“Para dhe s*ks, ose të publikuam fotot”, pranga dy personave në Fier

273

Policia e Fierit ka arrestuar dy persona për kanosje e shantazh me qëllim përftimi.

Operacioni policor i koduar “Koshovica” çoi në pranga shtetasit G.M, 44 vjeç dhe J.Sh, 46 vjeç, të dy banues në Cakran.

Arrestimi i tyre u bë nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit.

Dy të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shantazhuar dhe kërcënuar një shtetase, duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, shtetasit e sipërpërmendur kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.

Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.