Pangallos: Jam krenar që gjysma e gjakut tim është shqiptar

1345
Nga Dr. Nuri DRAGOJ

Vijon nga numri i kaluar
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, përherë në udhëkryqe të historisë
Korrupsioni politik dhe roli i intelektualëve
Në marrëdhëniet shqiptaro-greke kemi edhe fenomene të tjera të çuditshme, të cilat i zbuloi skandali i njohur i eshtrave të ushtarëve grekë në Kosinë të Përmetit dhe më gjerë, që rezultuan se ishin eshtra të banorëve shqiptarë. Mirëpo në zhvarrimin e eshtrave të grave dhe fëmijëve u vu re dhe prania e përfaqësuesve të shtetit grek dhe të kishës së ashtuquajtur Autoqefale Shqiptare, e cila drejtohet po nga grekë. Kjo tregon që ne këtu kemi një problem vërtetë të madh, ku shteti shqiptar i ka braktisur qytetarët e vet, dhe aty po funksionojnë pushtete të fshehta, pushtete ilegjitime, siç është ai i konsullit apo pushteti i Janullatosit, i cili bën si të dojë, ndërton varreza dhe memorialë pa pasur leje, i paraqet si memorialë greke. Të gjitha këto janë vepra dhe akte të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë tepër të rrezikshme, jo vetëm për paqen e harmoninë në këto zona, që janë të pastra shqiptare, por janë akoma më të rrezikshme kur në këto zona ka vërtet minoritet grek, kur ngrihen struktura paralele, të cilat nuk identifikohen me shtetin shqiptar, duke avancuar në objektivin e krijimit të një zone ekstraterritoriale, para të cilave ndonjëherë vërehet dhe heshtje apo gjunjëzim i politikës shqiptare. Nëse çështje të tilla nuk zgjidhen sot, nesër mund të kthehen në konflikte të armatosura. Kjo çështje po diskutohet edhe në media. Unë do të dëshiroja që intelektualë të shquar shqiptar, në vend që të merren me debate të pafrytshme, mbi çështje tepër të koklavitura, duhet të merren me probleme që kanë të bëjnë me mbijetesën në aspektin ekzistencial të vet kombit, për t’i thënë ndal një ofensive, e cila kërkon të realizojë planet e mykura të megalidesë në shekullin e 21-të. Kjo ndodh sepse politika shqiptare e ka bërë të vetën përgjunjësinë, kompleksin e inferioritetit para të huajve, të cilët luajnë rol të fuqishëm edhe në opinionin e brendshëm shqiptar. Kjo ndodh edhe për shkak të korrupsionit politik. Flitet vazhdimisht për korrupsion, duke e nënkuptuar atë thjesht me terma financiarë, me para, me blerje të institucioneve apo zyrtarëve, por këtu ne kemi të bëjmë me korrupsion politik. Për interesa të çastit, për një mbështetje politike apo kapjen e një karrigeje, bëhen lëshime që dëmtojnë Shqipërinë. Politika është për të mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit, dhe nga momenti që këto interesa shiten për të pasur një mik më shumë, apo për të pasur një mbështetje politike më shumë në konfliktin e brendshëm ndërpartiak, atëherë ajo bëhet e neveritshme. Kjo është gjendja, në një kohë që ne presim të hyjmë në Evropë. Në atë Evropë që ka hyrë Greqia. Të hyjmë, ashtu të paqytetëruar, pa u bërë “evropianë”. Greqia ka hyrë. Por edhe ajo ende nuk është europianizuar. Jemi ballkanas. Ndoshta do të na duhen dekada të bëhemi “evropianë”. Por do të bëhemi. Mbase jo ne, po fëmijët tanë. Pak më shumë, fëmijët e fëmijëve. Atëherë do të jetë formuar dhe shteti. Le të presim. Siç duket, deri atëherë, do të na ndjekin pas histori të tilla me kufij e varre, me kërcënime edhe kur luajmë futboll. Megjithatë jemi fqinj. Këtë fat nuk na e ndërron kush. Fatin nuk e kemi të keq, por s’dimë ta vlerësojmë. Nuk dimë të dy palët. Ndaj le t’i shohim gjërat më qetësisht dhe të jetojmë në paqe. Jemi bijë të një Zoti. Ai ka bërë vend për të gjithë. Të mësojmë dhe nga tolerance. Të shohim çfarë mendonte dhe Pangallos.

Faji dhe fajtori vazhdojnë të mbeten të panjohur 
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë kanë ndjekur herë pas here një kurbë ulje-ngritjeje, e cila jo rrallëherë është shoqëruar me probleme, nacionalizëm të ashpër dhe cenim të interesave të fqinjit. Shqipëria, si një popull i vogël, duket se e ka pëlqyer më tepër paqen midis palëve. Greqia, herë ka manifestuar shfaqje të tilla, të shprehura edhe nga personalitete të saj, nuk ka fshehur shkaqet përse i duhet miqësia, ashtu siç nuk mungojnë dhe rastet e kërcënimit të kufijve tanë. Historia e Luftës së Dytë Botërore e ka ngarkuar Shqipërinë me një kompleks faji të pamerituar, për shkak të agresionit italian mbi Greqinë, të cilin vendi ynë, atëherë i dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, nuk kishte fuqi ta ndalonte. Por edhe pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht Caladris, më vonë Elefter Venizellosi dhe Zografoja kanë kërkuar copëtimin e Shqipërisë nëpërmjet dhënies së autonomisë minoritetit grek. Janë shumë raste mërish e konfliktesh. Diku bëhet sherr për një ndeshje futbolli, griset flamuri shqiptar dhe vritet edhe një djalë i ri, për shkak se u gëzua për fitoren. Diku zhvarrosen eshtra të shqiptarëve, duke i marrë për eshtra të ushtarëve grekë të luftës. Gjetkë shfaqet një video, ku ushtarët grek këndojnë këngë që ushqejnë urrejtje ndaj shqiptarëve dhe turqve. Në këtë anë bëhen protesta dhe digjet flamuri grek. Janë popuj inatçorë apo udhëheqës që nuk dinë, apo nuk duan të menaxhojnë situatën?

Natyrisht, është e vërtetë se midis popujve shpesh herë ka llogari që presin të dëmshpërblehen ose marrëdhënie të ciflosura që duhet të ngjiten, por ajo që është unikale ka të bëjë, jo me rrënimin e urave ekzistuese të komunikimit por me shtimin e tyre. Periudha më errët e historisë midis dy vendeve është ajo e Çamërisë. Atë e pohojnë dhjetëra personalitete greke. Shumë prej kufomave çame, të pushkatuara nga gjenocidi grek, ende kanë mbetur pa mbishkrime mbi varre, ose më keq akoma, historia e fateve të tyre tragjike, është mbuluar me mjegullnajën e propagandës. Ndërsa ne që u mësuam me këto histori mesjetare, e dimë mirë që detyra e parë është që të falim njeri-tjetrin. Ne duhet të veprojmë ndaj njeri-tjetrit, sipas parimit të Krishtit në shprehjen, “fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë”. 

Pangallos*: Jam krenar që gjysma e gjakut tim është shqiptar 
Shkrimi që botojmë më poshtë, botuar në “Gazeta e Athinës”, 3 nëntor 2000, sipas dokumenteve nga Arkivi i Teodoro Pangallos, vëllimi i dytë 1925-1952 faqe 111-115, botuar nga shtëpia botuese “Kedros” Athinë 1974, është tepër aktual edhe sot. Ai është shkruar nga Teodoros Pangallos, një nga personalitetet më të shquara politike-ushtarake të historisë së Greqisë të shekullit XX, President i vendit në vitet 1925-1926 dhe gjyshi i ish-ministrit që ka të njëjtin emër, Teodoros Pangallos, i cili i shpreh mendimet e tij shkoqur dhe nuk është e vështirë të kuptohet qartë nënteksti i tyre. 

Pangallos shkruante: “Sa i përket fqinjit tonë ballkanik, është më se e njohur dhe për këtë dëshmojnë arkivat e Ministrisë së Jashtme, se marrëdhëniet tona arritën gati-gati nivelin e një konfederate, më 1925 dhe 1926. Që nga koha e Esat Pashës dhe e Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë. Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. (Ishte vajzë e më të madhit pasunar të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit, në Salaminë, la frymën e fundit mareshali i paharruar Kraiskaqi). Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admirali Kundurioti, tre Nikolaidhët (gjyshi, biri dhe nipi), gjeneral Kunduli, admirali Saqellariu, heroi i nëndetëses “L. Kaconi” V. Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohur shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopullos shkruan se, nga të gjitha racat që erdhën më Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi Amalgamën e Shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miauli, Sahturi dhe mijëra e luftëtarë të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopullos”. 

Deklarata e Venizellos për Epirin e Veriut
Më 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore u ktheva në Greqi nga Franca, ku kreva studimet dhe iu paraqita Eleftherios Venizellos, atëherë Kryeministër dhe ministër i Ushtrisë, i cili më emëroi shef të shtabit në Divizionin e 8-të të Prevezës. Venizellos më tha në mirëbesim, se ka vendosur të pushtojë befasisht Epirin e Veriut. “Kam bindjen se do t’ia dalësh mbanë, se flet edhe gjuhën e shqiptarëve”,- shtoi ai. Atëherë isha major, shkova në Prevezë dhe pas pak ditësh mora një urdhër sekret, ku Divizioni urdhërohej të pushtonte Epirin e Veriut, duke zbarkuar në portin e Sarandës. Politikani i madh (Venizellos, shënim i përkthyesit), theksonte në veçanti nevojën e mbajtjes rreptësisht sekret nga italianët. 

Operacioni u krye me rregull të plotë dhe u pushtua vija e vjetër, në veri të Gjirokastrës. Kur pas pak ditësh shkova në Athinë, natyrisht pata një bisedë të gjatë me Kryeministrin dhe mbeta i befasuar, se si ky politikan demoniak, që kishte vetëm tre vjet në Greqi, kishte kuptuar plotësisht rëndësinë jetike që kishte për Greqinë çështja e Shqipërisë. Mendimet dhe këndvështrimet e Venizellosit qenë bazat kryesore ku mbështeta politikën që zbatova më 1925, e cila, veç të tjerash, kishte si rezultat, të dërgohen djelmosha shqiptarë në Athinë për të studiuar në shkollën e kadetëve dhe atë të marinës.

Kriza për çështjen e Çamërisë
Edhe për këtë çështje Pangallos shpreh mendimin e vet: “Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme dhe pa marrë parasysh marrëveshjet, përzënë banorët shqiptarë të asaj zone dhe nëpërmjet detit i dërgoi në Azinë e Vogël dhe protestave të tyre u përgjigjen duke thënë se ata (çamët, shënim i përkthyer) janë të shkëmbyeshëm. 

Shqyrtova dokumentet përkatëse dhe u binda se interpretimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk qëndronte, pasi në Marrëveshjen e Lozanës përcaktohej prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin, minoritet dhe jo, të shkëmbyeshëm si turqit e Thrakës etj. Për sqarime më të plota të çështjes, i telegrafova ambasadorit tonë në Londër, Kaklamano, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim, se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i Ministrisë së Jashtme nuk qëndronte”. 

Thirra menjëherë drejtorin përkatës dhe ai më tha diçka që më la me gojë hapur:
“Formalisht kanë të drejtë, mirëpo arsye emergjente dhe qëllimi kombëtar na imponojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë, z. President”. Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shkelma diplomatin”. 

Popujt kanë dobësi serioze por dhe virtyte të shkëlqyera
“Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore, në Epir po luhej një dramë e vërtetë. Fshatarët, duke qarë, ndaheshin nga shtëpitë e tyre ku kishin lindur dhe kishin jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre. Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do të shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu nëpërmjet një letre te ngrohtë më shprehte mirënjohjen që, siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtet, deri në ditën e largimit të tij nga froni, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke thënë në shqip “Vëlla i madh”. Dhe unë atëherë nuk isha veçse një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqipe quhet BESË”. 
Një Shqipëri mike përbën një mburojë natyrore kolosale
“Një vështrim i shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Pas ngjarjeve të fundit, tani qarqet ushtarake dhe politike: përveç Greqisë, e kuptuan rëndësinë e Shqipërisë si bazë mbrojtje apo sulmi. 

Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbën një mburojë natyrore kolosale, kundër çdo sulmi nga Veriu. Kur u vendosën marrëdhëniet miqësore dërgova si ambasador të Greqisë në Tiranë, gjeneralin Aleksandro Kondulli, bashkëqytetar i imi që dinte shkëlqyeshëm, jo vetëm shqipen tonë, atë të Shqipërisë së jugut (të toskëve dhe çamëve), po edhe idiomat e gegëve. Brenda një kohe të shkurtër, Kondili arriti të fitojë miqësinë e mbretit shqiptar, Ahmet Zogu. 

Brenda vitit u nënshkruan katër marrëveshje ndërmjet të dy vendeve: ajo konsullore, ajo për nënshtetësinë, për bashkëpunimin tregtar dhe detar, për ekstradimin e kriminelëve etj. Përveç këtyre marrëveshjeve, kishin avancuar shumë bisedimet e fshehta. Kufiri në mes të dy vendeve, në të vërtetë ishte hequr dhe djemtë shqiptarë, siç thashë edhe më sipër, u dërguan për studime në shkollën e kadetëve dhe atë të marinës”.

Banka e Greqisë, 25 për qind të aksioneve në Bankën e Shqipërisë
“Në korrik 1926, pas negociatash të gjata, gjenerali Kondili arriti në marrëveshjen përfundimtare për çështjen e Bankës së Shqipërisë. Mbreti Zog pranoi si aksionere Bankën e Greqisë me 25% të aksioneve. E kuptoni rëndësinë e madhe të këtij fakti. Nuk diskutohet fare se, po të ndiqet një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, Shqipëria do të ishte jo armike, por do të mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore, shqiptarët nuk janë as mongoloid, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar se ata janë Ilir, pasardhës të pellazgëve. Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët e bullgarët, por përkundrazi, gjaku tradita dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek. Miauli, Kundurioti, Sahturi, Odiseas, Andrucos dhe mijëra grekë të tjerë me origjinë shqiptarë luftuan me heroizëm për pavarësinë e Greqisë në revolucionin e vitit 1821”. 

Pse Ministria e Jashtme, një repart çmendie
“Profesori i Universitetit të Mynihut, historiani Hertzbert, në librin e tij mbi historinë e revolucionit shkruan, ndër të tjera, se: “Pak ditë pas ngritjes së flamurit të revolucionit, në prill të 1821-shit, 1 500 shqiptarë të krishterë, banorë të fshatrave të Dervenit, u mobilizuan nën komandën e Haxhi Melitit në Korint kundër Qamil Beut të tmerrshëm”. Nuk qenë shqiptarë që përmend Herzbert, por ishin shqipfolësit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë që banonin në Vila, Kundura, Mandra, Elefsina. Qenë gjyshërit e gjeneralëve Nikolaidhi, Konduli, Rroka të autorit të këtyre rreshtave, të admiralit Sakelariu, të heroit kombëtar, Laska, dhe kaq e kaq grekëve të zgjedhur me origjinë shqiptare. A nuk kisha të drejtë kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të thoshte: “Paloshqiptarë”, të thosha dhe unë se Ministria e Jashtme ishte një çmendinë?

Kur fliste kështu drejtori i përgjithshëm, e marr me mend se si qenë vartësit e tij të afërt. Askush nuk e di se çfarë surprizash na ruan e ardhmja. E konsiderova si detyrë të bëja përshkrimet e mësipërme, që populli grek të mësojë pamjen e përgjithshme të problemit. Nuk jam dakord me atë pjesë të shtypit, që shan dhe përbuz popullin shqiptar. Kam bindjen e patundur se shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për prirjen antigreke të qeverisë komuniste. Jam i sigurt se shumica dërrmuese shqiptare, nuk i di as si emra, Marksin, Leninin, Stalinin etj”. 
Sigal