‘Pallati në flakë, ja si i nxorra katër fëmijët pa ndjenja nga banesa’

161

Kati i tretë i një pallati në fshatin Zallë të Fushë-Krujës u shkrumbua plotësisht mëngjesin e sotëm, ndërsa katër fëmijë rrezikuan të asfiksoheshin nga tymi.

Fatmirësisht një banor ka ndërhyrë duke i nxjerrë nga godina që po digjej fëmijët.

Ai ka treguar se si hyri mes flakëve duke thyer derën e banesës dhe duke nxjerrë nga aty fëmijët që ishin asfiksuar.

“Rreth orës 7:00 shikoja njerëzit që po shikonin lart në katin e tretë dhe u bëra kurioz. Kur dal jashtë dhe shikoj tym. Ngjitem në katin e tretë dhe shikoj 4 fëmijë shtrirë, ishin asfiksuar. Theva derën dhe i nxora. Të flas është diçka e kotë sepse mua më janë dëmtuar tre hyrje. Realitetin se sa shpejt kanë ardhur dhe sa shpejt po e fikin, urdhëro ja ku e ke vetë realitetin. Nuk dilnin as njerëzit, i kam nxjerrë me shkelma”, tha banori.

Ndërsa një tjetër banor i mbetur vetë i pestë pa strehë kërkon ndihmë.

“Kur isha duke punuar më lajmëruan se është djegur shtëpia. Kur erdha unë ishte shkrumbuar komplet kati i tretë. Nuk ka asgjë brenda, ka rënë komplet tavani në tokë, janë djegur të gjitha në katin e tretë. I lutem shtetit të na ndihmojë, kush të ketë mundësi të na ndihmojë sepse ne nuk kemi ku të shkojmë. Unë jam vet i pesti, kam tre fëmijë, gruan. Kanë qenë fëmijët në momentin e zjarrit, kanë dalë jashtë, më kanë lajmëruar në telefon. Mendoj se ka qenë një shkëndijë elektrike”, tha banori.