Paparaci ‘Politikanët’/ “Unë e kam vendin në burg”

533
Sigal

Ismail H. Xhaferri

Unë kam vendin në burg,
S’di përse s’më keni marrë?!
Në burg se s’kam shkelur ligjin,
Se s’kam prerë e se s’kam vrarë.

 

Unë e kam vendin në burg,
Ndaj durimi më është sosur,
Mirë që nuk kam vrarë njeri,
Por për turp as kam plagosur.

Unë e kam vendin në burg,
U bë kohë që ju kam pritur,
Se me maskë dhe me kallash,
Ndonjë bankë nuk kam grabitur.

 

Unë e kam vendin në burg,
Më rreh gjaku nëpër deje,
Se kur ishin armët sheshit,
S’mora asnjë armë pa leje.

 

Unë e kam vendin në burg,
Ju më shihni si gogol,
Turp që 28 vjet,
Nuk hodha një herë tritol!

 

Unë e kam vendin në burg,
Ju më ngroheni në diell,
Sa herë që ka patur zgjedhje,
Nuk kam marrë një thes me mielll!

 

Unë e kam vendin në burg,
Betohem për Jezu Krisht!
Se kur shiteshin diploma,
S’desha të bëhem jurist.

Unë e kam vendin në burg,
Se nuk është aspak e fisme,
Kur kam thënë se Genci Ruli,
Është një hajdut me çizme.

Unë e kam vendin në burg,
Të përplas kokën e kembën,
Kam thënë se Arben Ahmetaj,
Financës i bëri gjëmën.

Unë e kam vendin në burg,
Atje të m’a shtypni kokën,
Se kam thënë për Edi Ramën,
Që PS i ka bërë gropën.

 

Unë e kam vendin në burg,
Si më lini të lirë mua!
Jam një socialist i bindur,
Që rilindjen nuk e dua.

 

Unë e kam vendin në burg,
Sa më shpejt e sa më parë,
Bashkë me Jorgo Mandilin,
Gjithë qeveritë kemi sharë!

Unë e kam vendin në burg,
Ne mendjen duhet ta mbledhim,
Se liria iu takon,
Gjithë ministrave që vjedhin.

 

Se liria i takon,
Bodes e Gencit të Rule,
I takon shokut Mynyr,
Edhe shokut Dhori Kule.

Se liria duhet të kenë,
Ca trima në polici,
Që bënë trafik sa u lodhën,
S’di pse rrinë në arrati?!

 

Se liria u takon,
Gjithë gjyqtarve faqenxirë,
Sepse vetëm falë atyre ,
Kriminelët janë të lirë.

 

Unë e kam vendin në burg,
Mirëpo shoh që të gjithë heshtin,
Se liria u takon,
Atyre që bënë Gërdecin.

Unë e kam vendin në burg,
Madje më çoni të parin,
Liri kanë ata që bënë,
Gjak 21 janarin.

 

Të gjithëve që bëjnë çfarë duan,
Shumë herë u kam hyrë në hak,
Ndaj e them me zë të fortë,
Unë dhe burgun e kam pak.

Pushtetarë, o pushtetarë!

Vodhët ne, e vodhët shtetin,

S’qenka turp të jesh hajdutë,

Turp të kenë ata që s’vjedhin