Panairi Klik Ekspo Group, Qato: Katalizator i rëndësishëm i sipërmarrjes në Shqipëri

622
Sigal

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, më i madhi event i sipërmarrjes në Shqipëri ka hapur siparin e tij pasditen e së mërkurës në Pallatin e Kongreseve, në një ceremoni të veçantë, ku ishin të ftuar përfaqësues të qeverisë shqiptare, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të biznesit, sipërmarrës dhe investitorë të huaj, si dhe të ftuar të tjerë. Këtë vit Klik Ekspo Group vjen në një përvjetor të veçantë, me 25 vite mbi supe, një rrugëtim i gjatë që ka shënjuar një epokë më vete në ekonominë shqiptare, me sjelljen në Shqipëri të qindra sipërmarrësve të huaj, të cilët kanë vendosur të investojnë në vendin tonë në fusha të ndryshme; si turizmi, energjetika, bujqësia, blegtoria, industria agro-ushqimore dhe teknologjia, por edhe siguria dhe mbrojtja, me një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj në çelje të ceremonisë së Panairit, i uroi mirëseardhjen kompanive pjesëmarrëse dhe gjithë të ftuarve të tjerë, ndërsa theksoi se ky është një përvjetor i veçantë, përplot me ekspozues e miq nga bota mbarë. “E gjitha kjo më bën të mendoj, që guximi dhe misioni i atij “grushti” sipërmarrësish të parë që ekspozuan në Piramidën e atëhershme, 25 vjet më parë, sot do të quhej i përmbushur. Do të kisha vetëm falënderime në këtë përvjetor, grafikët dhe përqindjet i gjeni të jetësuar në këto holle ekspozimi: Shqipërinë ndryshe do ta pikasni tek sipërmarrësit dhe institucionet shqiptare me pjesëmarrje të shkëlqyer. Ballkanin si asnjëherë më parë në simbioze e sinergji, me kompani simotra e me projekte ndërkufitare, Evropën kaq të afërt sa nuk ka dallim këtej e përtej e Adriatikut. Miqtë nga Kina e Japonia, misionarë të mendësisë së re globale. Ky është përvjetori juaj aq sa është dhe i Klik-ut.”, tha Muhametaj ndërsa shtoi se vitin që vjen Klik Ekspo Group me mbështetejn e Qeverisë Italiane do të jetë pjesëmarrës, në një event të rëndësishëm të sigurisë dhe mbrojtjes që do të organizohet në Romë.

E ftuar në këtë panair ishte edhe ministrja e re e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes znj. Sonila Qato, e cila e vlerësoi maksimalisht Panairin Klik Ekspo Group, duke e cilësuar si katalizator të rëndësishëm të sipërmarrjes në vendin tonë. “Panairi Klik Ekspo vjen si një katalizator i rëndësishëm i komunitetit të sipërmarrjes në Shqipëri, duke i shërbyer sipërmarrjes vendase për të krijuar partneritete të reja, të cilat do të shërbejnë për të zgjeruar aktivitetet përtej tregjeve aktuale. Shumë ekspozues të huaj me synim investimet në Shqipëri, nëpërmjet këtij panairi kanë parë ndër vite me interes të veçantë bashkëveprimin me Institucionet dhe autoritetet shtetërore shqiptare, për t’u informuar mbi politikat në mbështetje të biznesit dhe investimeve të huaja, Partneritetit publik Privat, paketat fiskale, përfitimet dhe lehtësimet në sektorët prioritare, procedurat e delokalizimit; e nga ana tjetër sipërmarrësit shqiptarë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë kërkimit të partnerëve për ndërkombëtarizimin dhe formulat lehtësuese për prodhuesit vendas.” Sipas Qatos në këto 25 vite, Klik Ekspo, ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe tashmë është kthyer në një eveniment ekonomik të rëndësishëm, jo vetëm për Rajonin, por dhe me gjerë. “Ajo çka i ka munguar biznesit shqiptar për vite me radhë ka qenë, pikërisht, orientimi i saktë i sektorëve strategjikë ku biznesi duhet të investojë. E pra, Qeveria shqiptare sot i ka evidentuar këto sektorë, duke hartuar strategji dhe paketa të mirëfillta në favor të këtyre investimeve dhe tani është sipërmarrja ajo që po përforcon më shumë mesazhin tonë dhe po na bashkohet në realizimin e këtij vizioni, të cilin vetëm me bashkëpunimin e ndërsjellë, si ky i treguar nga KLIK EKSPO, do mund të kthehet në realitet. Për më shumë, rritja gjithnjë e më graduale e ekonomisë shqiptare ka bërë të mundur që ky vit të numërojë trefishimin e eksporteve dhe çeljen e 10 mijë bizneseve të reja, të cilat ndjejnë çdo ditë e më shumë nevojën për futjen e teknologjive të reja dhe inovative për të konkurruar edhe më fort në tregjet rajonale ku tashmë kanë treguar se mbizotërojnë. Ndaj besoj se shumë sipërmarrës do të gjejnë pikërisht këtu partnerët që i nevojiten, në një moment i favorshëm për të krijuar kontakte.” tha më tej Qato në fjalën e saj.

Si përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, z.Andi Seferi theksoi se Klik Ekspo Group është stacioni i 25-të i linjës Shqipëri-Evropë dhe, se në këtë kuadër Tirana është një qytet i sigurt për të bërë biznes. “Tirana ofron mundësi investimi për çdo biznes dhe kompani të interesuar. Sot jo vetëm vlera e pronës është rritur, por, falë edhe projekteve të qarta vendore, në Tiranë mund të bëhen investime të sigurta në fusha të ndryshme të ekonomisë,” tha Seferi, ndërsa ftoi bizneset pjesëmarrëse në këtë panair që të shohin mundësinë e investimeve në kryeqytetin shqiptar.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregtisë Turke, z.Yakup Col në fjalën e tij tha, se marrëdhëniet e biznesit mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të mira, me pritshmëri gjithnjë në rritje. Sipas tij çdo marrëveshje e re e nënshkruar mes dy vendeve do të jetë një kontribut i çmuar në zhvillimin ekonomik. “Në fund të vitit 2017 bilanci tregtar i Turqisë në Shqipëri u llogarit në 430 mln dollarë, por synimet janë për më shumë se kjo shifër. Klik Ekspo Group është një mundësi shumë e mirë për të takuar bizneset turke me ato shqiptare, dhe për nxitjen më tej të investimeve. Pavarësisht fenomeneve globale që riskuan vitet e fundit aktivitetin e bizneseve, ekonomia turke nuk është lëkundur, por ka pasur një rritje stabël që nga vitit 2012 me 5.5 %,” tha z.Yakup Col.

Si shumë vende të tjera, për 15 vite radhazi edhe Serbia ka marrë pjesë në këtë Panair, ndërkohë që kryetari i Dhomës së Tregtisë Serbe, Marko Cadezh në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se qëllimi i përbashkët është, që të lëmë bizneset të flasin dhe të ndajnë eksperienca së bashku.

Si përfaqësues i projektit ‘Welcame Albania’ z. Ivi Tase përshëndeti gjithashtu çeljen e Panairit të 25-të Klik Ekspo Group, ndërsa theksoi se ky panair në tërë këto vite është kthyer në një imazh të pacenuar e të patëmetë të Shqipërisë. “Këtë imazh të ri të Shqipërisë sonë, për të cilin kemi kontribut secili nga ne, një nga një, sot do ta gjeni të përcjellë mrekullisht. Nga ‘Welcome Albania’, platforma më e re e realitetit të prekshëm, pasi ai nuk është më virtual,” tha Taso mes të tjerash.

Edicioni i 25-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojë të jetë i hapur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë deri më datë 24 Nëntor 2018, ku dhjetëra sipërmarrës të huaj do të marrin pjesë duke ekspozuar produktet e tyre. Në programin e Panairit Ndërkombëtar, disa personalitete të rëndësishme të botës së sipërmarrjes janë ftuar për të relatuar dhe ndarë përvoja e know-how, ndër të cilët do të përmendnim Prof. Paul Hodgkins nga UK, si dhe ekspertë nga Italia, Serbia, ne fushën e Menaxhimit institucional, mjedisit, mbrojtjes dhe sigurisë.