Panariti, marrëveshje me Gjermaninë në fushën e tregtimit të fruta-perimeve

95
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave firmos marrëveshje me Zyrën Federale për Bujqësinë dhe Ushqimin të Republikës Federale të Gjermanisë në Fushën e Tregtimit të Frutave dhe Perimeve. Në ceremoninë e zhvilluar merrte pjesë Ministri I Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti dhe Presidenti I Zyrës Federale për Bujqësinë dhe Ushqimin të Gjermanisë, z. Hanns Christoph Eiden. Marrëveshja u firmos për palën shqiptare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Bujqësore si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Palët theksojnë interesin e dyanshëm në shkëmbimin e eksperiencës në fushën e tregtisë së frutave dhe perimeve. Deklarata e Përbashkët e Qëllimit ka si synim ngritjen e një kuadri të bashkëpunimit të dyanshëm në formën e një partneriteti afatgjatë në fushën e tregtimit të frutave dhe perimeve. Objektivi i këtij bashkëpunimi është: Rritja e ekspertizës të të dyja autoriteteve duke përfituar nga sinergjitë, Zhvillimi i inisiativave bashkëpunuese dhe planeve të veprimit, dhe Promovimi i shkëmbimit të informacionit dhe njohurive teknologjike. Në fjalën e tij, Ministri I Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti tha se kjo marrëveshje është një hap shumë I rëndësishëm. “Ka disa momente kyçe që kjo marrëveshje përmbledh, kryesisht për hapjen e rrugës së prodhimeve të freskëta shqiptare në tregun e BE-së dhe veçanërisht në atë gjerman, për të cilat kjo marrëveshje përfshin edhe disa detyrime ndërmjet palëve që kjo të kthehet në realitet, por mbetet një sfidë e hapur, por kryesorja është që ne të rrisim praninë e prodhimeve të freskëta shqiptare, kryesisht të fruta-perimeve, por edhe të bimëve aromatike dhe mjekësore”, tha Ministri I Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti. 
Fjala e plotë e Ministrit Panariti 
Jam i nderuar sot që në krahun tim kam një personalitet nga Republika Federale Gjermane , dr Franc Kristof Eiden, President i Zyrës Federale, për bujqësinë dhe ushqimin, të Republikës Federale të Gjermanisë, në krahun tim kam edhe Zv/ambasadoren e Gjermanisë, si dhe kam prof.Milerin nga universiteti Hopenhajn, i cili ka qenë një promotor i fortë në bashkëpunimin ndërmjet dy universiteteve tona, ai bujqësor të Tiranës dhe universitetin e Hoperhajnit. Prania e Presidentit të Zyrës Federale të Republikës së Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin është një rast i veçantë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Sot ishte një rast i veçantë, pasi z.Kristof Eiden ishte pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Bujqësor, përsa i përket menaxhimit më të mirë të burimeve të tokës, bujqësore dhe nisur nga ky event shumë i rëndësishëm, i cili po vazhdon, do të kemi shumë kontribute me vlerë shkencore. Ne patëm kënaqësinë ta ftojmë z.Kristof Eiden për të firmosur një marrëveshje midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zyrës Federale Gjermane për Bujqësinë dhe Ushqimin në fushën e bujqësisë dhe ushqimit. Ka disa momente kyçe që kjo marrëveshje përmbledh, kryesisht për hapjen e rrugës së prodhimeve të freskëta shqiptare në tregun e BE-së dhe veçanërisht në atë gjerman, për të cilat kjo marrëveshje përfshin edhe disa detyrime ndërmjet palëve që kjo të kthehet në realitet, por mbetet një sfidë e hapur, por kryesorja është që ne të rrisim praninë e prodhimeve të freskëta shqiptare, kryesisht të fruta-perimeve, por edhe të bimëve aromatike dhe mjekësore. Dhe për këtë universiteti i Hopenhajmit duket të jetë katalizatori i kontrollit dhe i validimit të bimëve aromatike mjekësore shqiptare në mënyrë që të kemi një prani të shtuar në tregun gjerman. Këto janë të gjitha objekte të marrëveshjes, unë bisedova edhe me z. Eiden dhe për nevojën që kemi ne për asitencë teknike, përkrahje nga Zyra Federale e Bujqësisë dhe Ushqimit gjerman, në drejtim të parametrave të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Kjo është një nevojë e ngutshme e jona, sepse ne e konsiderojnë Republikën Federale të Gjermanisë një avokate tonën, për integrimin tonë në Bashkimin Europian. Bujqësia dhe ushqimi janë komponentë të rëndësishëm të integrimit tonë në Bashkimin Europian, janë dy kapituj, ju e dini, kapitulli 11 dhe 12 të cilat janë thelbësore për integrimin tonë në BE, kapitulli 11 flet për zhvillimin e bujqësisë dhe atë rural në përgjithësi. Ndërsa kapitulli 12 ka të bëjë me marrëveshjen fitosanitare, të shërbimit veterinar dhe të sigurisë ushqimore, prandaj ndihma e zyrës suaj i nderuar Z. Eiden është me shumë vlerë, sepse na ndihmnon ne për të përshpejtuat ritmin e reformave, në mënyrë që ne ta sjellim sistemin e cilësisë dhe të sigurisë ushqimore, në një kohë sa më të shkurtër brenda parametrave të BE-së. Edhe njëherë ju falenderoj për praninë tuaj që do të shoqërohet pas pak edhe me një nënshkrim marrëveshjeje.
Pyetja nga gazetarët
Sa e rëndësishme është kjo marrëveshje?
Ka dy aspekte dhe më lejoni që t’ua shpjegoj, nga njëra anë është nevoja jonë për të adoptuar sa më shpejt standardet e BE-së, përsa I përket cilësisë dhe sigurisë ushqimore dhe Gjermania i ka të gjitha mundësitë, për të na përshpejtuar në procesin e përvetësimit të këtyre standardeve të ushqimit. Nga ana tjetër futja sa më shpejt e këtyre standardeve, si pjesë e prodhimit tonë bujqësor, apo rrugën për në tregun gjerman dhe kjo është edhe pjesë e marrëveshjes, të produkteve për të cilat ne kemi avantazhe krahasuese, kryesisht të bimëve aromatike dhe bujqësore dhe të fruta–perimeve. Të futesh në tregun e Gjermanisë, është më fitimprurës sesa të eksportosh në vendet e rajonit. Futja në këtë treg është ambicje e madhe, sepse edhe pagesa për njësi është dy deri në tre herë më madhe, sesa në vendet e rajonit. Ky është një parakusht në futjen e produkteve tona në tregun gjerman. Këto janë motorrët lëvizës së kësaj marrëveshjeje.
Kur do të implementohet ?
Do të punojmë intensivisht për të implementuar këtë marrëveshje, për të lëvizur mallra drejt Gjermanisë, prandaj edhe Konferenca që u zhvillua do të shërbejë si platformë mbështetëse, prandaj edhe drejtori I AKU-së , nënshkroi marrëveshjen, që ne të bëjmë pjesë në radhë të parë standardeve të BE-së, por jo vetëm të firmosim në letër, por të ushtrojmë presion në të gjitha nivelet e prodhimit, duke filluar që nga stallat, serat, procesi i transportit, i paketimit, i ambalazhimit dhe deri sa përfundon tek konsumatori. Ne kemi edhe një sfidë, z.Hajden na këshilloi të orientohemi edhe drejt bujqësisë organike, ka shumë hapësira në tregun gjerman për ushqime bio. Për këtë ne duhet të fillojmë sa më shpejt procesin e certifikimit të fermave bio-organike. Kemi rreth 200 ferma të bujqësisë organike, por që përveç akreditimit kombëtar të kenë edhe akreditim nërkombëtar, në mënyrë që të njihen të tilla edhe nga tregjet e huaja. Dhoma e Bujqësisë dhe Ushqmit do të na ndihmojë që të fusim sa më shpejt akreditimet e këtyre fermave, për tu hapur një perspektivë që të jenë sa më shpejt të pranishëm në tregjet ndërkombëtare .
Ne nuk kemi pasur shkëmbime me Gjermaninë ?
Ne kemi pasur marrëdhënie në nivel certifikimesh përgjithësisht të kompanive gjermane, të cilat kanë pasur interes për të importuar. Ne eksportojmë në Gjermani edhe vaj ulliri edhe produkte të veçanta, por tashmë duhet ta ngremë në sistem, për të mos e lënë vetëm në iniciativa të veçanta. Këtë nuk e bëjmë thjesht për ambicien që duhet të ketë konsumatori gjerman, por kjo është ambicie që duhet ta ketë edhe konsumatori shqiptar. Konsumatori jonë duhet të ketë të njëjtat standarde të cilësisë si konsumatori europian. Pra kjo është një sfidë kombëtare .
Cfarë do të përfshijë asistenca teknike ?
Asistenca teknike do të përfshijë procesin e certifikimit të produkteve, në radhë të parë në monitorimin e mbetjes ose jo të mbetjeve toksike në procesin e prodhimit, pasi e dini që bujqësia përdor shumë inpute nga spërkatësit dhe plehrat kimike. Në këtë rast inputet që do të përdoren do të jenë vetëm ato të regjistruara dhe të përdoruara nga BE-ja. Nuk do të lejohen të përdoren kimikate nga vende të treta për të cilat nuk ekziston garancia. Kjo do të na çojë drejt hapjes së tregut, se po punove me inpute të certifikuara, do të kemi edhe treg shumë të hapur. Do përpiqemi me shumë insistim që të zmadhojmë tregun e bujqësisë organike. Për të kënaqur atë pjesë të popullsisë që don me çdo kusht që të ketë në tavolinë produkte organike. Natyrisht do të mbulojmë tregun për nevojat tona, por po nuk eksportuam, për mua bujqësia nuk ekziston, prandaj edhe duhet të rrisim ofertën, prandaj këtë vit do të shtojmë sipërfaqen me sera. Ne kemi 1000 ha sera dhe duam ta çojmë në dy vite 3000 ha sera. Në këtë mënyrë kemi rritur ofertën për tregun vendas, ashtu edhe për tregun ndërkombëtar.