Panariti: Zhvillimi i sektorit bujqësor kyç për rimëkëmbjen ekonomike

513
Sigal

TIRANE – Ministri i Bujqësisë,  Edmond Panariti zhvilloi të martën një takim me sipërmarrës të cilët kontribuan në ndihmën ndaj banorëve të përmbytur në jug të vendit. Në fjalën e tij, Ministri Panariti theksoi se bujqësia është një nga sektorët më premtues të ekonomisë shqiptare, duke ftuar në këtë mënyrë sipërmarrësit të investojnë në bujqësi.

Në këtë drejtim, Panariti tha se 3-fishimi i hapësirave të serave do të sillte rritjen e investimeve

“Vëmendja është drejtuar tek bujqësia, është një sektor që e ka të garantuar kërkesën por duhet të ketë ofertën. Për të bërë këtë duhet bërë nxitja e investimeve. Prandaj jam i lumtur që ju kam në krah. Shqipëria nuk prodhon sa duhet. Por duhet të investojmë shumë në rritjen e sipërfaqeve me sera. Duam ta 3-fishojmë serat, nga 1000 ha në 3000 ha. Në këtë mënyrë do të 5-fishohen ofertat. Këto dy elementë, rritja e ofertës, grumbullimi dhe shpërndarja janë çelësi i zhvillimit të bujqësisë.” tha Panariti.

Jaka ftesë sipërmarrësve: Investoni në bujqësi!
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, theksoi se financimet nga komuniteti i binzesit për banorët e pëmbytur ishin një kontribut i prekshëm. ai iu bëri një thirrje të hapur sipërmarrësve shqiptarë që të ndërgjegjësohen për të parë investimet e tyre dhe diversifikimin e portofolit të tyre të investimeve në sektorin e bujqësisë.

“Që në fillimet e përmbytjeve dhoma e tregtisë reagoi me një angazhim të saj. kemi pasur një koordinim të mrekullueshëm me Ministrinë dhe Bujqësinë, që të ketë një efekt për ata banorë të prekur nga përmbytjet. Duhet të ishte një kontribut që të ketë vlerë për banorët. Është një kontribut i shoqëruar me dashuri. Unë ju falënderoj për kontributin e dhënë por doja të bëja një thirrje të hapur të gjithë sipërmarrësve. Të ndërgjegjësohen për të parë investimet e tyre dhe diversifikimin e tyre në sektorin e bujqësisë. Është koha të operojmë me financimet tona në këtë sektor, për t’i shërbyer standardit dhe produkteve tona autoktona. Kemi resurse për të prodhuar në Shqipëri. Ne kemi pasur një takim pune me Ministrin. Kemi menduar të kemi një axhendë për takime dhe bashkëbisedime për interesa të drejtpërdrejta.” u shpreh Jaka.