Pambuku: Ja historia 69 -vjeçare e fotos së rrallë kur qeveria u mblodh në Berat

412

BERAT/78-vjeçari Vlash Pambuku rrëfen si e siguroi këtë fotografi dhe si e ruajti gjatë dekadave në arkivin e tij

Është një foto e rrallë, fiksuar 69 vjet më parë që ka fiksuar mbledhjen e parë të qeverisë në tetor të vitit 1944 në Beratin e sapo çliruar, që gazetari i njohur sportive, 78-vjeçari Vlash Pambuku e ruan si ndër më të çmuarat e arkivit së tij… Teksa afron këtë foto, Pambuku rrëfen për ‘Telegraf’ dhe historinë e dekadave më parë dhe si e ruajti këtë foto…

RRËFIMI

Vlash Pambuku 78 vjeç fotograf dhe gazetar sportive tregon: “Isha vetëm 10 vjeç. Shtëpinë e kisha pranë banesës së Vrionasve. Shkoja shpesh me shokët dhe luanim futboll me top rrecke në oborrin e kësaj shtëpie rrethuar me mure të lartë guri. Kaloja në afërsi të zyrave ku punonin qeveritarët e lartë, madje edhe nga zyra e Enver Hoxhës. Më shumë më pëlqente zyra e agjirpropit, ku kishte një larmi fotosh me pamjen nga lufta, tekste këngësh partizane, buletine, thirrje etj.. Si fëmijë i shkathët që isha, shërbeja në disa punë të thjeshta. Shpesh këndoja me ta këngë partizane. Më kujtohet disa prej tyre, si Nako Spiro, Nexhmije Xhunglini, Luan Qafëzezi, Mehmet Zaloshnja, etj.. Më 17 nëntor çlirohet Tirana. Qeveria largohet për në Tiranë. Shtëpia e Vrionasve u boshatis. Aty vërshuan njerëz të moshave të ndryshme duke marrë çfarë të gjenin. Merrnin karrige, tavolina, perde etj… Unë shkoja në zyrën e agjirpropit dhe mbusha trastën me dokumente politike dhe i çova në shtëpi. Vite më vonë shumë, dokumente ia dhurova muzeut të qytetit. Disa foto si kjo ku është e fiksuar salla me delegatët e punimeve të qeverisë, mbetën në arkivin tim ‘Sara’. Një ditë për kureshtje, shkova nga kinemaja ‘Nacionali’, pasi dëgjova se atje do të bëhej muze Më tërhoqi vëmendjen parulla ‘Vdekja Fashizmit – Liria e Popullit’ shkruar krejt ndryshe nga origjinali i sallës të vitit 1944. Nga sa vura re drejtuesi i punimeve kuptoi se unë kisha diçka, ndaj mu afruan dhe më pyeti: Nga jeni?. I tregova se isha nga Berati dhe se në këtë sallë vija gjithmonë gjatë punimeve të qeverisë, sidomos kur bëheshin pushimet mes mbledhjes. Më pyeti çfarë ndryshimi shikoja. I tregova se parulla duhet të ishte shkruar më shumë herë rreth e për qark sallës dhe me shkronja më të vogla. I thashë se kam një foto ku një diskutues po fletë nga podiumi dhe pas tij duket qartë shkrimi i parullës. U befasua dhe më pyeti sa vjeç isha. I tregova moshën. Ai më tha:’Të lutem më ma sill nesër fotografinë!’. Ja çova të nesërmen.

Më tha:’Na hape punë more djalë’ dhe më ra me duar shpatullave. Më pyeti nëse e mbaja mend parullën në sallë. I thash se po. Dhe fillova tu tregoja në galeri vendin ku nga e majta ishte parulla, ku shkruhej ‘Rrofshin aktivistët e mëdhenj Bashkimi Sovjetik-Angli-Amerikë. Nga e djathta lexova parullën ‘Rroftë Shqipëria–epoka e re’. U thashë se në qendër të galerisë ishin vendosur tre flamuj, ai i Anglisë, Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës dhe se në lozhën e parë parulla shkruante: “Delegatët e Tiranës”. Ata u habitën dhe më thanë ‘paske kujtesë të çuditshme’. U thashë: “Nuk i ka harruar pasi këtë pamje të sallës e kam në arkivin tim sportiv dhe e shikoj shpesh. Më kërkuan foton duke më afruar një pagesë, por ndonëse fillimisht u premtova, nuk ua dhashë”.

SI U RUAJT FOTOJA E RRALLË

Kjo foto e rrallë, mbeti në arkivin e gazetarit të njohur Pambuku, ndonëse shqetësimi i parë mbetet i paharruar për ‘të. “Në fakt, atë natë nuk e harroj kurrë. Kisha frikë e gjithë natën nuk fjeta gjumë. Kisha frikë mos thoshin se, ishte sekret e më ndëshkonin. Meraku bëhej edhe më i madh kur mendoja që origjina e familjes sime ishte e një shtrese të pasur qytetare beratase ndaj vendosa që të mos e jepja. Këtë e bëja edhe për faktin që drejtuesi i punimeve nuk dinte se cili isha unë. Gjatë ditëve të punimeve të ngritjes së muzeut unë nuk u duka andej. Kjo ishte historia e kësaj foto të një moshe 69 vjeçe që unë e ruaj në arkivi e po ua afroj sot dhe ju”,- përfundon i moshuari Vlash Pambuku.