Paradoksi, kryeministri batuta me gjyqtarë, por harron pedagogët e korruptuar

679
Nga Lindita MALO
Kryeministri Rama ripërsërit fjalimin e Vlorës, leksione antikorrupsion në Universitetin e Elbasanit
Kryeministri Rama ka zgjedhur Universitetin e Elbasanit “A. Xhuvani” ditën e djeshme, për të mbajtur para afro 250 pedagogëve, dekanëve dhe rektoratit, një leksion “antikorrupsion”, duke lëshuar sërish akuza ndaj sistemit të drejtësisë, gjykatave dhe organeve të hetimit, duke treguar histori me roje parkingu, por duke harruar se ata që ishin dhe duartrokisnin kryeministrin, kanë qenë, apo edhe janë denoncuar pikërisht për korrupsion nga studentët dhe organet e hetimit. Por pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama mbajti një leksion të hapur me studentët në Universitetin e Elbasanit, ku sërish nënvizoi domosdoshmërinë e vettingut për organet e drejtësisë. Në fjalën e tij Rama ndër të tjera tha se “një mollë e kalbur kalb gjithë arkën thotë populli, ju siguroj që në sistemin tonë të drejtësisë ka pa diskutim personalitete e kapacitete, por të gjitha këto janë të asfiksuara për shkak se pushtetin në sistemin e drejtësisë e kanë kriminelët me plot gojën. Nuk di si ta quaj ndryshe një gjykatës apo prokuror që vepron në “emër të popullit e kushtetutës” për të mbrojtur interesat e krimit dhe të kriminelëve. Pse nuk ka asnjë sekondë për të humbur, për faktin e thjeshtë se sot është e hënë, dhe në gjykata zhvillohen gjyqe. Askush nuk garanton dot se në momentin që ne po flasim, nuk është duke u bërë krim apo padrejtësi ndaj atyre që kërkojnë drejtësi dhe një favor ndaj atyre që përmes padrejtësisë së gjykatës i ikin drejtësisë. Janë qindra rastet e personave të arrestuar nga policia për vrasje, përdhunim, grabitje me dhunë që janë liruar në sallë. Pasi gjykatësit i kanë liruar janë bërë përsëritës së të njëjtave krime. Kanë vrarë e përdhunuar e grabitur me dhunë përsëri. Ja sesi gjykatësit për arsye që s’kanë lidhje fare me Kushtetutën e ligjin, por që kanë të bëjnë me lidhjen e afërt, e ngushtë me këta kriminelë janë bërë bashkautorë në krimet e tjera. Kush na garanton që sot që flasim një vrasës nuk është duke dalë nga salla e gjyqit. Për batutë Rama tha se me gjithë këtë vetting do të hapen shumë vende pune për studentët e juridikut. Më tej Rama tha se “reforma në drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet, se në fund fare të gjitha problematikat dhe kontestimet brenda marrëdhënieve tona shoqërore, të individëve me shtetin përplasen në gjykatë dhe janë gjykatat ato që mbajnë një shtet në drejtpeshimin e duhur. Kush është hapi i parë? Vettingu i prokurorëve dhe gjykatësve për të ndarë gjykatësit dhe prokurorët që i kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të shërbyer në funksion të një drejtësie të drejtë me gjykatësit dhe prokurorët që s’mund të rrinë as 1 minutë më tepër ne pallatin e drejtësisë”. Në fjalën e tij Rama ka treguar edhe histori me “roje parkingu, procese gjyqësore ndaj të fortëve”, duke dashur të tregojë se, “organet e drejtësisë janë ato që gabojnë, përfitojnë, dhe turpërojnë vendin në sytë e botës”. 

INFORMACION MBI KORRUPSIONIN NE UNIVERSITETIN E ELBASANIT
( PERIUDHA 2013 – 2016 )
1. Pedagogët që janë denoncuar nga studentet për mitmarrje.
A. P merr 100 deri 150 euro për provim
A. S merr 150 euro për provim
R. U merr 150 euro për provim
Y. A. merr 150 euro për provim
N. S 170 euro për provim
J. K 100 euro për provim
I. Y merr 100 mijë lekë shqiptare
E. L merr 200 mijë lekë shqiptare për temat e diplomës
A. M merr 200 mijë lekë për provim
M. R merr 150 mijë lekë për provim
B. R merr 150 deri 200 mijë lekë për provim
A. B prej 3-4 vitesh hetohet nga Krimi Ekonomik për mitmarrje
I. B merr 150 deri 200 mijë lekë për provim
B. G merr 150 mijë lekë për provim
A. I merr 200 mijë lekë për provim
F. K merr 150 mijë lekë për provim 
R. L merr 150 mijë lekë për provim
P. L merr 150 mijë lekë për provim
B. H merr 150 mijë lekë provim
M. B merr 150 deri 200 mijë për provim
C. L. merr 150 euro për provim

Ka pedagogë me lidhje nepotike, burrë e grua, madje edhe të huaj që bëjnë kurse private tek familjarët e tyre duke i marrë vlerat monetare në një mënyre tjetër të kamufluar, por që në fund të fundit, është e paligjshme. Në listën e Krimit Ekonomik janë edhe 118 emra të tjerë pedagogësh që kanë vite që përgjohen dhe hetohen dhe një pjesë e tyre kanë përfunduar në prokurori, janë arrestuar apo kanë përfunduar në gjykata.

PROBLEMI DOKTORATURAVE SHTEG TJETËR KORRUPTIV
– Prej 4-5 vitesh funksionon si një trust Këshilli Profesorëve, që e ka kthyer në monopol dhënien e gradave, pasi janë dhënë dhe jepen grada shkencore, edhe kur ky këshill nuk e ka të drejtën ligjore t’i japë. Faktikisht grada shkencore, Universiteti Elbasanit ka të drejtën t’i japë vetëm për Albanologji. Por janë dhënë edhe për Ekonomi, Histori, edhe edhe deri tek Infermieria etj. Kontrolli i fundit i KLSH ka nxjerre rezultate skandaloze te drejtimit të UE në periudhën 2013-2016. Në 8 vitet e drejtimit të UE nga ish-Rektori janë dhënë mbi 20 milion euro për investime, dhe nuk janë investuar as gjysmat e parave, fonde te buxhetit te shtetit. 

– Problem mbetet pranimi ose rekrutimi pedagogëve të rinj. 25 të tillë janë me master dhe doktoraturë të blerë në Strugë dhe Bullgari, ndërkohë që edhe Lindita Nikolla prej 2 vitesh nuk akrediton pra nuk jep “OK” për shumicën prej tyre, duke e quajtur të papranueshme legalizimin dhe punësimin e tyre në fakultetet e UE. Sipas zonjës ministre “Gradat Shkencore të 25 pedagogëve të Elbasanit janë të dyshimta, janë të parregullta nga pikëpamja ligjore, duhet të kalojnë në filtrat të tjerë”. Një pedagoge dyshohet se ka falsifikuar në 2012 edhe Diplomën e shkollës lartë, dhe ka paraqitur tek Rektorati dokumentacion të falsifikuar. Po kjo pedagoge, ka paraqitur gradën shkencore “Doktore” e cila sipas saj është fituar në një nga universitetet e Italisë me një afat prej tre muajsh. Një skandal i paparë, por që është pranuar nga ish-Rektorati. Ky krim ekonomik është denoncuar edhe nga disa pedagogë që padrejtësisht nuk u pranohen dosjet e garimit për grada shkencore nga Këshilli Profesorëve, pasi nuk pranojnë të bëhen pjesë e aferave korruptive. Universiteti ka shpenzuar mbi 2.5 milion euro për sistemin e ngrohjes, një skandal i padëgjuar, ndërkohë që nuk funksionon pothuajse fare. Më flagrante mbetet mbyllja e dosjeve të vjedhjes së milionave nga drejtuesit aktualë të këtij Universiteti. Ka një urdhër të brendshëm që qarkullon prej disa muajsh. “Asnjë denoncim dhe asnjë kallëzim penal për kolegët, le ti gëzojnë paratë e vjedhura, le të mos e gjejnë nga ne të keqen”. Ndërkohë vetëm në 2 vitet e fundit Këshilli Profesorëve ka dhënë në mbi 10 raste tituj dhe grada shkencore edhe kur është konstatuar se pretendentët, pra pedagogët kanë bërë plagjiaturë apo edhe marifete të tjera., kuptohet kundrejt detyrimeve të tjera. Pesë anëtarë të Këshillit të Profesorëve në Universitetin e Elbasanit janë prej Universitetit të Tiranës. Këta të fundit në shumicën e rasteve nuk kanë qenë dakord me votën “PRO” të pjesës tjetër të anëtarëve të Këshillit Profesorëve që janë pedagogë të Elbasanit, pasi bien në kundërshtim me ligjin, kriteret dhe udhëzimet e MAS. Në çdo rast që është kundërshtuar dhënia e gradave shkencore, është vënë në dijeni edhe Ministria e Arsimit . 
Sigal