Panairi i prodhimeve bio në Roshnik të Beratit

60
Njësia administrative Roshnik, në bashkinë e Beratit me katër mijë banorë dhe që numëron 13 fshatra është e njohur për prodhimet e saj në pemëtari, veçanërisht; të fikut dhe rrushit etj. Ndodhur nën malin e Tomorit, kufizuar me Gramshin, Skraparin dhe Beratin kjo zonë ka kushtet e favorshme për kultivimin e fruta perimeve, aroreve, prodhimin e verës dhe rakisë. Për të promovuar produktet e kësaj zone njësia administrative e Roshnikut organizoi sot për të pestin vit radhazi panairin e prodhimeve bio. Fermerët prezantuan ne stenda produktet e tyre, të cilat janë të njohura në të gjithë vendin për shkak të cilësisë tepër të lartë, por tashmë nën mbështetjen e organizatës CNVP, ata po marrin asistencë se si t’i bëjmë më tërheqëse produktet e tyre për konsumatorin duke filluar me ambalazhimin. Panairin e përshëndetën nën/kryetari i bashkisë, Shkëlqim Brisku, kryetari i organizatës CNVP, që ka mbështetur këtë panair.

Kryetari i njësisë administrative Roshnik, Artur Shehu tha, se fermerët e zonës çdo vit e më tepër po i shtojnë produktet e tyre edhe për shkak të përmirësimit të infrastrukturës ato po mbërrijnë më shpejt në treg. Nga ana e tyre fermerët u shprehen, se mbështetja do të donin që të ishte edhe më e madhe, pasi produktet e tyre, për shkak se janë 100% bio kanë shumë vështirësi për t’u kultivuar. 70 hektarë të mbjellë vetëm me fiq numërohen në këtë zonë. Produkti, i cili ka emër e të njohur, si fiku i famshëm i Roshnikut, ndërkohë që nuk mbeten prapa as rrushi, as prodhimi i rakisë, i verës, i arrave, i bajameve, i lajthive etj.