiptarët e vlerësojnë më pozitivisht ekonominë edhe se sa qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, ndonëse i kanë të ardhurat për frymë 3.3 herë më pak se ta. Sipas vrojtimit, në BE, janë vetëm 45 për qind e qytetarëve që e vlerësojnë si të mirë situatën ekonomike të vendit të tyre, ndërsa 51 për qind mendojnë se ajo është e keqe. Ky paradoks, duket se nuk i ka bërë përshtypje shumë ekspertëve të Komisionit Evropian, të cilët kanë nxjerrë përfundimet e studimit dhe i kanë publikuar ato në faqen zyrtare. Në raport nuk thuhet se në cilën pjesë të vendit, u krye studimi, cila kategori e qytetarëve morën pjesë në të dhe si. Studimi i publikuar nga Komisioni Europian, mund të lidhet me disa çështje. Një nga këto ka të bëjë me parandalimin e braktisjes së Shqipërisë nga një pjesë e madhe e qytetarëve, kryesisht të rinjtë. Vendi ynë vitet e fundit është duke u përballur me një eksod të ri. Pak javë më parë Gallup, publikoi një sondazh ku reflektohej qartë dëshira e të paktën 56% e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi. E, të ndodhur përballë një situate të tillë, studimi i publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian, duket i pabesueshëm. 
Sigal