Panik natën në mes të dallgëve në Vlorë: Veliera italiane shpëtohet nga kufitarët shqiptarë

183

Tre shtetas ukrainas  në bordin e një veliere italiane kanë parë tmerrin me sy gjatë natës kur për shkak të motit të keq, ata kanë përfunduar në gjirin e Vlorës dhe madje kanë kapur tokë.

Veliera me flamur italian “Stela Blue” me të cilën ata ishin nisur nga porti i Barit në drejtim të Korfuzit ka humbur drejtimin dhe të tre lundërtarët kanë përfunduar në veri të Treportit me barkën që po përmbysej.

Policia kufitare shqiptare njoftoi se rreth orës 1:15 u njoftua nga salla e kufirit se një mjet lundrues velierë, me emrin “Stela Blue” me flamur italian, 3 shtetas ukrainas në bord,  e nisur nga porti i Barit për në Korfuz,  për shkak të kohës së keqe ishte ngatërruar duke u kthyer në gjirin e Vlorës, duke u afruar në drejtim të portit.

Velieri kishte dalë në tokë në veri të Treportit duke ngatërruar destinacion dhe më pas ka pësuar defekt duke rrezikuar të përmbyset.

Rreth orës 8:00 është nisur një mjet i Policisë Kufitare dhe një mjet i shërbimeve portuale RM Rodon-II, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e velierës afër bregut, duke e ankoruar atë për të mos rrezikuar mbytjen si dhe për t’i dhënë mundësinë personave drejtues të tyre të riparojnë defektin e shkaktuar.

Policia tha se nuk u rrezikua jeta e njerëzve, por pati dëme të vogla materiale.