Panair shqiptar me… 90% tituj librash të huaj e me 80% stoqe

845
Sigal

Nga një vëzhgim që zhvilluam 3 ditët e para në Panairin e 17 të Librit, konstatuam shumë detaje, që në fakt janë probleme, të cilat i japin këtij panairi libri, fizionominë dhe përmbajtjen e një “panairi tregtarësh” e jo institucionesh të librit, aq sa të ikën shija e përjetimit të vetes në një panair libri e kulture dhe të duket vetja, sikur je brenda një salle (super-marketi) produktesh që “fermerët” (botuesit e krijuesit) i kanë nxjerrë “prodhimet” e tyre të reja e stoqet në tezga për shitje, secili për llogari të vet dhe i ofrojnë jo si tregues kulture, por si mall. Po e konkretizojmë me disa fakte.

 Panair shqiptar, me 90% libra… të huaj!

 Edhe pse Panairi i 17-të i Librit, duket si një “festë e librit shqiptar” në fakt nuk është e tillë, mbasi nuk ka “përmbajtje” shqiptare. Nga të dhënat, rezulton se tezgat e panairit shqiptar të librit, janë të mbushura krejt me libra të huaj! “Produkti” i librit shqiptar, sipas të dhënave të shitësve (shtëpive botuese) është vetëm 10% e sasisë së librave të ekspozuar në panair! Titujt e tjerë të librave, pra 90% e tyre janë të huaj, pra nuk janë “prodhim vendi” krijimtarie autorësh shqiptarë, por imitime, përshtatje, deformime, kopjime e përkthime nga autorë të huaj, shpesh edhe pa dijeninë e tyre, “gatuar” prej shtëpive botuese në bashkëpunim me autorët përkthyes, që nuk dihet ende se si i përkthejnë për nga saktësia e gjuhës, stilit dhe përmbajtjes origjinale të autorëve të huaj, për aq kohë sa as në shtëpitë botuese, as në Bibliotekën Kombëtare, as në Akademinë e Shkencave e madje as në Ministrinë e Kulturës nuk ka një “institucion” të verifikimit të saktësisë, cilësisë e të kritikës së “gatimit” të tyre. D.m.th, si “punishtet” që mbledhin qumështin, perimet e frutat rrugëve nga prodhuesit edhe shtëpitë botuese marrin libra nga bota, ia japin dikujt t’i përkthejë, kërkojnë fonde mbështetëse në emër të “futjes së kulturës e librit të huaj në Shqipëri”, bëjnë edhe promovime me elozhe, ku botuesi falënderon përkthyesin, ndërsa përkthyesi falënderon botuesin, redaktori falënderon korrektorin, ndërsa korrektori falënderon shtypshkronjën e agjencinë e shpërndarjen dhe shtypshkronja falënderon autorin që i… likuidoi lekët në dorë! Dhe këtë “produkt” të quajtur “libër”, pas promovimit, ahengxhinjtë e koktejeve na i vendosin përpara tezgave e vitrinave të shitjes e madje me afera klienteliste, shpesh i bëjnë edhe pjesë të programeve mësimore në shkolla e universitete dhe “pjesë të fondit të vlerave” të Bibliotekës Kombëtare! Nuk paragjykoj faktin, se përse janë kaq pak tituj librash me autorë shqiptarë në një panair shqiptar libri, mbasi kjo i përket prestigjit, fuqisë dhe rendimentit krijues të “racës” së shkrimtarëve, poetëve e studiuesve shkencor, apo historikë që botojnë libra. Fjala është, tek fakti skandaloz e përdhosës që në një panair libri shqiptar, të ketë 90% tituj librash të huaj! Pra, që hapim panair shqiptar me “mallra” të botës! Dhe guxojnë ta quajnë… “panair të librit shqiptar”! Ai, mund të quhet treg libri i hapur në Shqipëri me “mallrat” e botës, por jo panair i librit shqiptar! Nuk themi, se përse ka 90% libra me autorë të huaj, por është si tip tallje me lexuesin, me letërsinë dhe kulturën kombëtare, që në tezga nuk ka libra me autorë shqiptarë dhe botuesit dalin e kapardisen, duke e quajtur “panair i librit shqiptar”?!

 Panair i ri, me libra… stoqe 10-15 vjeçare

 Ky quhet panairi i ri i librit! Është i 17-i panair-pazar libri, që bëhet në Tiranë. Po a është i ri në përmbajtje “Panairi i librit-2014”, pra në tituj librash? Sipas deklarimit të shitësve në tezga e madje edhe prej organizatorëve, lexuesve e krijuesve që nuk janë pjesë e panairit, thuhet se afro 80% e librave janë tituj librash të vjetër, të mbetur stoqe prej vitesh në magazinat e shtëpive botuese, për shkak të mos shitjes! Sipas organizatorëve të përjetshëm monopolistë të këtij panairi kombëtar libri, sivjet nuk ka asnjë shifër të saktë të titujve të librave që janë ekspozuar në tezgat-e këtij panair-tregu, që vlerësohet si ndër më të dobëtit për nga pjesëmarrja e autorëve shqiptarë, për nga cilësia dhe tematika e historisë post-komuniste 22- vjeçare të librit në Shqipëri. Por edhe pse me hamendje, thuhet se mund të jenë afro 900 tituj librash gjithsej, deri edhe libra e revista me përmbajtje fetare, mbasi fundja edhe ata “libra” quhen. Kujtojmë, që në panairin e librit të vitit 2012, kishte 2866 tituj librash, ndërsa në panairin e vitit 2013, ky numër titujsh ishte 1086 të tillë, ose 1780 tituj më pak se viti 2012.  Sot ka vetëm 900 tituj (siç thuhet)! Edhe këta, në masën 90% janë tituj librash të autorëve të huaj, ndërkohë që deri në tre ditët e para të panairit, kemi konstatuar vetëm 10-15 tituj të rinj librash me autorë shqiptarë”! Ajo që bie në sy është fakti, se librat e ekspozuar në këtë “panair të ri libri”, ka vetëm afro 2% libra janë “prodhim i ri” autorësh shqiptarë dhe afro 10% tituj autorësh të huaj. Pjesa tjetër janë “prodhim i vjetër”, troç stoqe magazinash deri edhe prej 20 vitesh. Nga shfletimi i disa prej titujve të librave të ekspozuar në “panairin e ri”, shikoje libra e përkthime me vit botim në 1993, 1995, 1998, 2000, 2007… Një gjë duhet sqaruar: Panairet bëhen për prodhimet e reja, jo stoqet, apo të publikuarat qoftë edhe në panairin e viti të kaluar. Nëse shikon titujt e librave të ekspozuar në panairin 2014, të duket sikur je në panairin 2013, 2012, 2011, 2010 mbasi po ata tituj të ekspozuar në panairet e atyre librave..! Madje, ashtu si titujt e librave, të njëjtit prej deri 22 vitesh në këtë panair edhe emrat, fytyrat dhe “titujt (kryetar, sekretar, juri) të organizatorëve të panairit 2014.

 Panair librash me… ulje çmimesh si në tregun e “gabit”

 Organizatorët e panairit, në konferencën mediatike të hapjes së panairit, deklaruan edhe diçka. Shtëpitë botuese, kanë rënë dakord, që nisur prej krizës së shitjeve të ulëta të librit, në ditën e fundit të bëjnë ulje 20-30% të çmimit të shitjes së librave! Kjo deklaratë, konfirmon totalisht zhvlerësimin e këtij panairi libri pa autorë shqiptarë, pa botime cilësore si përmbajtje dhe pa përfaqësim tematikë e moshor për lexuesit. Kur e lexon këtë njoftim mbi tezgat e librave të panairit, të duket vetja sikur je përballë dyqaneve të këpucëve e veshjeve në xhamat e të cilëve shkruhet: Ulje 30-40-50% e çmimit! Të duket vetja sikur nuk je ne panair libri, por në tregun e “gabit”, apo në tregun fshatar të Këlcyrës, ku tregtarët që u mbetet malli pa shitur, për ta “hequr”, në mbyllje të tregut, fillojnë e bërtasin: Hajde, me gjysmë çmimi, se e mbyllëm, ikëm”. Kështu po veprohet ende në panair. Botues-tregtarët do të ulin çmimet. Kujtdo mund t’i ulet çmimi domates, qepës, rrobave, gjizës e lakrave, por jo librit.

 A duhej ta financonte ministria, panairin e librit?

 Ata që organizojnë tradicionalisht panairin, pra ata që e kanë bërë monopol e që në jetën e tyre nuk kanë bërë asnjë libër me përralla as për fëmijët 1-2 vjeç e hapën këtë panair me “zhurmën” kundër ministres së kulturës, me ankesën se “nuk u dha financime shtetërore për panairin”. Këta ulërasin kundër ministres, ministrisë dhe qeverisë, sepse janë mësuar prej shumë vitesh të përlajnë miliona donacionesh nga fondet e librit, që në fakt janë taksa shqiptarësh. Shoqata e botuesve, ose “çeta e vogël me 5 vetë”, siç e quajnë krijuesit dhe botuesit të cilët prej drejtuesve të shoqatës janë lënë jashtë “gavetës” së fondeve që ka dhënë Ministria e Kulturës, deri në panairin e vitit 2013, kërkoi miliona donacione shtetërore edhe për këtë panair, por nuk iu dhanë. Në arsyetimin tim, mendoj se kjo shoqatë nuk duhet financuar me fonde nga shteti, mbasi prodhimi dhe shitja e librit është aktivitet krejt privat, troç është biznes si gjithë bizneset e tjera. P.sh, përse duhet t’i jepet donacion nga shteti botuesve që shesin libra për tregti e të mos i jepet donacion edhe shoqatës së shitësve të domateve, bukës, fasuleve, makaronave…?! Mund të duket banale kjo paralele e mund të akuzohem “për denigrim” të vlerave kulturore e letrare, por gjersa je në treg me shitje produkti dhe jo në promovim vlerash kulturore, je si gjithë tregjet e tjerë. P.sh., në panair po shiten edhe fletore, çanta shkolle, blloqe shënimesh, stilolapsa, libra shkollorë, lapsa me ngjyra e madje edhe çorape e qylaf leshi e benvereke popullore që i bëjnë disa gra në shkallët e hyrjes së panairit! A quhet kjo panoramë, promovim vlerash kulturore, apo shitje mallrash për të fituar vlera monetare për llogari personale? E dyta, nga bisedat me krijuesit, mësojmë se ka abuzime disavjeçare me donacionet që kanë dhënë tradicionalisht Ministria e Kulturës. Shoqata nuk ka dhënë asnjë shpjegim konkret se përse përdoren dhe nuk lejon asnjë prej anëtarëve të saj të ketë informacion e të bëj kontroll mbi përdorjen e këtyre fondeve! Sivjet, shoqata kërkoi 2 milionë lekë të reja “për arredimin e mjediseve të panairit”. Përse duhet ta financojë shteti këtë dekor, kur e ka detyrim çdo shtëpi botuese të reklamojë botimet e veta me shpenzimet e veta, ndaj kanë dalë në treg për të fituar e nuk ka dalë se “u digjet barku” për zhvillimin e letërsisë e të kulturës shqiptare, siç përgjërohen e jargaviten ekraneve “pronarët” e përjetshëm të shoqatës! Mos vallë, shteti duhet t’u paguaj botuesve edhe “arredimin” e tyre me kollare e kostume! Kësaj i thonë:  Do kërcej unë në mes të fshatit, shteti të më paguaj daullen…!

 Përparim HALILI