Panairi i punës: 117 nga “recepsionistët” që ofronin vende pune, ishin vetë të… pa punë!

220
Prej tri ditësh, deri në datën 1 maj 2015 që ishte Dita e Punëtorëve, në “Pallatin e Kongreseve” u zhvillua “Panairi i Punës 2015”. Kishin shkuar në këtë panair 53 kompani private, të cilat deklaruan se ofronin 5000 vende pune. Nuk e kemi fjalën, se kujt i hynte në punë hapja e këtij panairi pune, mbasi një panair i tillë pune është hapur edhe në prill 2014, prej të cilit u deklarua se u plotësuan 15 mijë kontrata punësimi, por faktikisht nuk u punësua asnjë i pa punë! Modeli demogogjik i panairit 2014, u përsërit edhe në këtë panair, ku u bë rituali fals i gjoja lidhjes së kontratave të punës, duke e kthyer panairin në një zyrë pune fiktive. Në fund të panairit që u ideua, u organizua dhe u përshëndet nga ata që nuk kanë asnjë pjeswtar të familjes pa punë shteti e pa biznese private, u tha se prej 53 kompanive u lidhën… 5300 kontrata punësimi për shqiptarët e pa punë. A u lidhën vërtetë kaq kontrata? A u lidh vërtetë ndonjë kontratë pune? Sot 5 ditë pas panairit, a rezulton të jetë punësuar ndonjë person i pa punë në këto 53 kompani, që thanë se lidhën 5300 kontrata pune, mesatarisht nga 100 vende pune secila? Sipas burimeve të gazetës “Telegraf’, mësohet se nuk është punësuar asnjë. Në asnjë prej kompanive. Përveç faktit të demagogjisë me kontrata punësimi fiktive, sa për shou publik e pse jo edhe për propagandë elektorale, konstatuam edhe skandale e “çudira” të tjera. Gazeta “Telegraf” vëzhgoi të 3 ditët e panairit të punës dhe konstatoi skandalin, se ata që lidhnin kontrata pune dhe dorëzonin “CV” nëpër kompanitë private, ishin të rinj punonjës të zyrave të Punës të Tiranës dhe disa institucioneve shtetërore, të cilët në rresht njeri-pas tjetrit, shkonin nëpër pavionet e kompanive private dhe bënin sikur lidhnin kontrata pune. Çudia e dytë ishte fakti, që asnjë nga 53 kompanitë që ishin pjesëmarrëse në panair, nuk ka të shpallur asnjë vend pune në faqen e saj zyrtare dhe në 2 vitet e fundit, jo vetëm që nuk kanë punësuar asnjë person, por kanë mbyllur edhe nga 10-15% të vendeve të punës. Çudia e tretë ishte fakti, se nga 53 kompanitë pjesëmarrëse në panair, vetëm 1 muaj më parë, 42 prej tyre u kanë kthyer përgjigje zyrave të punës në Tiranë e rrethe, se nuk kanë asnjë vend pune. Çudia e katërt është fakti, që nëse këto kompani kanë vende pune, përse duhet të presin panairin për t’i plotësuar vendet e punës, kur dihet që kërkesat për vende pune janë të mëdha. Ccudia e pestë është fakti edhe me përmbajtje komike, se nga 185 punonjësit promocionalë që ofronin vendet e punës dhe lidhnin kontratat fiktive në emër të kompanive, ishin vetë të pa punë, të “punësuar” vetëm për 3 ditwt e panairit prej kompanive me pagesë… 1000 lekë në ditë!